Jeta sekrete e Julian Assange

Djali i një familje që merrej me biznesin e teatrit në Australi, Julian Assange është rritur duke u endur nga njëri vend në tjetrin.
Tashmë, në moshën 39 vjeçare, sërish e sheh veten duke u endur, i kërkuar nga Suedia si i dyshuar për krime seksuale dhe nga mbarë bota për publikimin e mijëra dokumentave me përmbajtje sekrete në faqen e tij të internetit, Wikileaks.
Nëse ia ka dalë mbanë të krijojë një lloj mbrojtje rreth vetes, kjo ndoshta vjen edhe prej faktit se që në fëmijëri ka mësuar të përballet me vetminë ashtu si edhe ka kuptuar ekzistencën e sistemit, që e tejkalon jetën e njeriut dhe të atij vetë.
Assange është përshkruar nga e ëma e tij, Christine, si “tepër inteligjent”. Ai ishte vetëm 13 vjeç kur ajo i bleu një kompjuter “Commodore 64”. Ishte viti 1987 dhe interneti ende nuk ekzistonte. Assange i vendosi një modem kompjuterit të tij dhe filloi udhëtimin në botën në zgjerim të rrjeteve kompjuterike.
“Është si shahu,” i pati thënë ai revistës “The New Yorker”. “Shahu është ashpërsisht strikt, pa shumë rregulla, nuk ka rastësi dhe kjo e bën problemin të vështirë”. Edhe pse e ëma e rriti pa ndonjë influencë të veçantë fetare, ajo pati kuptuar që në moshë të njomë, se djali i saj udhëhiqej nga një dëshirë e fortë për të bërë atë që e gjykonte si të drejtë. “Ai ishte një djalë shumë i dashur, shumë i ndjeshëm, i trajtonte mirë kafshët, i qetë dhe me një sens humori të hollë,” i pati thënë ajo të mërkurën gazetës së Melburnit, “Herald Sun”.
Ai vazhdoi studimet për matematikë dhe fizikë në Universitetin e Melburnit. Nëpër intervista që ka dhënë, të bie në sy rigoroziteti i tij shkencor.
Me një zë bariton, me ritm të kontrolluar, ai zgjedh çdo fjalë me kujdes. Ai mund të duket sa sharmant aq edhe i kujdesshëm për jetën e tij private dhe rrallë tregon shenja emocioni madje edhe atëherë kur flitet me nota ngacmuese për Wikileaks.
Ai thotë për vete se është i aftë të thyejë edhe sistemet më të komplikuara kompjuterike. Por nga ana tjetër mund edhe të harrojë të shfaqet në takim për një intervistë apo edhe ta anullojë në minutën e fundit. Kur ai flet, shfaqet si një njeri me gamë të gjerë interesi: nga kompjuterat, në letërsi dhe deri tek udhëtimet e tij në Afrikë. Edhe kur u largua nga një intervistë e CNN në tetor duke refuzuar të përgjigjej për paditë seksuale të bëra ndaj tij në Suedi, Assange u duk i qetë dhe i vetëpërmbajtur.
Ai ka arritur të krijojë një model sjellje ngacmues, e ndihmuar kjo edhe nga bollëku i flokëve gri, të cilat i erdhën shumë shpejt, si edhe një shprehje fytyre prej njeriu të bindur në qëndrimet e tij.

Pas inkursionit të tij fillestar në botën e kompjuterave, Assange filloi të eksperimentojë në kriptimin e kompjuterave dhe e rriti së tepërmi kuriozitetin ndaj sigurisë së tyre. Ai tregoi një herë një histori sesi arriti të krijonte një kriptogram kompjuterik të bazuar në manipulimin e numrave primarë.
Artikulli i “New Yorker”, i publikur në fillim të këtij viti, tregonte sesi në vitin 1991, Assange kishte arritur të thyente sigurinë e terminalit qendror në kompanisë së telekomit Nortel, ndodhi pas së cilës ai zhvilloi një frikë në rritje ndaj arrestit.
Ai u martua dhe pati një djalë kur ishte vetëm 18 vjeç por marrëdhënia mori fund shumë shpejt dhe bashkëshortja e tij e la bashkë me djalin e vogël.
Sipas revistës “New Yorker”, ai u shpall fajtor për 31 thyerje të sistemit në Australi por në fund ia doli duke paguar vetëm një shumë të vogël për dëmet e shkaktuara.
Hackeri i ri filloi kështu të fokusonte vëmendjen e tij larg thyerjes së sigurisë së rrjeteve, në drejtim të asaj që ai i konsideronte “veprimtaritë ilegale të qeverisë”
Në vitin 2007 në një postim në një blog, IQ.org, ai shkruante:
“I gjithë universi apo struktura që e përbën atë është një kundërshtar i denjë dhe sado që mundohem, nuk arrij t’i shpëtoj zërit të vuajtjes. Ndoshta, kur të plakem, unë do të rehatohem duke punuar në një laborator dhe do të flas me studentët në netët e verës duke pranuar kështu vuajtjen. Por jo tani: njeriu duhet të veprojë sipas bindjeve të arsyes së tij”
IQ.org mendohet të jetë një blog i krijuar nga vetë Assange dhe është i regjistruar nën emrin “JA” nga e njëjta kompani amerikane e domain si faqja tjetër, Wikileaks. Adresa e saj postare në Australia është e njëjta si adresa e dërgesave për Wikileaks.
Përpos temave të pafundme të adresuara në këtë blog, Assange diskuton tema si matematika përballë filozofisë, vdekjen e autorit Kurt Vonnegut, censurën në Iran dhe koorporatat si një formë e re e shtetit.
I frymëzuar nga bindja e të qënit një aktivist dhe kurioziteti i një gazetari, Assange krijoi Wikileaks në vitin 2006. Ai flinte shumë pak dhe harronte të ushqehej. Ai punësoi një staf dhe vuri theksin tek ndihma e vullnetarëve.
Gjithmonë, ai i mbronte burimet e tij, asnjhërë nuk diskutonte se nga vinte informacioni. “Njerëzit duhet të kuptojnë se Wikileaks ka vërtetuar që është burimi i ri më i sigurt që ekziston, pasi ne publikojmë materiale që vijnë nga burime primare dhe analiza të bazuara tek këto burime,” pati thënë Assange për CNN. “Të tjera organizata, me disa përjashtime, nuk do i botonin këto materiale”.
Faqja pati një rritje meteorike në korrik kur publikoi 90 mijë materiale sekrete, dokumenta të ushtrisë amerikane gjatë luftës në Afganistan. Kjo u konsiderua rrjedhja më e madhe e materialeve të inteligjencës në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Wikileaks vazhdoi me pjesën e dytë në muajin tetor, këtë herë më dokumenta sekrete të ushtrisë amerikane për luftën në Irak. Dhe sërish gjatë javës së fundit, filloi të postojë dokumentat e para të 250 mijë kabllove, duke zbuluar anën e errët të informacioneve diplomatike.
Disa e përgëzuan Wikileaks si një tribunë të fjalës së lirë. Por të tjerë, përfshirë edhe zyrtarët e irrituar të Pentagonit dhe Shtëpisë së Bardhë, e quajtën të papërgjegjshëm këtë veprim dhe kërkuan që Wikileaks të ndalonte atë që ata e quajtën një dëm i pariparueshëm i sigurisë botërore.
Assange, imazhi enigmatik i faqes Wikileaks u katapultua kështu në statusin e personit publik. Imazhi i njeriut me flokë të thinjur, me fytyrë të bardhë, me xhaketë lëkure u përhap menjëherë në televizione dhe internet. Të gjithë donin të dinin sesi kryeredaktori i Wikileaks ia kishte arritur të gjente informacionet.
Revista “Time” e ka nominuar atë për çmimin “Personaliteti i Vitit”, duke e quajtuar atë një lloj të ri ‘zhurmuesi’ për epokën dixhitale.
Por reputacioni i keq i Assange nuk merr fund me kaq. Shumë shpejt pas publikimit të materialeve të luftës në Afganistan, ai u vendos në qendër të një padie seksuale që vinte nga Suedia. Gjykata Kriminale e Stokholmit lëshoi një urdhër arrest ndërkombëtar për Assange dy javë më parë, ku pretendon se ai dyshohet për përdhunim, abuzim seksual dhe përdorim dhune në muajin gusht. Ai mund të dënohet me dy vjet burg nësë shpallet fajtor.
Interpoli u vendos në lëvizje të mërkurën me kërkesë të Suedisë. Assange është vetëshpallur i pafajshëm dhe i quajti akuzat ndaj tij në Suedi një farsë. Ai gjithashtu ka hedhur poshtë zërat për probleme të brendshme në Wikileaks.
Daniel Domscheit-Berg, një nga vullnetarët më të vjetër dhe zëdhënësi i Wikileaks, i cili pati dhënë dorëheqjen kohët e fundit, tha për CNN se personaliteti i Assange ka shfokusuar misionit fillestar të grupit; atë të publikimit të skandaleve të vogla, jo aq të mëdha si Ditari Afgan. Por Assange menjëherë u përgjigj: “Është roli im që të jem një yll polar. Sigurisht që është një rol shumë i vështirë, por nga ana tjetër marr merita të paqëna”
E ëma e Assange tha të mërkurën se ajo kishte frikë se i biri i saj ishte bërë shumë i zgjuar për veten. “Jam e shqetësuar se kjo është bërë shumë e madhe dhe forcat që e sfidojnë atë janë shumë të mëdha,” tha për Herald Sun, Christine Assange. Ajo nuk bëri ndonjë koment lidhur me akuzat seksuale ndaj djalit të saj në Suedi. Por më vonë deklaroi se Assange ishte larguar nga familja në mënyrë që ta mbronte atë. Por edhë vetë ai nuk i pranoi akuzat në tetor gjatë intervistës në CNN në Londër. “Kjo intervistë ka për qëllim tjetër diskutim. Do të më duhet të largohem nëse ju do të vazhdoni këtë intervistë kaq serioze me çëshjet e jetës time private,” u shpreh ai. Më pas hoqi mikrofonin, kërkoi ndjesë dhe u largua. www.Shqiptari.net

Leave a Comment

%d bloggers like this: