Jeta përtej rrjetit: çdo njeri mund të zgjedhë se çfarë të bëjë me "pasurinë" e tij në internet në rast vdekjeje.

E-mail”-e, “blog”-e, aksese të rrjeteve të ndryshme, “Facebook”, “Myspace”, “YouTube”: dy vajza suedeze kanë krijuar një sit, i cili ofron zgjidhje se ç’duhet bërë në rast se vidhet nga të tjerët fjalëkalimi. Ja çfarë këshillojnë ato për të mbrojtur mesazhet private

Bota virtuale nuk është parajsë dhe rrjeti rrezikon të shndërrohet në një burim blogerash virtualë të përjetshëm. Për faqet e ndryshme si “MySpace”, “Twitter”, “Facebook”, “YouTube”, “e-mail” ose “Flickr”, vdekja fizike është thjesht një problem kalimtar. Një ngrirje e të dhënave, të cilat priten të preken sërish nga një kursor. Për një njeri normal ky mendim është i tmerrshëm, por Elin Tybring dhe Lisa Granberg, dy vajza nga Suedia, kanë vendosur të vënë rregull në një botë që ka ende shumë gjëra për të na ofruar. Falë tyre çdo njeri mund të zgjedhë se çfarë të bëjë me pasurinë e tij në internet në rast vdekjeje. Kjo që ofrojnë dy vajzat është thjesht një mundësi më shumë. Është një lloj testamenti që nuk ka nevojë as të ligjërohet dhe as të ndjekë ndonjë rregull. Asnjë prind nuk do të zihet me fëmijën e tij për të pasur fjalëkalimin e “Facebook”-ut, kjo është e sigurt.

Siti “MyWebWill 1” ju ndihmon të ruani privatësinë tuaj. Sistemi është klasik. Mjafton të bëheni ortakë dhe pastaj të klikoni për të zgjedhur opsionet e ndryshme. Ju mund të lini trashëgimi fjalëkalimet tuaja, si dhe keni të drejtë të vendosni se kujt dëshironi t’ia lini ‘trashëgimi’ në rast vdekjeje, gjithashtu mund t’u dërgoni “e-mail” të gjithë kontakteve me përshëndetjen e fundit. Ajo që të bën përshtypje kur klikon në këtë adresë është citati: “Do të shihemi në botën tjetër”. Gjithashtu mund të zgjidhni që t’i jepni dikujt mundësinë për të shkruar në blogun tuaj, të drejtojë llogaritë, apo të bëjë anulimin e kartave të kreditit, sepse në të kundërt do të vazhdoni të paguani fatura boshe për shërbime të tjera.

Shërbimet e tjera pas vdekjes janë dy. Modeli “MyWebWill’s ‘freemium’” çaktivizon të gjitha llogaritë. Ndërsa modeli me pagesë, 30 dollarë në vit”, ofron ruajtjen e fjalëkalimeve dhe gjërave të tjera që kanë lidhje me privatësinë tuaj. Të klikosh mbi ato opsione është më e lehtë se sa të shkruash një testament. Në shtetet si Gjermania, ose Suedia ekziston një regjistër kombëtar që ndjek gjurmët e të gjithë personave të gjallë dhe siti “MyWebWill” rifreskon çdo javë këtë bazë të dhënash. Në Amerikë është i nevojshëm një hetim i mëtejshëm. Kjo e justifikon pagesën e shërbimit që është absolutisht serioz dhe shumë i sigurt. Në momentin e regjistrimit një “e-mail” konfirmimi shpjegon të drejtat dhe detyrat. Dy vajzat suedeze mendojnë se më në fund ka ardhur çasti i duhur për të ruajtur të ardhmen tuaj në internet.

Në vitin 2005, prindërit e një marinari të vrarë në Irak ngritën padi kundër një siti që nuk donte t’u jepte atyre fjalëkalimet e “e-mail”-eve të djalit. Gjykatësi u dha të drejtë familjarëve, por “Yahoo!”-ja në vend që t’u jepte fjalëkalimet i kopjoi të gjitha “e-mail”-et në një CD. Kjo gjë tregon se para privatësisë nuk bën fajde as vdekja. E njëjta gjë vlen edhe për “Hotmail”-in dhe “Gmail”-in, të cilët që pas gjyqit u lejojnë familjarëve të kenë një CD me kopjen rezervë të “e-mail”-eve dhe fjalëkalimeve në këmbim të provës së vdekjes dhe lidhjeve familjare.

Së fundmi “Facebook”-u ka filluar të ofrojë profile në kujtim të anëtarëve që kanë ndërruar jetë (“Facebook Memorials”). Vendimi i rrjetit social u mor pas vdekjes aksidentale të një vajze 21-vjeçare. Kur e ëma kishte hapur adresën e saj, zbuloi se kishte pasur një vajzë për të cilën duhej të ishte krenare; shumë miq dhe këshilla grupe.

“E kuptuam se kishim nevojë për një protokoll të tillë pas tragjedisë në shkollën ‘Virginia Tech’. Studentët donin një mënyrë dhe një vend për të kujtuar shokët e tyre”, ka shpjeguar Elizabeth Linder, zëdhënësja e “Facebook”-ut. Nga “përkujtimorja shtetërore” hiqen statusi, komentet dhe profili mund të vizitohet vetëm nga miqtë e pranuar. Edhe familjarët mund ta vizitojnë faqen, por nuk mund të lexojnë mesazhet private. Familja mund të ketë të dhëna të pjesshme për hapjen e adresës, por e ka të pamundur të arrijë te mesazhet private. “MySpace” ka një politikë të ngjashme me atë të “Facebook”-ut, por është më konservatore në kontrollin e profilit. Kjo është ajo që i frymëzoi krijuesit të “MyDeathSpace.com”, siti që pati jetë aq të shkurtër sa nuk arriti të bëhej “protagonist” në shtypin e shkruar.

Tregu i të vdekurve vazhdon të jetë i hapur. Siti “Seppukoo.com 2” ndjek traditën e lashtë të samurajëve. “Seppuku”, (të vdesësh me nder), lejon mundësinë e vetëvrasjes virtuale. Qëllimi është arritja e një vetëvrasje në masë. Slogani është “Death to Facebook”. Rrjeti social është shqetësuar për këtë çështje, por ata vazhdojnë “luftën” dhe thonë: “Impress your friends, disconnect yourself”. “Legacy Locker”, “Asset Lock” dhe “Deathswitch” (kostoja 19.95 dollarë në vit; dërgojnë një ‘e-mail’ në javë për të konfirmuar nëse janë gjallë) ofrojnë mundësi për të ruajtur fjalëkalimet, informacione të tjera dhe për të drejtuar gjithçka tuajën në rast vdekje. “Korniza ligjore dixhitale në përmirësimin e rasteve është keqinterpretuar. Përkeqësimi i gjendjes as që është marrë fare parasysh”, është shprehur Jeremy Toeman, themelues i “Legacy Locker” (siti për të cilin mund të paguash 30 dollarë në vit, ose 300 për të gjitha shërbimet së bashku), i cili thekson gjithashtu se ka pasur një ide gjeniale gjatë një turbulence, ndërsa udhëtonte me avion. “E pyeta veten se çfarë do të ishte bërë me pasurinë time në rast aksidenti? Do të çuditesha nëse brenda pesë vitesh njerëzit nuk do të fillonin të bënin edhe testamentin dixhital, përveç atij normal”. Në fakt është shumë e thjeshtë. Mjafton vetëm të jeni të regjistruar në vendin e duhur, në momentin e duhur.

Leave a Comment

%d bloggers like this: