Njohja e Kosovës është një ushtrim i ri diplomatik. Për Kosovën, por edhe për pjesën tjetër të shqiptarëve, të cilët në këtë fillim-shekulli panë të realizuar ëndrrën e një shteti të dytë shqiptar në Ballkan. Që nga dita e shpalljes së pavarësisë, duket sikur ka kaluar një përjetësi. Kosovën e kanë njohur tashmë plot 70 vende anëtare të OKB, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ka legjitimuar shpalljen e pavarësisë, qeveria e koalicionit e Hashim Thaçit ka hyrë në krizë pas ikjes së ministrave të LDK, presidenti ka dhënë dorëheqjen dhe vendi po përgatitet për zgjedhje të jashtëzakonshme, që do mbahen ndoshta në fund të këtij viti.Duken ngjarje që mund të ishin shtrirë në një hapësirë kohore tre apo katër fish më të madhe. Megjithatë, në një shtet të ri, ecuria e evenimenteve ka një ritëm më të madh sesa në demokracitë e konsoliduara apo shtetet e vjetra në moshë.
Kosovën e kanë njohur deri tani 22 nga 27 vendet anëtare të BE, 24 nga 28 vendet anëtare të NATO-s, 33 nga 47 vendet anëtare të Këshillit të Europës, 35 nga 56 vendet anëtare të OSBE, 17 nga 57 vendet enatëre të OKI-së, 8 nga 22 vende të Ligës Arabe, 7 nga 7 vende anëtare të G7 dhe 7 nga 8 vendet anëtare të G8-ës. Mund të thuhet se 70 vendet që e kanë njohur Kosovën, prodhojnë sot 71.98% të GDP në rang botëror.
Procesi i njohjes ndërkombëtare të Kosovës ka njohur një frenim të natyrshëm para hapjes së procesit në GJND. Kjo gjykatë u vu në lëvizje pas miratimit të rezolutës së 8 tetorit 2008, me kërkesën e Serbisë, e cila i kërkonte GJND që të shqyrtonte ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. GJND priti deri në korrik komentet nga 36 vendet relatore (21 në mbrojtje të pavarësisë dhe 15 kundër saj). Nga këto vende, 14 prej tyre paraqitën komentet në fjalë. Kina dhe Rusia preferuan të mos paraqesin komente.
Më 22 korrik GJND dha opinionin e saj, duke deklaruar se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar, me rezolutën 1244, si dhe me Kornizën Kushtetuese të Kosovës të asaj periudhe. Në reagim ndaj këtij qëndrimi final të GJND, Serbia mori pranë Asamblesë së Përgjithshme të OKB nismën për një tjetër rezolutë, e cila kaloi në shtator, me një tekst që e nxirrte sërish të humbur pakën serbe. Shteti shqiptar ka kryer një lobim jo të vogël në favor të rritjes së numrit të njohjeve të Kosovës nga komuniteti ndërkombëtar. Krerët më të lartë të shtetit, por edhe përfaqësues politikë të të gjitha forcave kryesore, kanë shfrytëzuar në mënyrë konstante formatet e ndryshme ndërkombëtare, për të lobuar në favor të pavarësisë. Trupi diplomatik shqiptar nga ana tjetër, ka pasur një angazhim të posaçëm, që çeshtja e njohjes së shtetit të ri kosovar, të jetë në qendër të të gjitha kontakteve me partnerët e huaj. Mund të thuhet se tashmë raporti i forcave po nis të anojë dukshëm nga grupimi i madh i shteteve që janë në favor të njohjes së shtetit kosovar. Megjithatë, në lojë janë interesa të shumta, të vjetra e të reja, gjeopolitike dhe ekonomike, të natyrës etnike dhe me specifika të brendshme për secilin vend, të cilat ende e pengojnë avancimin e njohjeve. Nga Spanja, e cila ka problemin e rajoneve baske e katalane, deri tek ish-vendet e paangazhuara që ndjejnë ende një farë “nostalgjie” për Jugosllavinë e Titos, apo disa vende ortodokse e sllave – të gjitha këto vijojnë të kapen pas idesë se pavarësia e Kosovës është, për një arsye a një tjetër, diçka e dëmshme dhe që nuk duhet pranuar. Gjithsesi Kosova ka marrë rrugën e sigurtë të afirmimit ndërkombëtar. Historinë s’mund ta kthejë pas asgjë. S.M

RevistaMapo

Leave a Reply

© 2014 Peqini Online Shiko Lajme Ndeshje Filma Foto Video Shqip 2013 · Subscribe: RSS Twitter · WordPress Theme designed by Theme Junkie