PS ka 13 pasanikë, ndërsa PD vetëm pesë, LSI një
Të merresh me politikë medoemos duhet të jesh dhe i pasur ekonomikisht. Më së miri kjo vërtetohet në Parlamentin shqiptar, ku 20 prej të zgjedhurve janë nga bota e biznesit madje me një fuqi ekonomike mjaft të madhe. Fuqia ekonomike e deputetëve biznesmenë mund të krahasohej fare mirë me buxhetin e shtetit shqiptar. Partia Socialiste ka në gjirin e saj numrin më të madh të biznesmenëve në politikë, duke humbur thuajse totalisht identitetin e saj si një parti e shtresave të mesme dhe të varfra të shoqërisë. Deri para pak kohësh biznesmenët qëndronin pranë partive duke i financuar ato, por dhe duke përfituar nga pushteti i tyre në periudha të ndryshme. Kryeministri Berisha me ardhjen në pushtet në vitin 2005, deklaroi me të madhe se do të thyente monopolet që biznesmenë të ndryshëm kishin krijuar në ekonominë e vendit, por ajo që vihet re tashëm është shumë prej syresh ndodhen në tempullin e demokracisë siç është Parlamenti.

E majta me 13 deputetë biznesmenë
13 nga 64 të zgjedhurit e PS-së janë biznesmenë nga më të fuqishmit në vend. Edi Rama në zgjedhjet e kaluara vendosi që shumë prej njerëzve të komunitetit të biznesit, të ishin përfaqësues kandidatë të opozitës për të bindur popullin. Disa nga emrat e njohur të biznesit që u kandiduan nga Partia Socialiste janë Sadri Abazi, Fidel Ylli, Hazir Gashi, Tom Doshi, etj. Edhe pse parti e majtë, Partia Socialiste vitet e fundit thuajse është bërë një strehë e një shtrese mjaft të pasur të shoqërisë. Qysh prej kohës së Fatos Nanos, biznesi kishte marrëdhënie mjaft të mira me këtë parti. Një nga pikat të cilat Sali Berisha si kryetar i opozitës kritikoi mjaft ashpër, ishte praktika e Nanos për afruar biznesmenë rreth partisë. Me ardhjen e Edi Ramës kjo strategji nuk u ndryshua fare, pasi jo vetëm që u mbajtën biznesmenë afër, por ata u shtuan dhe më tepër. Demokratët në pushtet aktualisht, në një nga pikat që e sulmojnë opozitën është fakti që në këtë parti ndodhen shumë biznesmenë të njohur të cilët paralelisht me biznesin e tyre merren dhe me politikë.

Biznesi rreth të djathtës
Ndryshe nga Partia Socialiste, të djathtët në pushtet, nuk kanë numër shumë të madh të biznesmenëve në Parlament, por një mënyrë tjetër është marrëdhënia e saj me biznesin. Shumë emra të biznesit edhe pse nuk janë në Grupin Parlamentar të PD-së, ata ndodhen afër me këtë parti duke financuar dhe fushatën elektorale të kësaj partie. Mazhoranca ka në grupin parlamentar biznesmenë të njohur si, Gjok Uldedaj, Rrahim Çota, Lefter Koka, Gëzim Dibra apo dhe Paulin Sterkaj. Në ideologji, Partia Demokratike është në të drejtën e vet që të jetë afër me shtresën e pasur, por kjo në asnjë rast nuk duhet që të kalojë në abuzim për të ndihmuar disa njerëz, të cilët për faktin se të ndihmojnë financiarisht, t’u krijosh lehtësi në kurriz të disa të tjerëve.

Gjok Uldedaj, PD
Është deputet në qarkun e Shkodrës. Ai është anëtar në disa forume ekonomike kombëtare dhe ndërkombëtare dhe autor i tre librave universitare dhe pasuniversitare në fushën e Marketingut dhe Tregut të Produkteve. Biznesmen i suksesshëm në fushën e karburanteve. Uldedaj përpara se të zgjidhej deputet mbante postin e kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Sadri Abazi, PS
Është deputet në qarkun e Dibrës. Abazi është një ndër emrat më të njohur të komunitetit të biznesit. Është për të dytën herë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Pasuria e tij është vendosur gjatë viteve të tranzicionit dhe është vijuar të shtohet edhe gjatë viteve të fundit.

Hazir Gashi
Një tjetër deputet biznesmen i njohur është dhe Hazir Gashi, i cili në zgjedhjet e fundit u kandidua nga Partia Socialsite. Gashi është i njohur në fushën e ndërtimeve në zonën e Durrësit. Ashtu si dhe të tjerë, Hazir Gashi është ndër emrat e njohur të komunitetit të biznesit.

Fidel Ylli, PS
Një tjetër biznesmen i njohur dhe mjaft i suksesshëm në Partinë Socialiste të Edi Ramës është dhe Fidel Ylli. Aktiviteti i tij është i shpërndarë në disa fusha të ekonomisë dhe cilësohet si një ndër biznesmenët potentë në Shqipëri. Ylli është deputet i qarkut të Beratit dhe në zgjedhjet e fundit arriti që bastionin e Ilir Metës siç është Çorovoda, ta kthejë në shumicë për PS-në.

Biznesmnet

Gjok Uldedaj, PD
Ardian Kollozi, PD
Rrahim Çota, PD
Gëzim Dibra, PD
Paulin Sterkaj, PD
Xhemal Qefalia, PS
Dashamir Peza, PS
Artan Gaçi, PS
Sadri Abazi, PS
Hazir Gashi, PS
Skënder Hasa, PS
Vangjel Tavo, PS
Gjovalin Kadeli, PS
Armando Prenga, PS
Tom Doshi, PS
Ndue Kola, PS
Fidel Ylli, PS
Fatmir Toçi, PS
Lefter Koka, LSI
Dashamir Tahiri, PDU

(Burimi: TiranaObserver

Leave a Reply

© 2014 Peqini Online Shiko Lajme Ndeshje Filma Foto Video Shqip 2014 · Subscribe: RSS Twitter · Peqini Online designed by Shqiptari.net