Interi turpërohet në San Siro ndaj Shalkes 2-5

Interi është turpëruar nga Shalke 04 brenda në Milano ku ka pësuar 5 gola. Tingëllon e pabesueshme por kampionët e Europës dhe të botës, pas humbjes në derbi të shtunën e kaluar, pësojnë një tjetër goditje, këtë herë edhe më të rëndë në Champions League ku e shohin veten shumë pranë skualifikimit.

E fillojnë mjaft mirë zikaltrit këtë takim, ku brenda pak sekondave e shohin veten në avantazh me një supergol të Dejan Stankovic.

Por Shalke e ftohtë, sulmon në pikën më të dobët të Interit, në qendër të mbrojtjes ku Ranokia e Kivu nuk mjaftojnë. Në minutën e 17-të, pas një goditje këndi e një rrëmuje në zonë Matip barazon për gjermanët e lëkund ndjeshëm vendasit.

Skuadra Leonardos kërkon me ngulm golin e dytë dhe pas disa tentativave, kalon sërish në avantazh këtë herë me Militon.

Rikthehet qetësia për pak minuta, pasi vetëm 6 minuta iu deshën Shalkes të barazpeshonte sërish rezultatin me Edu, aksion që konfirmon edhe njëherë problemet e mesfushës e mbrojtjes së Interit.

Në pjesën e dytë Interi sheh t’i shuhet ëndërra dalëngadalë. 10 minuta pas fillimit të pjesës së dytë Raul shënon golin e tretë për Shalken dhe të 72-in personal në veprimtaritë europiane, një rekord që e ngjit spanjollin në 2 gola më shumë se Inzagi që e ndjek nga pranë në këtë garë personale.

Pesë minuta të tjera dhe këtë herë Ranokia tregon se nuk ishte mbrëmja e tij këtë herë me një autogol që con në 4-2 me dy shifrat në favor të gjermanëve. Sikur të mos mjaftonte kjo, Kivu tradhëton sërish Interin ashtu si në derbi duke e lënë me 10-të lojtarë pas kartonit të dytë të verdhë.

Në inferioritet numerik zikaltrit pësojnë edhe golin e pestë sërish nga Edu, duke mbyllur këtë takim më shumë të eliminuar se sa me shpresën e një mrekullie për ndeshjen e kthimit të mërkurën e ardhshme.

Ndërkohë në takimin tjetër cerekfinal Reali i Madridit bën detyrën përballë Totenhemit, duke fituar me rezultatin 4-0. Një takim i lehtë për skuadrën e Mourinjos e cila përvecse përfiton nga goli i avantazhit i shënuar shpejt, është edhe në superioritet numerik që nga minuta e 15-të kur Krauc merr kartonin e dytë të verdhë.

Me këtë rezultat 4-0 spanjollët kanë siguruar kualifikimin për në gjysmëfinalen e Champiosn Ligës së këtij sezoni.

Leave a Comment

%d bloggers like this: