Ibra: Me Dinjon dhe Paton më të fortët e Europës

Sulmuesi kuqezi pret me padurim të fillojë aventurën e tij të re në Milano: Ju premtoj 25 gola

Zllatan Ibrahimoviç ka premtuar gola dhe trofe. Edhe të hënën në mëngjes, pas vizitave mjekësore, sulmuesi i ri i Milanit ka vazhduar të bëjë premtime. “Uroj të shënoj më shumë se 25 gola, por gjëja e rëndësishme është të fitojmë, – ka saktësuar ai. – Topi i Artë? Në fillim dua të fitoj me skuadrën, më pas do të vijnë çmimet individuale. Për këto gjëra mendoja kur kam qenë më i ri. “Tifozët kuqezi kanë qenë fantastikë me mua, më kanë bërë një pritje të madhe, jam i kënaqur.

Kisha shumë dëshirë të luaja që të dielën në mbrëmje kundër Leçes, por Galiani më ka thënë se nuk mund ta bëja sepse nuk kishte patur kohë për federimin tim. Shokët e mi të rinj të skuadrës kanë luajtur të gjithë mirë, kam parë Inzagin e “zakonshëm” dhe më kanë pëlqyer veçanërisht Pato dhe Ronaldinjo. Ka qenë ky i fundit, në Trofeun Gamper, që më ka thënë se ishte gati një avion për mua drejt Milanos”, ka shtuar suedezi, duke zbuluar një prapaskenë interesante.

Të dielën në mbrëmje ish-zikaltri i është përgjigjur në mënyrë të ashpër Havier Zanetit, që kishte thënë se nuk ishte befasuar për transferimin e Ibrës te Milani. Replika ndaj kapitenit të Interit është nga ato që nuk harrohet kollaj: “Nëse do të kisha qenë në vendin e tij, do të isha i kënaqur kur më takon të flas për Ibrahimoviçin, sepse para kalimit tim tek Interi ata nuk kishin fituar asgjë.

Nëse ai thotë gjëra të caktuara për mua është një problem i tij, jo i imi”. Zllatan Ibrahimoviç pret me padurim të fillojë aventurën e tij të re me fanellën e Milanit. Sulmuesi suedez ka nënvizuar se sa vendimtare ka qenë ndërhyrja e presidentit Berluskoni në zgjedhjen e tij për të kaluar te “Djalli”: “Kam folur me të dy herë në ditët e fundit. Më ka telefonuar në fillimin e javës së kaluar për të më shtyrë të zgjidhja Milanin dhe për të më kujtuar se ka tentuar të më marrë kur kam qenë tek Ajaksi dhe tek Juventusi, – ka pranuar Ibra. – Di të përdorë fjalët e duhura dhe të bën të ndihesh numri një.

Por i gjithë Milani më ka pritur në mënyrë të shkëlqyer, janë ndjesi shumë të bukura që të karikojnë shumë. Të mërkurën e kaluar, gjatë Trofeut Gamper, kam folur edhe me Nestën, Pirlon dhe Ambrozinin, që më kanë bërë të ndihem si njëri prej tyre”. Ylli i ri i kuqezinjve ka filluar ta ndiejë që tani atmosferën e derbit kundër ish-skuadrës së tij: “Zaneti ka thënë se e priste transferimin tim te Milani? Interi po ndjek rrugën e vet, nuk ka nevojë për mua.

Por derisa Ibrahimoviç nuk ka shkuar tek zikaltrit, Interi nuk kishte fituar asgjë. Nga Zaneti një përgjigje e tillë është e pritshme, në vendin e tij do të flisja mirë për Ibrahimoviçin, – ka vazhduar suedezi. – Seria A më tërheq, mbetet kampionati më i vështirë për një sulmues dhe kjo më elektrizon. Me Dinjon dhe Paton jemi midis më të fortëve në Europë. Në 4 vitet e ardhshme kjo skuadër mund të fitojë gjithçka dhe unë jam në dispozicion të skuadrës për të arritur maksimumin”.



http://www.sportishqiptar.com.al/ibra-me-dinjon-dhe-paton-me-te-fortet-e-europes/

Leave a Comment

%d bloggers like this: