Huntelar dhe Hurado, firmosin për Shalken

Holandezi vjen nga Milani, spanjolli nga Atletiko. Për secilin janë paguar nga 13 milionë euro

Klas Jan Huntelar ishte blerja e parë e madhe e ditës së fundit të merkatos, teksa sulmuesi holandez kaloi nga Milani te Shalke. Pak orë më vonë, klubi gjerman, siguroi edhe shërbimet e Hoze Manuel Hurados nga Atletiko e Madridit. Huntelari, 27-vjeçar, do të kalojë në Gelsenkirshen kundrejt 13 milionë eurove dhe do t’i bashkohet ish-partnerit në sulmin e Realit, Raul Gonzales. Trajneri i Shalkes, Feliks Magat, tha për gazetën “Bild”: “Bisedimet ishim më të vështira sesa pritej, por tani është zgjidhur gjithçka.

Jam i lumtur që kam Huntelarin në skuadër. Do të na ndihmojë.” Huntelari nuk arriti të gjente një vend si titullar te Reali i Madridit dhe te Milani. Që kur u largua nga Ajaksi ai ka luajtur në 50 ndeshje dhe ka shënuar 15 gola. Për në kohët kur luante në Amsterdam ishte një golashënues i rregullt me 80 gola në 104 ndeshje. “Huntelari dëshiron ta vazhdojë karrierën e tij te Shalke.

Milani dhe Shalke arritën marrëveshjen për transferimin e lojtarit kundrejt 13 milionë eurove,” – lexohej në faqen zyrtare në internet të futbollistit. Ndërsa vetë lojtari i kombëtares holandeze, tha: “Eshtë e vërtetë se nuk doja të largohesha nga Milani, por ardhja e Ibrahimoviçit nga Barcelona i ndryshoi gjërat.” Shalke e ka nisur kampionatin gjerman me dy humbje, por tifozët mund të ngushëllohen me faktin se dje janë bërë dy blerje.

Përveç Huntelarit, ata kanë marrë edhe shërbimet e mesfushorit spanjoll Hurado. Atletiko e Madridit konfirmoi se do ta shiste futbollistin, menjëherë pas ndeshjes së fituar 4-0 ndaj Gijonit, ku Hurado shënoi edhe golin e parë. Nuk janë dhënë detaje të transferimit, por sipas shtypit spanjoll Shalke ka shpenzuar 13 milionë euro për 24-vjeçarin. Në komunikatën për shtyp të klubit spanjoll lexohej:

“Atletiko e Madridit ka arritur një marrëveshje me Shalken për të transferuar te skuadra gjermane Hoze Manuel Huradon. Marrëveshja mes dy klubeve u siglua në mbrëmjen e 30 gushtit. Në orët e ardhshme ai do të largohet për në Gjermani, ku do të prezantohet te Shalke. Atletiko e Madridit e falënderon Huradon për profesionalizmin e treguar gjatë viteve të tij në “Visente Kalderon” dhe i uron atij suksese në këtë hap të ri të karrierës.

” Hurado u rrit te të rinjtë e Realit të Madridit, përpara se të kalonte te Atletiko në vitin 2006. Në 2008-n u huazua për te Majorka, ndërsa në sezonin e kaluar u kthye në Madrid dhe ishte pjesë e Atletikos që fitoi Ligën e Europës dhe Superkupën e Europës. Trofe këta që ndalën agjërimin 14-vjeçar. Hurado tha: “Po largohem nga shtëpia, nga familja dhe miqtë e mi, por ka disa raste në jetë kur nuk mund të thuash jo. Preferoj të them mirupafshim dhe jo lamtumirë. Unë shpresoj që Atletiko të vazhdojë të fitojë trofe si po bën kohët e fundit.”



http://www.sportishqiptar.com.al/huntelar-dhe-hurado-firmosin-per-shalken/

Leave a Comment

%d bloggers like this: