Homazhe për tre viktimat e demonstratës së 21 janarit (VIDEO)

Qytetarë të shumtë i janë bashkuar thirrjes së opozitës për një demonstratë homazh për të nderuar tre viktimat e 21 janarit.

Kortezhi i homazheve i kryesuar nga shefi i opozitës, tashmë është ndalur në vendin kur është janë vrarë tre demonstruesit ndërkohë që shihen edhe familjarët e viktimave me tufa me lule.

Tubimi duket paqësor deri në këto momente ndërsa muzika funebër shoqëron demonstratën përkujtimore për viktimat Hekuran Deda, Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj.

Kortezhi i drejtuar nga familjarët e viktimave dhe drejtues të lartë të opozitës kanë vendosur lule para portreteve të të tre viktimave që humbën jetën në demonstratën e 21 janarit.

Fillimisht lule u vendosën pranë vendit ku humbi jetën Faik Myrtaj, nga komuna Cakran në Fier.

Me pas kortezhi është zhvendosur tek vendi ku u vra viktima e dytë Ziver Veizi, nga Gjirokastra, para portës së Kryeministrisë.

E njëjta gjë u bë edhe në vendin ku humbi jetën viktima e tretë Hekuran Deda, i cili u godit nga një plumb 9 mm në kokë teksa ndodhej mbi një skelë.

Ndërkohë numri shumë i madh i pjesëmarrësve vijon që të vendosë lule pranë tre fotografive.

Kryetari i opozitës, Edi Rama është larguar nga vendi i homazheve dhe po ndjek itinerarin e parashikuar për demonstratën-homazh.

Leave a Comment

%d bloggers like this: