Hiqen vizat, bie muri i fundit që i ndante shqiptarët nga Evropa

Propozimi i KE do t’i paraqitet së shpejti për miratim Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian.

Komisioni Evropian aprovoi zyrtarisht propozimin e Kolegjit të Komisionerëve evropianë për heqjen e vizave Shqipëri-BE. Nga Brukseli, përmes një deklarate për shtyp, Sesilia Malmstorm, Komisionerja e Bashkimit Evropian për Çështjet e Sigurisë dhe Vizave e cilësoi marrjen e vendimit nga ana e KE-së si një arritje e jashtëzakonshme e qeverisë shqiptare. Eurokomisionerja u shpreh se qeveria shqiptare ka bërë një punë shumë serioze në plotësimin e kërkesave të Bashkimit Evropian. Komisionerja evropiane bëri të ditur se tashmë shqiptarët ndodhen shumë afër realizimit të këtij procesi të rëndësishëm. Malmstrom u shpreh se janë marrë të gjitha garancitë nga qeveria shqiptare për plotësimin sa më shpejt të kritereve të mbetura. Në këtë kontekst, ajo theksoi se përmbushja e këtyre kritereve do t’i hapë përfundimisht rrugën shqiptarëve për të lëvizur të lirë në hapësirën Shengen. Malmstrom theksoi se propozimi i Komisionit Evropian do t’i paraqitet së shpejti për miratim Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian. Ndërkohë që Malmstorm ftoi autoritetet kombëtare në Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë të vazhdojnë të informojnë shtetasit e tyre mbi të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga udhëtimi afatshkurtër pa viza. “Propozimi është rezultat i punës së madhe dhe intensive të autoriteteve dhe popujve të këtyre vendeve për plotësimin e kushteve. Jam e sigurt se të dy vendet, duke patur parasysh rezultatet e mira të treguara tashmë, do të jenë në gjendje të plotësojnë kriteret e mbetura në kohën e duhur, në mënyrë që Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave të BE-së të mund të japin së afërmi dritën e fundit jeshile për këtë propozim. Më lejoni të theksoj se kjo liri duhet të shoqërohet me një përgjegjshmëri. Kështu që i ftoj autoritetet kombëtare në Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë të vazhdojnë të informojnë shtetasit e tyre mbi të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga udhëtimi afatshkurtër pa viza”, është shprehur Malmstorm. Nga ana tjetër, eurokomisionerja vuri në dukje se propozimi kushtëzohet me plotësimin e tre kërkesave të mbetura për t’u realizuar nga të dy vendet. Gjithashtu, ajo vuri në dukje se mundësimi i udhëtimit pa viza është gur themeltar për politikën integruese të BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas Malmstorm, lehtësimi i kontakteve ndërmjet njerëzve përmirëson mundësitë e biznesit dhe u mundëson popujve të rajonit të njohin më mirë BE. “Unë e di se sa i rëndësishëm është udhëtimi pa viza për popujt e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegonivës. Mundësimi i udhëtimit pa viza është gur themeltar për politikën integruese të BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Lehtësimi i kontakteve ndërmjet njerëzve përmirëson mundësitë e biznesit dhe u mundëson popujve të rajonit të njohin më mirë BE-në”, tha Sesilia Malmstrom.

Botasot

Leave a Comment

%d bloggers like this: