Hetimi, 18 zyrtarë të FSHF: Nuk pati trukime

Asnjë nga 18 personat e marrë në pyetje dje për trukimet, nuk ka pohuar se ndonjë nga ndeshjet shqiptare që janë nën hetim, mund të ketë qenë e trukuar.Ata nuk janë persona të rëndomtë, por zyrtarë të FSHF-së, vëzhgues dhe gjyqtarë. Me pak fjalë, njerëz që në çdo ndeshje dhe në çdo moment janë syri dhe veshi i institucionit të futbollit. E megjithatë, në seancën e djeshme pyetësore të organizuar nga Komisioni i Disiplinës, asnjë prej tyre nuk ka deklaruar dhe nuk ka dhënë ndonjë detaj që të hedhë dritë mbi estradën që u zhvillua pak javë më parë në Superiore. Seanca pyetësore ka nisur rreth orës 13:00, dhe jo në orën 12:00, ashtu sikurse ishte njoftuar zyrtarisht nga FSHF. Marrja në pyetje nuk është bërë në zyrat e Federatës, por në një nga sallat e hotel “Rognerit”, ku janë paraqitur të gjithë me radhë delegatët, vëzhguesit dhe arbitrat e tri ndeshjeve nën hetim: Dinamo-Skënderbeu 1-3, Flamurtari-Elbasani 4-0 dhe Shkumbini-Bylis 4-2. “Grupi hetimor” që mori në pyetje zyrtarët e ndeshjeve, përbëhej nga pesë persona: Eduard Prodani, (sekretari i përgjithshëm i FSHF-së); Eno Bushi (kryetari i Komisionit të Disiplinës), Enton Lita (përgjegjësi i zyrës juridike në FSHF), Ilir Alushi (inspektor i Disiplinës), Lulzim Llangozi (inspektor i Disiplinës). Procesi i marrjes në pyetje për 18 personat (delegatë, vëzhgues dhe katër gjyqtar për çdo ndeshje) zgjati rreth katër orë. Megjithatë, burime konfidenciale pranë FSHF-së bën të ditur se asnjë prej tyre nuk ka dhënë detaje apo deklarata, ku të pohohej se ndeshjet nën hetim ishin të trukuara. Mësohet se të gjithë e kanë mbyllur raportimin me fjalinë: “Nuk pashë ndonjë gjë të pazakontë dhe të dyshimtë. Nuk mund të them se ndeshja ishte e lënë”. Megjithëse “grupi hetimor” ka bërë gjithfarë pyetjesh për secilin, nuk ka mundur, të paktën në pamje të parë, që të nxjerrë ndonjë deklaratë të fortë. Ja disa nga pyetjet që u ishin bërë thuajse të gjithë zyrtarëve që iu kërkua të raportonin: “A patë ndonjë gjë të dyshimtë në ndeshje? A mendoni se skuadrat toleruan në fushë? A dëgjuat ndonjë futbollist ose zyrtar klubi t’i thoshte dikujt tjetër fraza të dyshimta të tipit: hape portën, mos shëno, mos mbro etj…? A dëgjuat ndonjë deklaratë nga zyrtarët e klubit se ndeshja është e trukuar, e shitur? A patë sjellje të dyshimta të futbollistëve në fushë? Pas ndeshjes, a pati ndonjë reagim të çuditshëm nga lojtarët apo zyrtarët e ndonjë skuadre?”. Thuajse të gjitha pyetjeve, zyrtarët që ishin thirrur që të depononin, u janë përgjigjur në mënyrë krejt standarde, duke u treguar të kujdesshëm që të mos u “rrëshqiste goja”. Megjithatë, ka pasur edhe mini-replika nga ana e tre gjyqtarëve. Ata i kanë thënë “grupit hetimor” se nëse do të kishin pasur dyshime, atëherë këtë do ta kishin shkruar në raport dhe nuk kishte pse të bëhej një seancë e tillë dëgjimore.

Hetimi, Prodani: Ndihmë nga drejtori i Policisë e zv.ministri i Brendshëm

Federata Shqiptare e Futbollit i ka kërkuar ndihmë edhe Policisë së Shtetit, përsa i përket hetimit që ka nisur për disa ndeshje të Kategorisë Superiore. Lajmi është konfirmuar nga Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani, i cili ka konfirmuar takimin para disa ditësh me drejtorin e policisë, si dhe zëvendës/ministrin e Brendshëm, ku mes problematikës është diskutuar gjerësisht edhe për trukimet dhe tolerimet në kampionatin shqiptar të futbollit. Aktualisht janë nën hetim ndeshjet; Dinamo-Skënderbeu 1-3, Shkumbini-Bylis 4-2 dhe Flamurtari-Elbasani 4-0, të përfolura si të toleruara nga skuadrat humbëse, kjo jo vetëm për të favorizuar ekipet fituese, por ndoshta edhe për të përfituar ekonomikisht nga vënia e basteve. “Po, kemi pasur një takim para disa ditësh me drejtorin e Policisë së Shtetit, z.Burgaj, dhe zv/ministrin e Brendshëm, Peka, ku kemi diskutuar për disa çështje që shqetësojnë komunitetin e futbollit. Natyrisht, veç masave të reja shtrënguese për të rritur sa më shumë sigurinë në stadiume, u diskutua edhe për trukimet e ndeshjeve, ku ne si Federatë i kërkuam policisë që të na ndihmojë duke vënë në dispozicion të gjitha mjetet që ajo ka si dhe asistencën e duhur për të hetuar çdo ndeshje”, ka pohuar Prodani.

Leave a Comment

%d bloggers like this: