Heqja e doganes dhe Taksa e re e makinave.

Hyri në fuqi ligji për taksat e reja të automjeteve të përdorura dhe detyrimet për mjetet që nuk janë zhdoganuar apo që importohen pas kësaj date. Bashkë me ligjin, zbardhet i plotë udhëzimi që bën të mundur zbatimin e ndryshimeve të reja në sistemin e taksave për rreth 400 mijë automjete në rang vendi.

Duke filluar prej ditës së sotme, makinat që importohen në vendin tonë nuk do të paguajnë taksën e importit, por vlerën e TVSH-së 20 për qind të llogaritur mbi çmimin e mjetit. Gjithashtu, sistemi tatimor ndryshon tërësisht sa u takon detyrimeve që paguhen përpara futjes së mjetit në kontrollin e detyrueshëm teknik.

Në udhëzim, ministria i ka kushtuar vëmendje formës së targimit të mjeteve të reja që do të zhdoganohen, regjistrimit të tyre dhe taksave që paguhen një herë në vit në drejtoritë rajonale të transportit.

Formula

Kështu, taksa e mjeteve të përdorura të transportit caktohet sipas formulës: Cilindrata në cm3 x koeficienti fiks sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit. Taksa fikse për llojin e karburantit është 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën.

Koeficienti sipas vjetërsisë së mjetit janë të vendosura në tabelën përbri, kurse mjetet me vjetërsi nga 0-3 vjet nuk janë subjekt i kësaj takse. Ministria sqaron se, “viti i vjetërsisë” është diferenca ndërmjet vitit, kur mjeti kryen kolaudimin teknik me vitin e prodhimit. Gjithashtu, detyrimi për pagimin e taksës i takon pronarit të mjetit, kurse pagesa e taksës bëhet në çdo kohë, por gjithnjë para kryerjes së kontrollit teknik vjetor të detyrueshëm të mjetit.

Në udhëzim thuhet se, vlera e taksës është vjetore (për vitin kalendarik në të cilin arkëtohet) pavarësisht nga momenti në të cilin ajo paguhet.

Targimi

Mjetet që regjistrohen për herë të parë, në momentin e targimit të tyre, paguajnë vlerën e taksës në raport me kohën e hyrjes në qarkullim në territorin e Shqipërisë. Në rast se mjeti targohet në muajin janar, taksa paguhet e plotë, ndërsa për periudhën në vazhdim në raport me muajt e hyrjes në qarkullim, pavarësisht datës së muajit

“Në rast se një mjet, targohet për herë të parë pas muajit janar, vlera e taksës së mjeteve të përdorura është e barabartë me vlerën e taksës sipas formulës pjesëtuar me 12 dhe shumëzuar me 11, që janë muajt në përdorim”, thekson udhëzimi.

Pagesa e kësaj takse shoqërohet me faturë, me pullën e taksës, si dhe biletën me numër serial. Zotëruesi i mjetit e vendos pullën e taksës në xhamin e përparmë të mjetit për të lehtësuar ushtrimin e kontrollit vizual nga organet kompetente.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor bën regjistrimin ditor të arkëtimit të taksës, që shërben si dokument bazë për rakordimin e pagesës së taksës me organet tatimeve. Në rastet e mjeteve të cilët ndërrojnë pronësinë, drejtoritë rajonale nuk procedojnë me regjistrimin e pronësisë së mjetit në rast se për atë mjet nuk janë paguar taksat respektive. Drejtoritë Rajonale, deri në datën 15 të muajit pasardhës, evidentojnë dhe dërgojnë në Drejtoritë Rajonale të Tatimeve dhe në strukturat e Ministrisë së Brendshme, listën e mjeteve që nuk janë paraqitur për të bërë kontrollin teknik dhe që për rrjedhojë nuk kanë paguar taksën. Për mjetet që dalin përfundimisht nga qarkullimi, vlera e taksës do të jetë e barabartë në raport me periudhën, që mjeti ka qenë në qarkullim.

Leave a Comment

%d bloggers like this: