Grupi i PS vendos sot për rifutjen në Kuvend pas grevës së urisë

Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar, deputetët socialistë do të shqyrtojnë vendimin për t’u rifutur në Kuvend, pas nismës së ndërmarrë për t’u futur në grevë urie, e cila zgjati për gati 3 javë rresht.

Pritet që në takimin e sotëm te merret vendimi për t’u kthyer rregullisht në jetën parlamentare, duke hyrë në komisionet e përhershme dhe në të gjitha seancat parlamentare, sikundër ka lënë porosi edhe Bashkimi Evropian.

Ndërkaq, bashkë me ta pritet të jenë në këtë takim edhe të gjithë grevistët e urisë, për t’u takuar me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili parashikohet t’u shprehë atyre falenderimet për sakrificën e treguar përgjatë 19 ditëve në grevën e urisë, poshtë zyrës së kryeministrit Berisha.

Kuvendi pritet të mblidhet edhe sot në seancë plenare, duke kthyer kështu rregullin edhe me ditën e hënë të përfshirë në punime, ashtu siç ka qenë edhe më parë, kur Kuvendi funksiononte normalisht me praninë e opozitës.

Grupi i Partisë Socialiste u largua në 29 prill nga Kuvendi, një ditë para protestës së madhe të 30 prillit, dhe që prej asaj dite nuk mori pjesë më në seancat plenare.

Noa

Leave a Comment

%d bloggers like this: