Grinden shqiptarët, fitojnë grekët. Bollano: "Himara, prej shekujsh greke dhe autonome"

8 MAJI/ Pasi jane siguruar se Kosta Barka do te hyje ne Parlament, qarqet nacionaliste greke kane nisur nje ofensive per te marre Himaren

Po, është e vërtetë, sa herë kanë sherre shqiptarët me njëri-tjetrin do të shfaqen në një formë a tjetër grekët me pretendimet e tyre të njohura. Për shembull, zgjedhjet vendore do të sjellin konfigurime të reja në Parlament, por edhe në qeveri. Parlamenti do të presë së shpejti deputetë të rinj në sallën e tij. Nga radhët e PD-së pritet që Kosta Barka, ish-ministri i dikurshëm në qeverinë “Berisha”, të rifutet në Kuvend, pas shpalljes së kandidaturës së Ardian Kollozit për garën e Bashkisë së Vlorës. Kjo hyrje e Barkës në parlament, mbase mund të mos vihej re, pot ë mos ndodhnin edhe gjëra të tjera. Sepse, vitet e fundit i kemi parë këto pretendime të shfaqen në formën më të egër, me varreza dhe kryqe, me hartën e Vorio-Epirit në sfond dhe me pretendime të mirëfillta gjeografike dhe politike. Dje, fjala vjen, u rishfaq sërish Bollanoja me pretendimin e njohur për “Himarën greke”. Dhe u shfaq pikërisht në momentin që fillon fushata për zgjedhjet e 8 majit, që në mendjen e Bollanos është betejë për Himarën. Duke na përrallisur për historinë e “Himarës greke” Bollano dhe ata që e yshtin atë duan të thonë as më pak dhe as më shumë se në Himarë duhet të fitojnë grekët më 8 maj. Nuk është se thotë ndonjë gjë të re Bollanoja, por kur këto përralla i deklaron edhe në faqen zyrtare të bashkisë që drejton, problemi bëhet i mprehtë. Merr trajtën e një qëndrimi zyrtar ndaj dhe meriton një përgjigje zyrtare. Mirëpo, është e çuditshme që në të gjitha ofensivat greke të kohëve të fundit, shteti shqiptar hesht në mënyrë të turpshme. Reagojnë historianët dhe politologët, por shteti dhe politika zyrtare hesht. Kjo do të thotë as më shumë e as më pak por gjunjëzim dhe inferioritet ndaj shovinizmit, që tashmë mund të identifikohet edhe me emrin dhe fytyrën e Bollanos. Ndaj me të drejtë, ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj tha dje i revoltuar se Bollano e ka vendin në burg.

Sabri Godo: “Nuk e vlen të merresh me Bollanon”

Shkrimtari dhe politikani Sabri Godo, tha dje për se, është e kotë të merresh me Bollanon, duke ditur se ai bën një lojë të pastër greke në të gjitha debatet ku ngrihen probleme të mprehta ndëretnike. “Nuk merrem me debatet e një njeriu fjalëkotë që ushqehet me përralla si Bollano”, tha Godo, duke lënë të nënkuptohet se përgjigjen këtij njeriu duhet t’ia japin instancat shtetërore. Sipas politikanit Godo, Bollanoja nuk duhet lejuar të livadhisë më tej mbi interesat tona kombëtare.

At Nikolla Marku “Bollano përfaqëson mendjen dhe duart e planit grek”

Bollano është shndërruar në një grek, në një armik të Shqipërisë. Kështu u shpreh dje për “Telegraf” kleriku i Kishës Ortodokse, At Nikolla Marku. Nuk keni se çfarë të dëgjoni fjalë të mira nga një armik si Bollano, tha At Nikolla Marku. Në venat e Bollanos nuk rrjedh gjak shqiptari dhe ai është mësuar vetëm të mbushë xhepat me para përmes deklaratave të tilla, tha ai. Si Bollano ashtu edhe Anastas Janullatosi janë sytë, duart, mendja e planeve Greke, përfundoi kleriku i shquar ortodoks nga Elbasani.

Sabit Brokaj: “Bollano e ka vendin në burg”

Ish- ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj, u ndje i bezdisur të prononcohej për Kryetarin aktual të Bashkisë së Himarës. Akoma vazhdoni të merreni me Bollanon?- tha ai. Me Bollanon duhet të merret Prokuroria. Ai shkel përditë Kushtetutën dhe ligjet shqiptare. Nuk mund të diskutohet asgjë më për Himarën. Himara është në mes të Shqipërisë. Madje edhe në kohën e planit të Vorio-Epirit, Himara qëndroi jashtë me armë në dorë. Greku edhe atëherë nuk e mori dot. Këto janë deklarata me qëllim që Berisha të lëshojë diku. Përmes kësaj i bëhet presion që ne (grekët) kemi Himarën, ndaj lësho diku. Me Bollanon nuk duhet të merremi as ne, as historianët, por vetëm juristët dhe prokurorët të cilët duhet ta kapin për bythe edhe ta fusin në burg, përfundoi ish-ministri i Mbrojtjes, Dr. Sabit Brokaj.

Bollano: “Himara, prej shekujsh greke dhe autonome”

Jo vetëm tani, por edhe historia e Himarës sipas Vasil Bollanos, flet për një krahinë autonome greke, e cila u ka mbijetuar të gjitha luftërave si të krishterë ortodoksë grekë.

Bashkia e Himarës ka hapur së fundi një faqe on-line në internet ku fillimisht shkruhet “Republika e Shqipërisë” dhe më pas “Bashkia Himarë”, por teksa lexon historikun e Himarës të bie lehtësisht në sy se banorët e saj jo vetëm që janë ndjerë grekë, por kanë krijuar edhe një Konfederatë Autonome. “Tridhjetë e tre fshatra të Himarës me ndërgjegje kombëtare Greke krijuan Konfederatën Autonome të Akroqeravneve, të vetëqeverisur dhe të zhveshur nga çdo lloj takse, të përjashtuar nga thirrja nën armë nga ana e Turqve, me sistemin vendor të drejtësisë dhe me të drejtën e mbajtjes së armëve në të gjithë Epirin. Himara i mbajti këto privilegje me shekuj. Me gjithë këto privilegje dhe autonominë esenciale që fitoi, Himara vazhdoi të luftojë kundër turqve gjatë gjithë kohës së sundimit turk. Nuk ekziston asnjë kryengritje ose luftë në të cilën Himara të mos ketë marrë pjesë”, thuhet në faqen zyrtare të kësaj bashkie kur flitet për historikun. Më poshtë po japim të plotë atë çka shkruhet në faqen zyrtare të Bashkisë së Himarës

“Në vitet 1780, në Himarë vajti Shën Kozmai nga Etolia, që u rekomandoi banorëve të ndërtojnë shkolla dhe jo shumë kisha. Në atë kohë Himara kishte shume kisha (një ose më tepër për çdo shenjtor). Himariotët dëgjuan këshillat e Shën Kozmait dhe ndërtuan shkollën, që mori emër si shkolla Akrokeravnike e Himarës. Më vonë, afër shkollës u ndërtua dhe kisha madhështore e Gjithëshenjtorëve, ku nderohen të gjithë shenjtorët bashkërisht. Në të njëjtën kohë u ndërtuan shkollat në fshatrat Vuno, Dhërmi, Qeparo, Piqerni, Shën Vasili dhe Lëkursi. Pasanikë himarjotë vunë fonde në dispozicion për mirëmbajtjen e shkollave. Më pas, vijnë vitet e sundimit të Ali Pashait në Janinë. Kanë qenë vite të vështira. Ali Pasha përpiqet me të gjitha mënyrat të zaptojë Himarën. Duke e rrethuar, e shtrëngon gjithmonë e më shumë rrethin, zaptoi e shkatërroi fshatra të Himarës, internoi shumë banorë në Sallaora (afër Artës), ndërtoi kështjellën e Panormit mbi gërmadhat e një kështjelle të vjetër dhe ndërtesa të tjera, për të kontrolluar himariotët. Më 1821, shpërtheu kryengritja e madhe greke. Himariotët janë kudo në radhët e para të kësaj kryengritje: Athanasios Himariotis me Ipsilantin në Moldavi, Spiro Spiromilo në Valto, Mesollongji, në Faliro, të tjerë himarjotë si Gjoka, Dhimitriu, Harisis, Nestos, Zaxos, Dhimas, Gorecis, Dhukas, etj., u shquan në këtë luftë. Më 5 Nëntor 1912, Majori Himariot Spiro Spiromilios zbarkoi në Himarë dhe e çliroi atë, në krye të himarjotëve vullnetarë. Pas disa ditësh, ai çliroi gjithë fshatrat. Më 9 Shkurt 1914, himarjotët kundërshtuan planet e fuqive të mëdha për t’i përfshirë brenda kufijve të shtetit shqiptar. Deri në vitin 1921, Himara gjendet në disa stade: autonome, me komandë greke, e zaptuar nga forcat ushtarake italiane dhe përseri autonome. Gjatë Luftës Italo-Greke të viteve 1940-‘41, në krahinën e Himarës u zhvilluan shumë beteja. Me 22 Dhjetor 1940, ushtria greke hyn në Himarë dhe banorët e priten me entuziazëm dhe në mënyrë festive. Më 1945, Himariotët nuk pranuan të marrin pjesë në zgjedhjet për të ligjëruar regjimin e Enver Hoxhës. Atëherë, shumë himarjotë u arrestuan dhe kryetari i kësaj lëvizjeje Andreas Dhimas u varros i gjallë. Ky regjim mbylli shkollat greke, si shkollën e Akroqeravneve dhe u hoqi himarjotëve çdo të drejtë minoritare”.

No Comments

  1. Arjan says:

    Duhet te denohen me burgim te perjetshem te tere tradhetaret e kombit e jo te lihen te lire e te helmojne opinionin pupblik Shqipetar me helenizmin e tyre te pa skrupullt.Si eshte e mundur qe keta njerez lejonen te kene poste te rendesishme ne qeverisjen e vendit!!!!!!!!!!!!!.Deshmi per tradhetine e tyre ka mjaft mjafton te lexoni cfare shkruajne ata vete dhe te degjoni cfare thone ata vete

Leave a Comment

%d bloggers like this: