Greqi, Emigranti nga Shkodra vret për një “Like” në “Facebook”

Historia rrëqethëse e të riut nga Velipoja që tani ndodhet në duart e policisë

Një i ri shqiptar vetëm 26 vjeç, nga Velipoja e Shkodrës, ka rënë në prangat e policisë një vit pasi i shtyrë nga pasioni ekstrem për “Facebook”, ka arritur të vrasë vetëm për një “Like”. Ai është munduar për një kohë të gjatë t’i fshihet policisë, por dje ata e kanë vënë në pranga. Për të realizuar maskimin e tij, shqiptari ka hapur një tjetër faqe në “Facebook”, por policia e ka pikasur. Ka qenë qëndrimi online në rrjetin social, një mani e moshave të reja, ai që ka sjellë dhe fundin e hidhur për të riun, i cili tashmë ka përfunduar në qeli, si i dyshuar se ka kryer një krim të rëndë. Policia greke ka publikuar historinë, duke dhënë edhe gjeneralitetet e të riut shqiptar që njihet tashmë si Nikolin M., një 26-vjeçar nga Velipoja e Shkodrës.

Policia greke ka thënë se më 8 maj 2010, ai i mori jetën shtetasit grek Apostolos K. Madje hetuesit grekë thonë se kanë zbuluar të gjithë skemën e ngjarjes, e cila ka qenë e veshur me mister, duke arritur të vërë në pranga edhe autorin e dyshuar të ngjarjes. I riu u zbulua nga policia, pasi një skuadër speciale e krimit teknologjik dhe antikrimit u mor gjatë me lëvizjet në “Facebook” të të dyshuarit. Policia greke zyrtarisht ka thënë se i riu “u peshkua” nga investigimi që u bëhej kohët e fundit faqeve në “Facebook”, të afërmve, miqve dhe të njohurve të tjerë të viktimës. Por sigurisht, si karrem u përdorën edhe faqe të rreme që u hapën nga agjentët policorë, duke u shtirë si të afërm apo miq të viktimës dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje. Krimi ishte i nisur vetëm nga një “Like”, që Apostoli i kishte bërë një vajze shqiptare, Ela Vulaj, në faqen e saj në “Facebook”. Kjo e kishte “tërbuar” aq shumë Nikolinin sa i punonte mendja vetëm për shpagim. Sipas policisë, që e ka hetuar për më shumë se një vit ngjarjen, vrasja e shëmtuar ka ndodhur mbrëmjen e 8 majit 2010. Apostol K. 30 vjeçar, mbeti i vrarë në afërsi të Ajiamarinës, vend bregdetar në rrugën Athinë-Sunio. Ai u gjet i vdekur në parkingun e një klubi nate. I ndjeri ishte qëlluar në kokë me tre plumba, brenda makinës së tij. Viktima para se të vritej punonte në një kompani produktesh kozmetike dhe ushqimore kurse më herët në zyrën e një avokati në Athinë.

Gjatë 24 orëve të para të pas vrasjes, policia e Departamentit të Krimeve Kundër Jetës nuk kishte asnjë të dhënë lidhur me motivin dhe autorët e krimit misterioz. Gjithçka ka filluar kur një kushërirë e afërt e 30-vjeçarit grek hapi kompjuterin e tij dhe pa se ai kishte të ruajtur automatikisht fjalëkalimin hyrës të faqes së tij në “Facebook”. Aty konstatoi se pak orë para se të vritej, Apostoli kishte marrë një mesazh në “Facebook”, mesazh që gjendej në murin e tij, nga një e re, kolege e tij e punës, emigrante bullgare. Por këtë mesazh s’kishte arritur ta lexonte pasi orët që i paraprinë ekzekutimit nuk e kishte hapur “Facebook”-un e tij. “Doja të të thosha se ajo vajza, Ela, për të cilën të pyeta, jam e sigurt se është Niko. Dhe doja të të thosha që të mos takohesh me të edhe pse mund të duash ta takosh”. Kushërira e të ndjerit informoi policinë për këtë mesazh dhe agjentët nisën investigimin duke marrë nën kontroll faqen personale të Apostolit në “Facebook”. Bullgarja u mor në pyetje dhe nisi zbardhja e historisë.

Leave a Comment

%d bloggers like this: