Goditet trajneri i Tiranës, Nevil Dede nga kryetari i bashkise se Kavajes (Video)

Një tjetër skandal në futbollin shqiptar. Trajneri i ekipit të Tiranës Nevil Dede ka deklaruar për Top Channel se është qëlluar në pushim të ndeshjes Besa – Tirana në korridorin e dhomave të zhveshjes nga kryetari i Bashkësë së Kavajës dhe një person tjetër.

“Në atë moment po hyja në tunel për të shkuar tek dhomat e zhveshjes. Në momentin që kthehem pa arritur tek dhomat e zhveshjes, një grup prej 10-12 vetash, erdhi i pari kryetari i Bashkisë, goditi, pastaj goditi një tjetër, ndërsa pjesa tjetër shanin dhe kërcënonin”, deklaroi në telefon për Top Channel Nevil Dede.

Kryetari i Bashkisë Kavajë, Elvis Roshi ka deklaruar se situata është acaruar pas ofendimeve të trajnerit të Tiranës, Dede në adresë të tifozerisë së Kavajës, por ka mohuar thëniet e teknikut bardheblu.

“Nuk ka patur fare, nuk e kam kërcënuar dhe s’kam pse e kërcënoj”, deklaroi kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi.

Por trajneri bardheblu, Nevil Dede hodhi poshtë këto pretendime duke deklaruar se nuk ka drejtuar asnjë ofendim kundër tifozerisë vendase.

Menjëherë pas pushimit të ndeshjes, që përfundoi 2-1 me fitoren e kavajasve, trajneri i Tiranës ka bërë një kallëzim penal për kryebashkiakun e këtij qyteti.

“Unë mbroj Tiranën dhe bëra kallëzim penal, përfaqësoj investimin dhe imazhin e këtij klubi, nuk ka të drejtë askush që të nëpërkëmbë imazhin e klubit”, tha Dede.

Kjo është hera e dytë brenda këtyre dy ditëve që kryetarët e bashkive bëhen pjesë e lajmeve të dhunës në futboll. Një ditë më parë në fund të ndeshjes Gramshi – Mamurrasi, e vlefshme për Kategorinë e Parë, kryetari i Bashkisë së Gramshit, Dritan Bici është futur me makinë në fushë duke shkallmuar portat e stadiumit dhe duke rrezikuar jetën e policëve.

Avokati i Roshit: S’me lejojnë të takohem me të

Avokati i Elvis Roshit, Plarent Ndreca ka akuzuar uniformat blu se nuk po e lejojnë të takohet me klientin e tij. Ai tha se Roshi po mbahet i izoluar dhe përvec avokatit nuk janë lejuar të takohen me të as familjarët e tij.

Zoti Ndreca e denoncoi këtë si shkelje të të drejtave të qytetarëve dhe i bëri thirrje Prokurorit të Përgjithshëm dhe Avokatit të Popullit të Ndërhyjnë.

“Kryetari i bashkisë është i izoluar. Nuk ka komunikim as me avokatin e tij. I bëj thirrje Prokurorit të Përgjithshëm që të marrë situatën në dorë dhe të shfuqizojë cdo akt të paligjshëm që sot mund të vendosë Policia e Shtetit. I bëj thirrje edhe Avokatit të Popullit që të dërgojë një përfaqësue të tij”, deklaroi Ndreca.

Protesta para komisariatit

Pas denoncimit të trajnerit të Tiranës, kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi është shoqëruar në ambientet e komisariatit të qytetit për t’u marrë në pyetje.

Arrestimi i tij provokoi protesta të qytetarëve kavajas para dyerve të komisaritatit. Dhjetra prej tyre kërkuan lirimin e menjëhershëm të tij. Për të shpërndarë turmën është janë aktivizuar forcat speciale RENEA.

Katër mjete të nisura nga Tirana të këtyre forcave kanë mbërritur në orët e mbrëmjes në Kavajë. Protestuesit pretendojnë se është ushtruar dhunë ndaj tyre nga forcat speciale gjatë shpërndarjes. Për të shmangur incidentet, policia ka urdhëruar transferimin e kryebashkiakut Elvis Roshi  drejt Tiranës.

Leave a Comment

%d bloggers like this: