Godelli: Tani dua një vend në Olimpiadë

Peshëngritësi peqinas shpreh emocionet e medaljes së bronzit në Europian dhe synon një biletë për “Londër 2012″

Peshëngritja tregoi edhe një herë se nuk ka konkurrentë nga sportet e tjera në Shqipëri, të paktën ta sfidojë për numrin e medaljeve të grumbulluara në arenën ndërkombëtare. Suksesi i fundit ka ardhur në Kampionatin Europian të të Rriturve, i zhvilluar pak ditë më parë në Rusi.

Shqipëria u përfaqësua me katër shtangistë dhe arriti të dalë me 3 medalje: 1 argjendi dhe 2 bronzi. Peshëngritësi peqinas Daniel Godelli u pozicionua në vendin e tretë, duke fituar medaljen e bronzit në stilin e shtytjes dhe në dygarësh.

Rezultatet tij në vitet e fundit kanë ardhur në rritje, duke premtuar për një pjesëmarrje të mundshme në Olimpiadën e 2012-s, në Londër.

– Daniel, a jeni i kënaqur me vendin e tretë në këtë Europian dhe fitimi i dy medaljeve të bronzit?

– Kampionati europian i zhvilluar në Rusi ishte shumë i fortë, sepse kishte shumë peshëngritës pretendentë për të zënë vendet e para në renditje. Jam shumë i kënaqur që zhvillova një garë të mirë, duke u pozicionuar i treti në shtytje e dygarësh.

Nuk do të ishte e çuditshme nëse do të kisha fituar medaljen e argjendit, sepse isha përgatitur maksimalisht. Megjithatë, duke parë konkurrencën dhe rrjedhën që mori gara, medalja e bronzit ishte një triumf për mua.

– Gjatë garës keni pësuar edhe një dëmtim. A ju pengoi kjo në rezultatet tuaja në garë?

– Po, është shumë e vërtetë që pësova një dëmtim në bërryl. Gjithsesi, falë Zotit ia dola mbanë, duke mos rrezikuar garën dhe të marr medalje. Pas ekzaminimit nga sfafi mjeksor, rezultoi që dëmtimi nuk është shumë i rëndë dhe nuk përbën rrezik. Mendoj se shumë shpejt do të rikthehem në kondicionon e plotë fizik.

– A jeni i kënaqur me trajtimin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes pas këtyre rezultateve dhe si janë kushtet ku stërviteni?

– Për sa i përket trajtimit nga FSHP-ja dhe shteti, pas këtij rezultati, nuk dëshiroj të flas. Ndërsa kushtet ku stërvitem nuk janë shumë komode, sepse stadiumi së shpejti do të përfshihet nga rikonstruksioni. Shpresoj që shumë shpejt të kemi një palestër të re, sepse terreni është çelsi i suksesit për një sportist.


– Cilat janë objektivat në vazhdim, pas Kampionatit Europian, për Daniel Godellin?

– Pas Kampionatit Europian të zhvilluar në Rusi do të zhvillohet botërori në Francë. Ky aktivitet ka një specifikë të veçantë, sepse përcakton sportistët që do të presin biletën për në Olimpiadën e 2012-s në Londër.

Ndaj, objektivi im është që të realizoj një garë perfekte, për të siguruar biletën për në Lojërat Olimpike. Pjesëmarrja në një aktivitet të tillë si Olimpiada është ëndërr e çdo sportisti.

Leave a Comment

%d bloggers like this: