Godelli kampion i Europës,

Peshëngritësi shqiptar Daniel Godelli, i pari në shkëputje në Europianin e të rinjve, por dëmtohet në provën e parë të stilit të shtytjes, duke mos u renditur në dygarësh. Ndërsa Briken Calja merr 3 medalje bronzi në Europianin U-23

Peshëngritësi i ri shqiptar Daniel Godelli është shpallur dje kampion i Europës në stilin e shkëputjes, në peshën 69kg, në garat e kampionatit europian për të rinj dhe U-23, që është duke u zhvilluar në Bukuresht të Rumanisë. Talenti i shtangës shqiptare ka bërë një paraqitje të mirë dje në gjysmën e parë të garës dhe kishte nisur edhe stilin e dytë, por është dëmtuar sërish në krah, duke u detyruar të lërë para kohe garën.

Për pasojë, ai nuk renditet në stilin e shtytjes dhe dygarësh, por gjithsesi ai i dhuroi një tjetër medalje të artë Shqipërisë, vetëm pak kohë pas medaljes së artë në kampionatin botëror për të rinj, që u zhvillua në Malajzi. Me medalje ka dalë nga Europiani i Bukureshtit edhe peshëngritësi Briken Calja, që në peshën 69kg të kategorisë U-23, ka marrë 3 medalje bronzi (në shkëputje, shtytje dhe dygarësh).

Këto janë medaljet e para të Shqipërisë në këtë turne europian, ndërkohë që në pedanë pritet të ngjiten edhe disa shtangistë të rinj të tjerë kuqezinj në ditët e ardhshme. Hysen Pulaku dhe Endri Karina janë shtangistët e tjerë shqiptarë që do të garojnë në kampionatin europian të moshave.

Godelli Në stilin e shkëputjes, shtangisti nga Elbasani e ka nisur konkurrimin me 139kg, provë që e ka kaluar me sukses. Më pas, ai synon 141kg, por nuk ia del mbanë, peshë të cilën e ngre në tentativën e tretë, duke siguruar medaljen e artë në këtë disiplinë (me 140kg u renditën dy peshëngritës të tjerë).

Më pas nis gara në stilin e shtytjes, dhe Godelli ngjitet në pedanë për të ngritur në provën e parë 166kg. pasi e ngre shtangën në supe, ai e shtyn atë lart e në këto moment ai dëmtohet në krah, duke u detyruar të hedhë shtangën e të lërë në mes garën, duke mos dhënë asnjë rezultat në stilin e dytë dhe për pasojë as në dygarësh, ndonëse ishte pretendent për medalje të artë.

Mësohet se Godelli vendosi të mos garojë më, për të mos e dëmtuar edhe më shumë krahun, pasi në prag janë garat e kampionatit botëror për të rritur, të cilat janë edhe kualifikuese për në Lojërat Olimpike “Londër 2012”. Kjo nuk është hera e parë që peshëngritësi i ri shqiptar dëmtohet këtë vit, dëmtim që e ka kushtëzuar shpesh në paraqitjet e tij, ndonëse ato kanë qenë shumë të mira dhe me medalje.

Calja Mjaft mirë është paraqitur edhe peshëngritësi Briken Calja, që garoi po në peshën 69kg, por në Europianin U-23. Në stilin e shkëputjes, Calja ka realizuar vetëm një provë. Herën e parë, ai ka dështuar të ngrejë 140kg, por në përpjekjen e dytë ngre 1kg, më shumë, 141kg. Calja tenton edhe 145kg në provën e tretë, por nuk ia del mbanë, duke u renditur i treti në këtë stil, pas dy peshëngritësve rusë.

Në stilin e shtytjes, Calja e nis menjëherë mbarë, duke ngritur 170kg që në provën e parë, por dështon në provën e dytë për të ngritur 174kg. Calja nuk arrin të ngrejë 174kg as në provën e tretë, duke e mbyllur kështu më 170kg aventurën e tij në shtytje, duke marrë një tjetër medalje bronzi. Në total, Briken Calja ngre 311kg në dygarësh, duke u renditur sërish i treti, pas dy peshëngritësve rusë, duke marrë edhe një medalje të tretë bronzi në Europian.

Leave a Comment

%d bloggers like this: