Gjumashi Robinjo. Fle gjithnjë, por jo në fushë

Braziliani që nuk po përshtatet akoma me ndryshimin e orarit është mes milanistëve më në formë. Dhe Alegri ka dyshimet e tij për sulmin

 

Përgatiti: Josif GJOSHE

 

Ai fle shumë, por asnjëherë gjatë stërvitjes. Të martën, Robinjo ka qenë i fundit që ka mbërritur në “Olympic Sports Centre”, aty ku Milani është duke punuar gjatë këtyre ditëve.

Ndoshta ende nuk është ambientuar me ndryshimin e orës dhe me siguri e kishte tepruar me gjumin e pasdites. Gjithsesi ai nuk pushon kurrë kur bëhet fjalë për stërvitjen: nuk e ka bërë as në sezonin e kaluar, as gjatë këtyre ditëve.

Në Mynih, Robinjo u shfaq menjëherë në një formë të mirë, i shkëlqyer dhe energjik. E të mendosh që ai dhe amerikano-jugorët e tjerë kanë qenë më shumë të goditur nga zhgënjimi në Kupën e Amerikës dhe nga lodhja e gjatë që u shkaktoi ai kompeticion. Nëse Robinjo ka mes këmbëve një top, atëherë s’ka asgjë që ta ndalojë.

Duartrokitje – Robinjo ka vrapuar shumë, ndoshta për t’u shfajësuar për vonesën. Vitin e kaluar ai shkoi një ditë me vonesë në grumbullimin e Dubait, ndërkohë që edhe në janar, në Bavari, ai ishte i fundit që mbërriti në hotel.

Në fushë ai duket më pak i lodhur se amerikano-jugorët e tjerë edhe pse Alegri ka pranuar se të gjithë ata do jenë në gjendje të luajnë në derbi.

“I kemi sjellë këtu pasi nuk do ishte mirë për tifozët kinezë të mos shihnin dhe admironin Tiago Silvën,”- u është përgjigjur me shaka trajneri gazetarëve kinezë, të cilët e kanë pyetur se si ka mundësi që ai nuk ka pasur asnjëherë dyshime për përfshirjen e amerikano-jugorëve, në kundërshtim me trajnerin e Interit Gasperini. “Ata lojtarë ndihen mirë dhe mund të luajnë,”- ka shtuar më tej italiani.

Ai që duket më brilant është Robinjo, ai është një nga lojtarët më të njohur të Milanit në Kinë, ndërkohë që të mërkurën është brohoritur nga tifozët e pranishëm në tribunë. Duke parë kushtet e tij fizike, Alegri do ta ketë të vështirë për të mos e përfshirë në këtë ndeshje.

Gjithsesi dyshimi për teknikun mbetet i njëjtë: ta nisë lojën me shpejtësi përmes dy brazilianëve dhe Ibrahimoviçit apo ta mbajë Robinjon në pankinë pasi është ndër lojtarët e pakët që mund ta ndryshojë rrjedhën e lojës më vonë? Dilemë filozofike për një trajner futbolli: Ta ruaj një “as” nën mëngë, apo t’i luajë të gjitha kartat pa pasur nevojë për rezerva.

Zgjedhje – Fakti qëndron se Robinjo duket në gjendje për ta vënë në vështirësi Alegrin: Boateng nuk është akoma në formën e tij optimale, ndërkohë që Pato nuk duket se po gëzon të njëjtat kushte si shokët e tij të sulmit, Zlatan dhe Robinjo.

Gjithçka do varet nga zgjedhjet teknike të Alegrit, i cili me shumë mundësi do të marrë në konsideratë strukturën më të re që Gasperini ka ndërtuar tek Interi. Nëse Robinjo do të vazhdojë të bëjë një lojë të shpejtë njësoj sikurse bën edhe në stërvitje, atëherë Alegri do ketë një arsye më shumë për ta aktivizuar.

Ditën e djeshme skuadra ka zhvilluar vetëm një seancë stërvitore “Nuk është një klimë e padurueshme, – ka thënë Klarens Sedorf. – Kemi parë edhe më keq, në 2003-in në Nju Jork ku i nxehti dhe lagështira ishin të padurueshëm”.

 

 

Dyshimi

Pato apo Robinjo? Alegri nuk e ka vendosur!

 

Formacioni? Sigurisht që kam menduar, por nuk e kam vendosur akoma”. Një ditë para sfidës së Superkupës kundër Interit, Alegri nuk i ka zgjidhur akoma dyshimet mbi cilin mes Patos dhe Robinjos do të aktivizojë në sulm në krah të Ibrahimoviçit: “Disa lojtrë ankohen, sepse nuk arrijnë të flenë dhe nuk janë përshtatur akoma me ndryshimin e orarit, porn ë përgjithësi nuk është se janë shfaqur probleme të mëdha”. – tha trajneri i kuqezinjve.

 

Mbrojtësi

Abate rekuperohet, gati për finalen

 

Stërvitja e Milanit në Pekin ka filluar në orën 18:00 (12:00 me orën tonë). Lajmi i ditës së djeshme ka qenë rikthimi në skuadër i Injacio Abates, i cili është stërvitur me pjesën tjetër të grupit. Lojtari është rikuperuar tërësisht nga gjendja gripale e disa ditëve më parë. Seanca e djeshme ka qenë veçse një shkarkim energjish pas asaj stërvitje të dyfishtë që tekniku u bëri dy ditë më parë. Pas 20 minutash vrap dhe 10 minutash mbajtje topi, u organizua një ndeshje me kohë të reduktuar

 

Sporti Shqiptar Online

Leave a Comment

%d bloggers like this: