Gjoka: Pres një Apoloni më të sigurt në vazhdim

Trajneri i fierakëve, Ernest Gjoka, është i kënaqur me 4 pikët, por ka ende shumë kërkesa për të tijtë

Pasi ka përfunduar java e dytë e kampionatit të kategorisë së parë, Apolonia ka mundësinë të bilancojë se çfarë ka arritur, por njëherësh të nxjerrë edhe mësime nga gabimet e vëna re gjatë ndeshjes me Bilisht Sportin. Fierakët kanë finalizuar si jo më mirë një ndeshje, që e kanë nisur keq përballë tifozërisë së tyre. Jo vetëm që ka fituar, por Apolonia ka shënuar edhe 5 gola, duke dëshmuar mundësitë e saj reale.

Bardhejeshilët kanë përmbysur dy herë disavantazhin e krijuar nga skuadra mike dhe në pjesën e dytë bilishtarët janë vënë përballë kualitetit real që kanë fierakët. Katër pikë në dy javë, një në transfertën e Lezhës dhe tri të tjera në shtëpi, shoqëruar me 6 gola të shënuar, është starti i duhur për skuadrën e drejtuar nga trajneri Gjoka. Gjithsesi, numri 1 i stolit të Apolonisë nuk është maksimalisht i kënaqur me lojën e të tijve.

Shkas për këtë ka qenë loja e zhvilluar nga bardhejeshilët në pjesën e parë dhe gati 20 minutat e fillimit të pjesës së dytë. Si një kërkues i rreptë në lidhje me zbatimin e skemave taktike, trajneri Gjoka këmbëngul që futbollistët të jenë më të përpiktë në fushë dhe të ingranohen me ritmin e lojës më herët. Megjithatë, nuk duhet harruar se janë dy javët e para dhe skuadra ka kohë në dispozicion t’i lërë pas mangësitë e vëna re në ndeshjet me lezhjanët dhe bilishtarët.

Dhe të gjitha këto duhen bërë sa më shpejt, pasi Gramozi, një skuadër që vjen nga i njëjti kompeticion superior si dhe Apolonia, pretendon të jetë një kundërshtar edhe më i vështirë se sa Bilisht Sporti. “Mendoj se e kemi nisur mirë. Katër pikë në dy ndeshje, njëra prej tyre në transfertë, me një kundërshtar të fortë, janë hapi i duhur për skuadrën tonë.

Megjithatë, nga ndeshjet e kaluara na intereson që të nxjerrim mësime në lidhje me gabimet që kemi bërë. Na duhet të evitojmë mangësitë, në mënyrë që të ecim më me bindje dhe me hapa të sigurt drejt objektivit tonë. Nuk duhet të “fluturojmë” nga një fitore me Bilisht Sportin, me çfarëdo shifrash qoftë ajo. Dy javë janë fare pak dhe pa peshë në gjatësinë që ka kampionati. Asnjë shenjë egoizmi, asnjë nënvlerësim i kundërshtarit, asnjë tolerim.

Tani ne jemi përqendruar në ndeshjen me Gramozin, një tjetër ekip që kërkon rikthimin në superligë, ashtu si edhe ne. Le t’i lëmë pas deklaratat dhe të gatitemi që Gramozit t’i bëjmë pritjen e duhur. Në këtë takim, skuadra duhet të jetë më kompakte dhe më ritmike, duke qenë e karikuar qysh në fillimin e ndeshjes. Mendoj se jemi në rrugën e duhur, por kjo është e pamjaftueshme. Duhet derdhur shumë djersë që të realizojmë kampionatin e duhur,” është shprehur trajneri i Apolonisë, Ernest Gjoka.



http://www.sportishqiptar.com.al/gjoka-pres-nje-apoloni-me-te-sigurt-ne-vazhdim/

Leave a Comment

%d bloggers like this: