Gjendet i djegur te Liqeni 20-vjeçari

Trupi i një 20-vjeçari është gjetur i djegur mëngjesin e djeshëm te parku i Liqenit Artificial në Tiranë. I riu, trupi i të cilit ishte i djegur në masën 80 për qind, u identifikua disa orë më vonë nga familjarët, pasi nuk iu gjet asnjë dokument, duke qenë se ishin djegur bashkë me rrobat. Policisë i janë dashur disa orë për të zbuluar identitetin e viktimës, me ndihmën e një karte celulari, tek i cili kanë gjetur numrat e të afërmve të tij. Familjarët e tij, të lajmëruar fillimisht për një aksident, kanë mundur ra identifikojnë në Morgun e Tiranës, pasi kanë njohur disa pjesë rrobash që kishin mbetur në padjegura në trup. Sipas burimeve nga Policia, personi që u gjet i djegur mëngjesin e djeshëm, është 20-vjeçari Urim Troci, i cili punonte në një lavazh pranë Qytetit Studenti, vetëm disa metra larg vendit ku u gjet kufoma e tij. Ka qenë nëna e tij, Fatmira, ajo që ka arritur ta njohë të birin, edhe pse kufoma ishte e djegur pothuajse totalisht. Ndërsa pas identifikimit, hetimet në lidhjen me ngjarjen i kanë marrë në dorë oficerët e Krimeve të Rënda të Policisë së Tiranës. Gjatë verifikimit të emrit të tij në arkivat e policisë është zbuluar se Urim Troci është shoqëruar disa herë për verifikim, pasi rezultonte të ishte përdorues droge.

NGJARJA

Kanë qenë kalimtarët e rastit, persona që vraponin mëngjesin e djeshëm te Liqeni Artificial, ata që kanë parë të parët kufomën e 20- vjeçarit dhe menjëherë kanë lajmëruar policinë. Drejt vendit të ngjarjes kanë shkuar menjëherë forcat e policisë së Komisariatit Nr.1, të cilët kanë kryer veprimet e para hetimore dhe kanë lajmëruar një ambulancë të morgut për të transportuar kufomën e djegur. Burimet sqaruan se trupi i pajetë i të riut u gjet pranë një zjarri që ishte shuar gjatë natës dhe dyshohet se djegia e tij ka ndodhur gjatë natës. Pjesa më e madhe e rrobave që kishte veshur viktima ishin djegur nga zjarri dhe bashkë me to edhe ndonjë dokument identifikimi që ai mund të kishte pasur me vete. Pranë tij është gjetur vetëm një kartë SIM celulari, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, por edhe si e vetmja mundësi për ta identifikuar. Nga verifikimet e para që kanë kryer oficerët e policisë para transportimit të tij në morg, kanë mundur të përcaktojnë faktin që ai ishte i seksit mashkull, por edhe që ishte në moshë të re, duke u nisur nga gjymtyrët që kishin mbetur të padjegura. Ndërsa sipas policisë, fytyra ishte e shkrumbuar dhe nuk dallohej asnjë lloj tipari dallues. Lidhur me hetimin e ngjarjes, burimet sqaruan se po punohet në dy drejtime. Sipas ekspertëve, ende nuk është përcaktuar nëse është aksidentale apo vetëdjegie.

IDENTIFIKIMI

Në kartën SIM që është gjetur pranë kufomës, policia ka zbuluar disa numra dhe numri më i sigurt që mund t’i përkiste familjes, ka qenë një numër i regjistruar me emrin “Shtëpia ime”. Policia ka telefonuar në këtë numër, i cili rezultonte të ishte i dajës së viktimës, i cili banon në Kukës. Personit që është përgjigjur në telefon i është komunikuar se një person, i cili kishte shënuar këtë numër me emrin “Shtëpia ime”, kishte pësuar një aksident. Daja i të riut menjëherë e ka kuptuar se për kë bëhej fjalë, pasi Urim Troci kishte qëndruar për shumë kohë në shtëpinë e tij në Kukës dhe numrin e telefonit fiks e kishte regjistruar me një emër të tillë. Në këtë formë janë lajmëruar edhe familjarët e tjerë të të riut. Personi që ka mundur ta identifikojë atë në morg ka qenë nëna e tij, Fatmira Troci.

“Urimi, 2 ditë pa ardhur në shtëpi” Daja i viktimës: Djalin mund ta kenë grabitur

Ndryshe nga policia, që po heton në dy drejtime, atë të djegies aksidentale apo vetëdjegies, daja i Urim Trocit ngre edhe një dyshim tjetër, atë të një vrasjeje të mundshme gjatë grabitjes. Dalip Tota, daja i Urim Trocit, i cili u gjet i djegur dje te Liqeni Artificial, dyshon se nipin e tij mund ta kenë grabitur teksa flinte pranë zjarrit dhe më pas e kanë shtyrë duke e djegur. “Policia tha që nuk e ka gjetur celularin e tij, por vetëm një kartë telefoni dhe asgjë tjetër personale. Kjo do të thotë që dikush e ka grabitur atë teksa flinte pranë zjarrit”, shprehet daja i viktimës në një prononcim për gazetën “Panorama”. Ndërsa faktin se përse Urim Troci po flinte pranë zjarrit dhe jo në shtëpinë e tij, ai e shpjegon: “Nipi im punonte në një lavash pranë Qytetit Studenti. Herë pas herë ai mbaronte punë shumë vonë dhe nuk gjente makinë që të kthehej në shtëpi. Edhe një natë para ngjarjes ai nuk ishte kthyer, por kishte lajmëruar që do të flinte te një shok. Ndërsa natën që ka ndodhur ngjarja, siç duket, ka preferuar që të mos shqetësojë njeri dhe ka ndezur një zjarr te pylli i Liqenit Artificial, që ishte pranë punës së tij dhe ka fjetur aty”, shpjegon daja i viktimës. Dalip Tota tregon se Urimi nuk i kishte sjellë ndonjëherë shqetësime familjes së tij, përkundrazi, ishte munduar që t’i ndihmonte sadopak ekonomikisht duke punuar te lavazhi, pasi i ati ishte i sëmurë dhe nuk mund të punonte. “Askush nga ne nuk e merr dot iniciativën që t’i tregojë babait të tij se çfarë ka ndodhur. Ai është sëmurë dhe i moshuar, ndaj kemi frikë se do të tronditet shumë për këtë ngjarje dhe mund të ketë pasoja edhe vete”, u shpreh pasditen e djeshme daja i 20-vjeçarit.

ETLEVA DELIA

Panorama ONLINE

Leave a Comment

%d bloggers like this: