“Gafë” e Reinas, Arsenali barazon në Liverpul

“Topçinjtë” shpëtojnë nga humbja “in extremis”. Xho Kol dhe Koscielni debutojnë me karton të kuq

“Gafa” e portierit të Liverpulit, Pepe Reina, i dhuroi Arsenalit barazimin 1-1 në fushën e Liverpulit, pasi vendasit ia kishin dalë mbanë të ruanin epërsinë për 45 minuta me dhjetë lojtarë, pas daljes me karton të kuq të Xho Kolit. Blerja e re e Liverpulit, Kol, mori karton të kuq disa sekonda para se të mbaronte pjesa e parë, për shkak të një ndërhyrjeje ndaj Lorent Koscielnit, por gjuajtja e David Ngogut u duk se do t’i jepte Roi Hodgsonit tri pikët e para në ndeshjen e tij të parë në Premier Ligë me Liverpulin.

Megjithatë, në minutën e fundit, portieri i Liverpulit, Reina, së pari ngatërron gjithçka, pas një krosi në zonë, dhe në fund e kalon topin përtej vijës fatale, pasi topi ishte përplasur në shtyllë. Në pjesën e parë rastet ishin të pakta, ku u shqua pritja e Reinas pas gjuajtjes së lirë të Tomas Vermaelenit dhe Milan Jovanoviç gjuan jashtë kuadratit.

Ndeshja u nxeh në minutat e fundit të pjesës së parë dhe në fillim të pjesës së dytë, kur gjuajtja me kokë e Ngog u pastrua nga vija fatale nga Gael Klishi, pasi depërtimi i Glen Xhonsonit u ndërpre nga Manuel Almunia. Në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, Kol mori karton të kuq nga arbitri Martin Atkinson, sepse ndërhyri keq ndaj debutuesit të Arsenalit, Koscielni. Në vend që Liverpuli të tërhiqej në pjesën e dytë, sepse ishte me dhjetë lojtarë, skuadra vendase doli në sulm dhe kaloi në epërsi në minutën e 47-të, kur Ngog e dërgoi topin në trekëndësh pas pasimit të Havier Maskeranos.

Arsenali bëri gjithçka që mundi për t’u kthyer në lojë falë epërsisë numerike, dhe u duk se ata do të dështonin në marrjen e një barazimi, pasi gjuajtja e Tomas Rozickit u grushtua nga Reina.
Por, në minutën e fundit, Reina nuk reagoi si duhet pas një krosimi në zonën e rreptësisë. Pasi topi u përplas te Maruan Shamakh dhe te shtylla, ishte portieri i Liverpulit që e futi në portën e tij.

Stiven Xherrard testoi Almunian me një gjuajtje të lirë para se Koscielni të imitonte Xho Kolin dhe të merrte kartonin e kuq në debutimin e tij në Premier Ligë, pasi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për një prekje me dorë të topit. Njeriu i ndeshjes dje ishte Havier Maskerano, i cili dhuroi një performancë të jashtëzakonshme në mesfushë dhe dha asistin për David Ngog.



http://www.sportishqiptar.com.al/gafe-e-reinas-arsenali-barazon-ne-liverpul/

Leave a Comment

%d bloggers like this: