Fundjava zbardh listën e futbollistëve të Gramozit

Trajneri Qirjako do të vendosë se cilët nga të ardhurit në pronë do të mbajë, ndërkohë që pret një sulmues me përvojë

 

Nga Kristi Lilo

 

Edhe kjo javë ka qenë tepër e ngarkuar për kolonjarët, veçanërisht për stafin stafin teknik, që duhet të njohë çdo futbollist përpara se të bëjë përzgjedhjen përfundimtare.

Për këtë arsye, në stërvitje dhe në ndeshjet miqësore, trajneri Ilir Qirjako është munduar të evidentojë vlerat e secilit prej futbollistëve të ardhur.

Plot 30 futbollistë i janë nënshtruar dje një testi të lodhshëm të trajnerit kolonjar. Ka qenë një test rezistence, me vrapime nga 100–2300 metra, ndërsa pasdite është luajtur një ndeshje kontrolli në stadium. Tashmë duket se numri 1 i stolit të Gramozit e ka gati listën e futbollistëve që do të ketë në dispozicion për sezonin e ri.

Ndërkohë, deri në fund të javës pritet të vijë një sulmues cilësor, aq shumë i dëshiruar jo vetëm nga stafi teknik, por edhe nga sportdashësit kolonjarë, pasi Gramozi ka vuajtur shumë në sulm edhe sezonin që shkoi.

Gati lista – Ata që duket se e kanë të sigurt qëndrimin në Ersekë janë Dervishi, Celikja, Fasko, Hysolli, Musabelliu, Lame, Omeraj, Muçaj dhe Çuçllari.

Të gjithë këta pritet që të firmosin kontratën përkatëse me Gramozin. Gjithsesi, siç e ka deklaruar shpesh më parë, trajneri Qirjako u ka dhënë hapësirën e nevojshme të rinjve vendës.

Përfshirja në ekip e dy vëllezërve Mydini, me një moshë fare të re, është cilësuar prej tij një investim për të ardhmen e Gramozit. Gjatë javëve të fundit kanë ardhur për t’u provuar te Gramozi shumë futbollistë, duke e çuar deri në më shumë se 40 numrin në stërvitje.

Madje shumë kanë ardhur nga Greqia, nga kategoritë inferiore të saj. Fundi i javës do të zbardhë listën e Gramozit të ri dhe shumë nga të ardhurit do të marrin përgjigje nga trajneri Ilir Qirjako.

 

Sporti Shqiptar Online

Leave a Comment

%d bloggers like this: