Francë, “gjyq” për turpin e Botërorit ndëshkohen futbollistët

PARIS-Federata Franceze ka dënuar futbollistët rebelë të Kupës së Botës, duke dhënë pezullime tepër të rënda për Anelka, Evra dhe Riberi. Lojtarët janë marrë në pyetje për sjelljen e tyre në Botëror, ku ata u kthyen në qesharakë duke bojkotuar stërvitjen.

Komisioni Disiplinor i Federatës Franceze ka vendosur të skualifikojë për 18 ndeshje të kombëtares sulmuesin Nikolas Anelka, për sjelljen e tij gjatë Botërorit të Afrikës së Jugut. Pas një mbledhjeje të gjatë të zhvilluar ditën e martë, ku janë dëgjuar disa nga pjestarët kryesorë të ekipit francez në Kupën e Botës, Federata ka vendosur të ndëshkojë të gjithë rebelët që bojkotuan stërvitjen dhe dolën kundër trajnerit. Por, Anelka nuk ishte i vetmi i dënuar. Kapiteni Patris Evra është skualifikuar për 5 ndeshje nga kombëtarja, ndërsa zëvendës kapiteni Frenk Riberi 3 ndeshje. Një ndeshje është pezulluar Zheremi Tulalan, ndërsa i ka shpëtuar dënimit Erik Abidal. Kombëtarja franceze u kthye në qesharake gjatë Kupës së Botës. Në pushimin e ndeshjes me Meksikën, Nikolas Anelka shau rëndë trajnerin Rajmond Domenek dhe fjalët e tij u publikuan në media të pacensuruara. Sulmuesi u pezullua dhe kjo çoi në një kryengritje të futbollistëve të tjerë, të cilët bojkotuan stërvitjen. Kjo situatë çoi deri në ndërhyrjen e presidentit Nikola Sarkozi, i cili ngriti edhe një Komision Parlamentar për të zbardhur shkaqet e këtij turpi me një prej kombëtareve më të rëndësishme të botës.




http://shqiplajme.com/france-%E2%80%9Cgjyq%E2%80%9D-per-turpin-e-boterorit-ndeshkohen-futbollistet/

Leave a Comment

%d bloggers like this: