Rumani Shqiperi, Situata ne prag te ndeshjes

Nga Rumania, Adi METALIU………….
Rumania, kërrusur së djeshmes, startbekuar së ardhmes kuqezi! Një ndeshje futbolli, që tejpërshkon edhe makthin “6 1″. Ti dhe unë, të gjithë shqiptarët bashkë, zemërthyer ende prej asaj drame, me dhe pa akte, sot kërkojnë shpagim. Shumica, “aktorë të vuajtur” të asaj mbrëmjeje nëntori të vitit 2007, përbëjnë edhe aktualisht kombëtaren shqiptare. Të cilët duhet të rishihen edhe në pasqyrën “Oto Bariç”, dorëhequr turpshëm, errësire. Kundërshtari mban emrin Rumani. Që ta rrit adrenalinën deri në atë pikë, sa lind nevoja edhe për “hakmarrje”. Natyrisht sportive! Në këtë aspekt Rumania duhet konsideruar, gjithsesi, një pengesë e mirë, e gëzueshme. Pavarësisht se mbi supe na ka ngarkuar mundimshëm një “lëmsh të zjarrtë”, atë humbje të thellë 6 1, në ballafaqimin e fundit me ta, që tërë këto ditë na është plasaritur mu përpara syve. Por, lojtarë kuqezinj, mos u trembi nga kësi “ëndrrash të frikshme”. Një orë prej rëre, në kohën e saj, është zbrazur tashmë, nga njëri europian në tjetrin, aq sa duhet të ketë mjaftuar që çdo grimcë rëre të derdhet si një copëz zemre krenare shqiptare, për secilin prej jush. Mjaftueshëm dhe denjësisht, sa për ta naltuar me plot gojën: Na prit Rumani, por sonte për ju nuk ka… gosti!
Kuzhe interesohet edhe në avion për rumunët
Në orën 9 të mëngjesit të ditës së djeshme, autobusi me futbollistët dhe stafin teknik të komnëtares shqiptare në bord ka mbërritur në Aeroportin e Rinasit, gati për t’u ngjitur në avion. Në fakt procedurat përkatëse i ka ndjekur rreth një orë më parë menaxheri i ekipeve kombëtare, Denis Bastari, për të mos humbur asnjë minutë kohë në përgatitjen e bagazheve. Ende pa u akomoduar në avion, futbollistët e kombëtares, por mbi të gjitha stafi kuqezi, me në krye trajnerin Kuzhe, u kanë hedhur një sy të shpejtë të gjitha gazetave sportive të ditës së djeshme. Edhe pse nuk dinë shqip, trajnerët Kuzhe dhe Mustedanagiç i kanë kaluar një për për një të gjithë titujt. Kroati, në një moment ka kërkuar të njoftohet për lajmet më të fundit nga kampi rumun, sidomos për gjendjen shëndetësore të futbollistëve. “Kush nuk luan nga rumunët?” Kjo pyetje e Kuzhes është krejt normale para ndeshjes, ku detaji më i vogël mund të bëjë ndryshim e madh në tapetin e gjelbër. “Tanase, Nikulesku dhe Rat janë në dyshim! Pas Çivusë, që është i pezulluar, Mutusë po ashtu.” Ky është informacioni që vjel Kuzhe nga mediat sportive shqiptare, të cilat kanë eksploruar dita-ditës jo vetëm zhvillimet në kampin kuqezi, por edhe ato në kampin kundërshtar. Natyrisht përmes kolegëve të tyre rumunë, që në këtë drejtim e kanë nisur punën që në fillim të muajit gusht. Në kampin kuqezi, që tashmë ka nisur “fluturimin” drejt Rumanisë, sipër reve të bardha, që “zhdukin” çdo gjë tokësore, shpresojnë që dëmtimt e rumunëve të jenë sa më të ndjeshme. Dhe në fakt kundërshtari duket jo pak i prekur në këtë drejtim. plot katër ndryshime të detyruara ka bërë trajneri Razvan Luçesku në listën e fillimit për Shqipërinë dhe Rumaninë. Ndoshta Shqipëria nuk do ta gjejë kurrë më këtë kundërshtar, në një ditë kaq të keqe!
23 lojtarë drejt Rumanisë, të gjithë gati
Në bordin e avionit çarter të “Adria Airlines” kanë hipur të gjithë lojtarët kuqezi, që Kuzhe i ka përfshirë në listën e tij për dy eliminatoret e para, ndonëse 5 prej tyre nuk do të përfshihen për ndeshjen me Rumaninë. Trajneri kroat i Shqipërisë ka përmendur pardje, në konferencën për shtyp, të organizuar në Durrës, emrat e 13 lojtarëve, në bazë të të cilëve do të vendosë për formacionin anti-Rumani, por mbetet për t’u zbuluar në momentet e fundit ata që do të qëndrojnë në tribunë. Mësohet se vetëm sot, pak para ndeshjes, Kuzhe do të vendosë për lojtarët që do të dërgojë në tribunë. Kroati i druhet ndonjë dëmtimi të mundshëm, qoftë në nxehje para ndeshjes, ndaj i do të gjithë lojtarët në dispozicion.
Lala, mungesa morale në “Piatra Neamt”
Një vend në çarterin me të cilin udhëtoi kombëtarja kuqezi drejt Rumanisë i ishte rezervuar Altin Lalës, kapitenit të skuadrës kombëtare, që nuk është grumbulluar nga trajneri Kuzhe për arsye dëmtimi. Lala kishte planifikuar t’i bashkohej grupit kuqezi në Aeroportin e Rinasit, për të qëndruar pranë tij gjatë dy ditëve të akomodimit në Pietra Neamt. Edhe ministri MTKRS së, Ferdinand Xhaferri, kishte prenotuar dy vende në çarter (me bashkëshorten), por për arsye pune e ka anuluar udhëtimin. Delegacionit shqiptar, që kryesohet nga presidenti i FSHF së, Armdan Duka dhe sekretari i përgjithshëm, Eduard Prodani, i është bashkuar anëtari i KE së, Tahir Kastrati, zv.presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri, ish-futbollisti i shquar i Vllaznisë, Sabah Bizi, por edhe dy presidentët e klubeve; Valter Fushaj i Vllaznisë dhe Dedë Ndreca i Mamurrasit.

Tifozëria e këtij qyteti periferik, në kufi me Moldavinë, mezi e pret ardhjen e kombëtares rumune
Pietra Neamt, “ferri” rumun për Shqipërinë
Qyteti verilindor i Rumanisë, Piatra Neamt, shtrihet në një vend shumë piktoresk, ku bien në sy kodrat e pyllëzuara në maksimum. Qyteti është shumë i qetë, me rrugë relativisht të gjera, ku në asnjë moment trafiku nuk bëhet i dendur. Makinat janë përgjithësisht të vjetra (kontrast i jashtëzakonshëm me Tiranën)
dhe qarkullojnë duke zbatuar me përpikëri sinjalistikën rrugore. Për nostalgjikët e kohës së monizmit, ky qytet është vendi më i përshtatshëm për të kujtuar ndërtesat dhe pallatet e asaj kohe. Duke qenë se Shqipëria dhe Rumania kanë kaluar dekada të tëra në diktaturë, të ndikuara nga ish-Bashkimi Sovjetik, është e natyrshme që të ketë përqasje në infrastrukturë. Pietra Meant, sipas vendësve, ka afërsisht 120 mijë banorë, por shtrihet në një sipërfaqje të madhe. Eshtë një qytet me tifozëri të zjarrtë, prandaj edhe Federata Rumune e Futbollit ka vendosur që ndeshjen e parë kualifikuese me Shqiërinë ta zhvillojë këtu. Nëpër muret e ndërtesave të ndryshme, apo në vende të tjera publike, dallohen reklamat e ndeshjes, për të tërhequr sa më shumë dashamirës të futbollit në stadium. “Ka një arsye të fortë që Federata Rumune e Futbollit ka vendosur që ndeshja të luhet në Piatra Meant. Në kryeqytet (Bukuresht) njerëzit janë të zhgënjyer nga kombëtarja, për shkak të rezultateve të dobëta të saj. Atje stadiumi nuk do të mbushej dhe entuziasmi do të ishte i ulët. Në këtë qytet njerëzit mezi e presin kombëtaren dhe bëjnë tifozllëk të zjarrtë gjatë gjithë lojës, edhe nëse përfaqësuesja e tyre nuk është në gjendje të mirë. Nëse topi kalon në gjysmëfushën kundërshtare, të gjithë brohorasin sikur të jetë rast për gol,” – shpjegon një nga shoqëruesit vendës të delegacionit kuqezi. Rumunët kanë planifikuar që në stadium të jenë të pranishëm rreth 13 mijë tifozë, ndërkohë që deri dy ditë para këtij takimi janë shitur 10 mijë bileta. Sdadiumi ku do të zhvollohet ndeshja pritet të jetë një “ferr” i vërtetë për kuqezinjtë, që gjithmonë kanë shfaqur vështirësi në transfertë, sidomos me përfaqësueset e vendeve lindore, siç është Rumania.

Fitorja rumune, 10 mijë euro për kokë
10 mijë euro për çdo futbollist. Ky është shpërblimi që ka vendosur Federata Rumune e Futbollit për fitoren me Shqipërinë. Në fakt, për ta fituar këtë shumë, rumunët duhet të marrin maksimumin e pikëve edhe me Bjellorusinë, katër ditë më pas. Preaidenti i Federatës Rumune të Futbollit, Sandu, kërkon të nxisë lojtarët e pëfaqësueses së tij që të bëjnë maksimumin në ndeshjet e para, që të mund të shpresojnë për kualifikimin në grup. E njëjta shumë u ofrohet futbollistëve rumunë edhe për fitoren me Francën. Pra, dy përballjet me Shqipërinë dhe Bjellorusinë, vlejnë sa fitorja me pretendentët kryesorë të grupit tonë.

Nga kampi rumun
Luçesku: Gjithçka për të marrë fitoren e parë
Konferenca për shtyp e stafit drejtues të Rumanisë, para ndeshjes me Shqipërinë, ka nisur me fjalët e veteranit Kozmin Kontra. I cili ka sqaruar edhe njëherë tjetër rikthimin e beftë të tij në kombëtaren rumune, pas më shumë se 1 viti nga tërheja e tij zyrtare. “Jam këtu për t’u shërbyer nevojave të ekipit kombëtar. Nuk mendoj se bëj pjesë në projektin e Rumanisë për tërë eliminatoret “Euro 2012″. Për dy ndeshjet e radhës jam një zgjidhje. Trajneri Razvan Luçesku kishte nevojë për mua në këto momente, ai më bindi të kthehem!”
Këtu e merr fjalën trajneri i Rumanisë, që kërkon nga gazetarët të përqendrohen në pyetjet e tyre tek ndeshja e parë eliminatore ndaj Shqipërisë, e cila do të luhet të premten në darkë. “Kjo është më në fund një ndeshje zyrtare, ndryshe nga çdo sfidë miqësore e mëparshme, në vitin e fundit. Konstatoj më kënaqësi se atmosfera në mes lojtarëve është e shkëlqyer. Këtë javë përgatitoreje kam parë një përqendrim shumë të lartë tek lojtarët. Atmosfera mes nesh është shumë e mirë. Kualifikimi është me interes për të gjithë. Ne do të bëjmë gjithçka, për të marrë fitoren e parë, sepse është shumë e rëndësishme që të marrim 3 pikë në eliminatoren debutuese. Këtë vit u takova me mjaft lojtarë shumë të mirë, ishte një vit i shkëlqyer. Gjatë kësaj periudhe kemi arritur të përcjellim ide të rëndësishme në lidhje me organizimin e kombëtares sonë. Ne duhet të organizojmë si duhet disiplinën, të krijojmë atmosferën fituese në ekip, sepse në dispozicion kemi lojtarë të mirë. E rëndësishme është që kemi një grup të bashkuar.”
Pra, Luçesku duket optimist për fushatën eliminatore që fillon sot, edhe pse miqësoret e këtij viti kanë treguar më shumë se një herë, se ekipi kombëtar rumun është një “vrimë e zezë”. Megjithatë, trajneri, në prag të ndeshjes me Shqipërinë, rikonfirmon besimin te grupi që ka përzgjedhur. “Ne duam të ngrihemi mbi pesimizmin që ekziston në vend rreth ekipit kombëtar. Na duhet vetëm besim, sepse ajo që kam parë këtë javë stërvitore me ekipin më bën optimist. Është ekipi kombëtar, prandaj kemi nevojë për mbështetje nga të gjithë.”

Marika: Duhet një Rumani me zemër të madhe!
Sulmuesi i kombëtares rumune, që ndihmoi financiarisht 11 fëmijë të prekur nga përmbytjet në Moldavi, ka gjetur rastin të flasë sërish për ndeshjen me Shqipërinë, përmes një deklaratë për shtyp nga “Save the Children”, Rumani. “Unë pashë fatkeqësitë e përmbytjeve dhe mbeta i tronditur. Ai ishte një moment kyç për mua, ku u preka shumë emocionalisht. Erdha këtu, së bashku me një grup të njerëzish të veçantë, t’i ndihmoj dh të sjell sadopak gëzim e buzëqeshje në fytyrat e fëmijëve të prekur rëndë nga përmbytjet. Unë jam shumë i lumtur që do të kthehem direkt në ekipin tim kombëtar, me njëfarë bekimi të këtyre fëmijëve, që e kanë gjithashtu pasion futbollin. Ne do të fitojmë në stadiumin “Kraiului Neamt”, ndaj kënaquni edhe ju fëmijë me fitoren tonë. Ndaj Shqipërisë do të shikoni një Rumani me zemër të madhe në fushën e lojës.”
11 fëmijët në fjalë do të ndjekin në stadiumi ndeshjen e kombëtares rumune, të premten, kur Marika do t’i japë secilit edhe nga një top futbolli me autograf.

Radoi: Gjashtë pikë në dy ndeshje!
“Do të grumbullojmë gjashtë pikë në dy eliminatoret e para dhe kështu do të shkojmë me moral të lartë në Francë.” Ky është mendimi i Mirel Radoi, lojtarit të kombëtares rumune, në prag të ballafaqimit me kuqezinjtë e Shqipërisë. “”Ne duhet të bazohemi në frymën e ekipit, nuk kanë shumë vlerë individualitetet. Lojtarët duhet të luajnë pranë njëri tjetrit, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të patur sukses. Ne duhet të shkojmë në përballjen me Francën në kuotë pikësh të plota, gjashtë të tilla, sepse nuk mund të themi se ndeshja francezët mund të jetë aq e lehtë sa ndeshja me Shqipërinë, apo edhe Bjellorusinë. Ne duhet t’i fitojmë këto dy ndeshje, për të shkuar me një moral të mirë në Francë,” – tha Radoi.

Flasin “ish”-ët rumunë
George Haxhi: Fillimi i mirë sjell paqe!
George Haxhi, ish-futbollisti i shquar i Rumanisë, por edhe në rang kontinenti, ka folur për ndeshjen me Shqipërinë, duke nënvizuar: “Një fitore në ndeshjen e parë sjell paqe në ekip. Tri pikët me Shqipërinë janë të rëndësishme, pa marrë parasysh se sa mirë do të luajmë, por të kujdesemi për të fituar. Fillimi pozitiv i një fushate të tillë eliminatoresh do të thotë shumë për vazhdimësinë. Emocionet, edhe për mua, janë të mëdha. Ato do të na mbajnë të gjithëve të mbërthyer, deri në fillimin e ndeshjes. Sidoqoftë, lojtarët e kombëtares duhet të luajnë mirë, të qëndrojnë me këmbët në tokë.”

Popesku: Kombëtarja të rifitojë besimin!
Ish kapiteni i ekipit kombëtar rumun, Gica Popesku, pret dy fitore në dy ndeshjet e para eliminatore për “Euro 2012″. Sipas tij, “tricolorii” i ka të gjitha mundësitë për të fituar ndaj Shqipërisë dhe Bjellorusisë. “Ne kemi nevojë për një fillim i mbarë, me gjashtë pikë në dy ndeshje. Duke qenë se është lëkundur besimi te kombëtarja rumune, ne duhet të fitojë përsëri. Të gjithë rumunët presin që kombëtarja e tyre të kualifikohet në grup, ndaj ky objektiv duhet të marrë bekimin e nevojshëm me dy fitore në ndeshjet e radhës. Shpresojmë që djemtë tanë ta bëjnë këtë gjë, pikërisht në këtë kohë,”- tha Gica Popesku.

Rumania, Stefan Radu kthehet në çështje!
Në prag të ndeshjes së parë eliminatore në grup për “Euro 2012″ mes Rumanisë dhe Shqipërisë në Ceahlul, ka një çështje në radhët e skuadrës rumune. Mbrojtësi i Lacios Stefan Radu nuk është grumbulluar për ndeshjen ndaj kuqezinjve nga trajneri i kombëtares Mirçea Luçesku. Sipas shtypit italian bëhet fjalë për një “dënim”, pasi Radu nuk u është përgjigjur për tri herë thirrjes së teknikut rumun. Në dy raste nuk e ngriti fare telefonin, duke provokuar zemërimin e trajnerit dhe të federatës rumune dhe si pasojë u la në shtëpi. Megjithatë çështja u mbyll menjëherë pas kërkesës për falje të mbrojtësit lacial. Ndërsa herën e fundit nuk arriti t’i përgjigjej thirrjes së Luçeskut për ndeshjen me Shqipërinë për shkak se ishte i dëmtuar. Në të vërtetë, Radu nuk është përfshirë pikërisht në listën e të grumbulluarve për shkak edhe të një gjendjeje të dobët në ndeshjet e tij me Lacion, në testet miqësore dhe në ndeshjen ndaj Sampdorias në kampionat. Kësisoj Radu qëndroi në Romë për t’u përgatitur individualisht për ndeshjen e radhës ndaj Bolonjës në “Olimpiko”.

Robert Shorgenhofer, “bilbili” i ndeshjes
Shqipëria e fillon aventurën në Grupin D për eleminatoret e Kampionatit Europian 2012, në transfertë me Rumaninë, më 3 shtator. Kjo përballje i është besuar arbitrit austriak, Robert Shorgenhofer. 37 vjeçari ka marrë stemën e FIFA s në vitin 2007, ndërsa nuk është një emër i panjohur në ambientin e futbollit shqiptar. Ai e ka drejtuar edhe një herë më parë përfaqësuesen tonë, më saktësisht në sfidën e luajtur në “Qemal Stafa”, më 10 shtator 2008, ku Shqipëria fitoi 3 0 me Maltën. Fakti interesant i atij takimi ishte se në harkun e dy minutave (nga e 65 a deri në 67 n), ai ndëshkoi tre lojtarë kuqezinj për protesta: Duron, Beqirin dhe Dallkun. Shorgenhofer ka qenë edhe dy herë në Shqipëri, fillimisht më 11 shtator 2007, për ndeshjen që përfaqësuesja U 21 humbi 0 1 me Italinë dhe më pas, më 15 korrik 2009, për ndeshjen e turit të dytë të “Champions League”, ku Tirana barazoi 1 1 me Stabaek

Sporti shqiptar

Leave a Comment

%d bloggers like this: