Fluturime nga Kukësi dhe Saranda

Më në fund qeveria shqiptare bind gjermanët e aeroportit “Nënë Tereza” që të ulen në tryezën e diskutimeve për të rishikuar kontratën koncesionare, që skadon në vitin 2025. Jo vetëm kaq, por palët kanë gjetur në parim konsensusin për të prishur ato pika të kontratës që i jepnin të drejtë koncerciumit “Hochtief” të mos lejonte asnjë aeroport tjetër përveç Rinasit, në Tiranë.

Gazeta “Shqip” mëson detajet paraprake të negociatave dhe ku palët mund të bien dakord për t’i hapur “dritën jeshile” funksionimit të aeroportit “Zayed Bin Sultan Al-Nahyan” në Kukës, dhe fillimin e ndërtimit të linjës së re në Sarandë (tek ish-fusha e aviacionit).

Fakti që fluksi i pasagjerëve e ka kapërcyer numrin prej 1.5 milionë, i jep të drejtë palës shqiptare të rishikojë kontratën për lejimin e fluturimeve jo vetëm në Tiranë, por edhe nga dy pistat e tjera. Mësohet se shoqërisë “Hochtief” do t’i ofrohet e drejta ekskluzive për të kontrolluar edhe dy aeroportet e tjera, duke i dhënë mundësinë e garantimit të planit të të ardhurave, sikurse ishte parashikuar në momentin kur morën aeroportin “Nënë Tereza”, në janar 2005.

Marrëveshja mes palëve i jep mundësi aeroportit të Kukësit të nisë fluturimet. Pista është gati, ashtu dhe terminali, falë një investimi prej rreth 20 milionë dollarësh i mundësuar kryesisht nga arabët dhe ndërtuar nga “Al-Kharafi”. Janë pikërisht këta të fundit që kanë lobuar fort pranë qeverisë për të bërë të mundur nisjen e fluturimeve, por për Kryeministrin nuk ka qenë e lehtë, aq më tepër kur raportet me koncesionarin nuk ishin pozitive. Në qershor të këtij viti, zv/kryeministri Ilir Meta dhe ministri i Jashtëm i Emirateve Arabe inauguruan aeroportin e Kukësit, duke i vendosur emrin “Zayed Bin Sultan Al-Nahyan”, për nder të Presidentit arab.

Tjetër pikë presioni ndaj gjermanëve ka qenë aeroporti i Sarandës, i cili shtrihet në skajin më jugor të vendit dhe që përbën interes të madh për palën shqiptare, sidomos për sezonin turistik. Për të dyja këto linja, në bazë të disa studimeve të kryera nga shteti shqiptar dhe duke e argumentuar me faktin se hapja e aeroporteve të tjera zhvillon ekonominë e vendit dhe nuk mund të pengohet nga një kontratë, kanë bindur koncesionarin të pranojë paraprakisht fillimin e bisedimeve.

Nga ana e tyre, shoqëria “Tirana Aeroport Partners”, e cila drejtohet nga koncerciumi “Hochtief”, ku kanë aksione edhe amerikanët, shprehen se investimet e kryera nga shoqëria në 5 vitet e fundit kapin vlerën e 50 milionë eurove dhe janë kryer në bazë të një marrëveshjeje firmosur në 2004, sipas të cilës u jepte të drejtë që të mbanin aeroportin “Nënë Tereza”, pa lejuar hapjen e asnjë pike tjetër, deri në vitin 2025. Tani duket se kjo marrëveshje do të prishet, pa qenë nevoja që palët t’i drejtohen gjyqit/shqiptari.net/

One Comment

  1. Pershendetje
    u jam ermelinda lajcaj kengtare
    e kam rregullua ni keng te re
    a ka mundesi ju me publikua ne gazeten tuaj
    ju falenderoj
    e respekt
    https://www.youtube.com/watch?v=ACRgqbjqIZI&app=desktop

    http://www.ermelinda.de
    foto muneni mei sgjellun ju cilat tju duhen ne facebook

Leave a Comment

%d bloggers like this: