Fiqirete Shehu: Ju rrëfej bisedën me Mehmetin pak çaste para vetëvrasjes

Fiqrete Shehu

Fillimisht në Hetuesi e më vonë në procesin gjyqësor, Fiqrete Shehu i ka mëshuar faktit që vetëvrasja e të shoqit mbrëmjen e 17 dhjetorit ’81 ka qënë e inskenuar nga Kadri Hazbiu e Feçor Shehu në zbatim të urdhrit të UDB-së dhe agjenturës sovjetike.Për gjithçka dëshmon rreth çasteve fatale të Mehmet Shehut e veja e tij, i referohet bisedës së fundit që ka bërë me të vetëm pak momente kur Kryeministri do të merrte guximin e do të qëllonte me pistoletë në gjoksin e vet. Pohimet e Fiqrete Shehut, marrë nga libri i Kastriot Dervishit “Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja e tij”, zbardhin rrethanat në të cilat ka ndërruar jetë Kryeministri i penalizuar nga Byroja Politike për zbutje të luftës së klasave në lidhjen e djalit të tij me një vajzë me biografi jo të mirë politike. Bashkëshortja e ish-kryeministrit, për ta bërë sa më të perceptueshme mënyrën si u vetësakrifikua Mehmet Shehu, zbulon një skemë të mirëmenduar nga përfaqësuesit e akuzës që për shumëkënd duket sa e mistershme, aq edhe e pabesueshme. Tragjedia sipas saj, ka nisur me takimin e fshehtë që Kadri Hazbiu ka bërë me Enver Hoxhën me porosi të zbulimit jugosllav në shtator ’81, ku e ka informuar për lidhjen e djalit të Mehmetit me Silva Turdiun. Ngjarja mandej kulmon me dy ditët e fundit të kryeministrit të vetëvrarë: në datën 16 dhjetor, Feçor Shehu i ka çuar Mehmetit  mesazhin e UDB-së për të vrarë me armë zjarri Enver Hoxhën në mbledhjen e Byrosë Politike, që do të zhvillohej të nesërmen. Më 17 dhjetor kryeministri priste në shtëpi Kadri Hazbiun, të cilin e kishte urdhëruar për t’i sjellë gjykimin e zbulimit sovjetik lidhur me ultimatumin e Beogradit. Në hapësirën midis datave 16 dhe 17 dhjetor, ishte zhvilluar mbledhja e Byrosë Politike për kryqëzimin e Mehmet Shehut, që do të vijonte paraditen e 18 dhjetorit për të dëgjuar konkluzionet e Enverit dhe reagimin përfundimtar të kryeministrit. Pikërisht në makthin e kësaj pritjeje torturuese, në vilën e Mehmet Shehut sipas alibisë së Fiqretes, është shfaqur Kadri Hazbiu me të cilin është marrë vendimi për aktin fatal. Mehmet Shehu, që me sa dukej nuk arriti të vrasë Enver Hoxhën, duhej të vriste veten! Sipas të vesë së ish- kryeministrit, ky ishte mesazhi i fundit që Hazbiu i dha Mehmet Shehut. Po çfarë i ka thënë tjetër Fiqretes bashkëshorti i saj mbrëmjen dramtike të 17 dhjetorit….
FIQIRETE SHEHU: Qëndrimi i Kadri Hazbiut në shërbim të agjenturave të huaja ka qenë reagimi i tij lidhur me fejesën e djalit tonë Skënderit. Vajtja te sekretari i Parë i Komitetit Qendror për të informuar për përbërjen e familjes së Qazim Turdiut, që ishte me përbërje të keqe armiqësore dhe pastaj gjithë qëndrimi i Kadri Hazbiut që nga shtatori 1981 deri më 17 dhjetor 1981 kur Mehmet Shehu vrau veten. Këto veprime Kadri Hazbiu i ka bërë jo me kokë të tij. Për sa i përket

Kadri Hazbiu në sallën e gjyqit

vajtjes te sekretari i Parë në shtator, kur ai kish marrë vesh gjoja për herë të parë për këtë çështje, Kadri Hazbiu meqë ishte Mehmet Shehu në Tiranë ishte konsultuar me ambasadën jugosllave dhe ajo e porositi, që të vinte ai vetë ta thoshte që të paktën të shpëtohej Kadri Hazbiu në këtë rast dhe të forconte pozitat e tij. Ndërsa gjithë veprimi tjetër që u bë që nga shtatori dhe deri më 17 dhjetor 1981 u bë duke u koordinuar, duke përpunuar një vijë sjellje të Kadri Hazbiut ndaj Mehmet Shehut, duke u mbajtur një qëndrim i dyfishtë dhe për këtë vijësjellje e për këtë qëndrim të Kadri Hazbiut qenë informuar edhe të dy agjenturat, sovjetike dhe jugosllave, të cilat e kishin aprovuar, sidomos jugosllavja që i kishte thënë se duhet në këtë situatë Kadri Hazbiu ta godiste rëndë Mehmet Shehun. Po të jetë e nevojshme e shpjegoj më gjatë këtë…
ARANIT ÇELA: Po tjetër qëndrim armiqësor të Kadri Hazbiut…
FIQIRETE SHEHU: Tjetër qëndrim armiqësor i Kadri Hazbiut në shër­bim të agjenturave të huaja ka qenë qëndrimi i tij lidhur me fejesën e djalit tonë, Skënderit. Vajtja te sekretari i Parë i Komitetit Qendror për të informuar për përbërjen e familjes së Qazim Turdiut, që ishte me përbërje të keqe armiqësore dhe pastaj gjithë qëndrimi i Kadri Hazbiut që nga shtatori 1981 deri më 17 dhjetor 1981, kur Mehmet Shehu vrau veten. Këto veprime si vajtjen te sekretari i Parë i Komitetit Qendror ashtu dhe gjithë veprimet e mëvonshme që shtrihen deri më 17 dhjetor Kadri Hazbiu i ka bërë jo me kokë të tij. Përsa i përket vajtjes te sekretari i Parë në shtator, kur ai kish marrë vesh gjoja për herë të parë për këtë çështje, Kadri Hazbiu meqë ishte Mehmet Shehu në Tiranë ishte konsultuar me ambasadën jugosllave dhe ajo e porositi, zbuluesi jugosllav, që të vinte ai vetë ta thoshte që të paktën të shpëtohej Kadri Hazbiu në këtë rast dhe të forconte ai pozitat e tij. Ndërsa gjithë veprimi tjetër që u bë që nga shtatori dhe deri më 17 dhjetor u bë duke u koordinuar, duke përpunuar një vijë sjellje të Kadri Hazbiut ndaj Mehmet Shehut, duke u mbajtur një qëndrim i dyfishtë dhe për këtë vijësjellje e për këtë qëndrim të Kadri Hazbiut qenë informuar edhe të dy agjenturat, sovjetike dhe jugosllave, të cilat e kishin aprovuar, sidomos jugosllavja që i kishte thënë se duhet në këtë situatë Kadri Hazbiu ta godiste rëndë Mehmet Shehun. Po të jetë e nevojshme e shpjegoj më gjatë këtë…
ARANIT ÇELA: Mirë, hajde…
FIQIRETE SHEHU Eshtë dhe momenti i 17 dhjetorit. Më 17 dhjetor ishte dita e mbledhjes së Byrosë Politike dhe ajo mbledhje u zhvi­llua natyrisht e rëndë, me kritika të rrepta ndaj Mehmet Shehut, por ishte e tillë që ishin kritika normale, të atilla që siç kam shpje­guar para trupit gjykues dhe në seancat hetimore më ishin bërë edhe mua në organizatën-bazë, qoftë në formë pyetjesh, qoftë edhe në formë diskutimesh. Pra s’kishte asgjë aty për të arritur në një akt të atillë armiqësor, siç qe ai i vetëvrasjes nga ana e Mehmet Shehut. Por çështja është që natën e 17 dhjetorit, siç më ka treguar Mehmet Shehu, do të vinte Kadri Hazbiu për t’u takuar me Mehmet Shehun. Meqë më 16 dhjetor Mehmet Shehut i kish sjellë Feçor Shehu një letër në formë kërcënuese, në formë ultimatumi nga jugosllavët, me anën e së cilës kërkohej që Mehmet Shehu të vriste me armë zjarri, të likuidonte fizikisht sekretarin e Parë të Komitetit Qendror, udhëheqësin e partisë m’u në mbledhje të Byrosë Politike. Këtë letër e kishte marrë Feçor Shehu te berberhana e Xhavit Pëllumbit Ismailagës dhe ia kishte sjellë Mehmet Shehut natën e 16 dhjetorit. Mehmet Shehu i tronditur nga ajo, përmbajtjen e letrës ia kishte thënë dhe me gojë, edhe kërcënimin e jugosllavëve që ose të kryente këtë gjë ose do të nxirrnin material kompromentues ndaj Mehmet Shehut, që ai kishte kryer veprimtari armiqësore kundër Partisë së Punës të Shqipërisë. Pra ja kishte thënë me gojë Feçor Shehu, Mehmet She­hut. Ndërsa Mehmet Shehu e kish porositur që të kërkohej edhe men­dimi i sovjetikëve dhe atë mendim ta sillte Kadri Hazbiu. Natën e 17 dhjetorit në fakt Kadri Hazbiu ka ardhur në shtëpinë tonë. Atë e ka sjellë te korridori i madh i shtëpisë në katin e parë Ali Çeno­ja dhe atje e prita unë që doja të futesha të isha dhe unë në studion e Mehmet Shehut, ku do bëhej biseda midis Kadri Hazbiut dhe Mehmet Shehut, por mbasi e prita Kadri Hazbiun në korridor dhe e futa në studion e Mehmet Shehut, Mehmet Shehu me tha, ti je e sëmurë shko, bile më pati porositur dhe më parë që të mos ngrihesha meqë unë isha e sëmurë, por unë duke qenë e shqetësuar për gjendjen përgjithësisht, se luhej me fatin e gjithë familjes sime zbrita që ta prisja Kadri Hazbiun. Po kur Mehmet Shehu më tha ik dhe Kadri Hazbiu përsëriti të njëjtën gjë ik, duke më thënë se mbasi të mbarojmë bisedën do ta shpjegojë shoku Mehmet, siç u shpreh ai. Unë ika se e mora si urdhër atë. Në fakt atë mbrëmje, atë natë është bërë një bisedë e tillë, të cilën Mehmet Shehu ma transmetoi mbasi iku Kadri Hazbiu. Ardhja e Kadri Hazbiut do të bëhej për të sjellë letrën e sovjetikëve, përgjigjen e sovjetikëve lidhur me ultimatumin e dërguar nga jugosllavët. Por veç asaj u bë edhe një bisedë sepse Mehmet Shehu, siç më tregoi, e pyeti Kadri Hazbiun se si e gjykonte ai çështjen e mbledhjes së Byrosë Politike, gjendjen e tij dhe çmendonte edhe për atë porosi që kishin thënë edhe sovjetikët që mund në mbledhjen e Byrosë Politike të kryhej akti kriminal për likuidimin me armë zjarri të sekretarit të Parë të Komitetit Qendror. Mehmet Shehu më tregoi se kur e kishte pyetur Kadri Hazbiun se si e shikonte ai gjendjen në Byronë Politike, Kadri Hazbiu i kishte thënë që shumë të rëndë e gjykoj atë mbledhje, atë gjendje dhe më duket se ti s’do ndahesh mirë nga kjo mbledhje e Byrosë Politike. Këtë e them duke u mbështetur në pyetjet dhe në diskutimet që u bënë, e ke parasysh vetë. Ti u kritikove aty s’e ke vënë veten me ndërgjegje mbi partinë, s’e ke shkelur me ndërgjegje vijën e partisë për luftën e klasave. Dikush të beri pyetjen edhe si s’ke nxjerrë mësime nga puçistët e tjerë, ndërsa sekretari i Parë i Komitetit Qendror kur mbylli seancën e sotshme tha, që kjo e sotshmja është një natë e rëndë, serioze për ty dhe autokritikën tënde e quajti alibi. Nga kjo unë nxjerr konkluzionin, i kishte thënë Kadri Hazbiu, se udhëheqësi i partisë do të ketë ndonjë dokument të ri për kundër teje, prandaj flet aq rreptë dhe në atë mënyrë. Përsa i përket aktit të vrasjes me armë zjarri në Byronë Politike të sekretarit të Parë i kishte thënë Kadri Hazbiu Mehmet Shehut, kjo më duket e parealizueshme, por edhe po të realizohet kjo do të thotë shfarosje e gjithë familjes tënde. Prandaj më duket se duhet menduar mirë para se të hidhet çdo hap. Në këtë mënyrë Kadri Hazbiu kishte bërë si të thuash një bisedë sugjestionuese ndaj Mehmet Shehut dhe i kishte shtruar në këtë drejtim alternativën: ose vrasje e sekretarit të Parë të Komitetit Qendror dhe shfarosje e gjithë familjes tënde, ose vetëvrasje se në këtë rastin e dytë mund të dënohet akti i vetëvrasjes vetëm nga partia, por shpëton e gjithë fa­milja, nuk dalin në shesh të gjitha veprimet dhe punët armiqësore të kryera. Kjo është dhe në favor të organizatës si të thuash dhe agjenturave të huaja. Gjë që e ka çuar Mehmet Shehun në atë konkluzion të vetëvrasjes. Këtë unë nuk e nxjerr si një konkluzion të thjeshtë nga koka ime, siç e kam shpjeguar përpara trupit gjykues, por duke u nisur nga disa fakte dhe konkretisht kur Mehmet Shehu erdhi nga mbledhja e Byrosë Politike rreth orës 8:15 natën e 17 dhjetorit ai ishte shumë i mërzitur, i bërë dyllë në fytyrë dhe i këputur sa më s’thuhet pas bisedës që bëri me Kadri Hazbiun. Nga kjo unë nxjerr përfundimin që Mehmet Shehu as që kishte ndërmend të vriste veten para se të bënte bisedën me Kadri Hazbiun. Gjithashtu para se të  bëhej biseda me Kadri Hazbiun, ne kishim bërë disa biseda, nga të cilat do të përmend dy, që tregojnë qartë që as i shkonte ndërmend Mehmet Shehut që të vriste veten. E para bisedë ishte kjo që, si në drekë ashtu dhe në darkë në kohën që hanim bukë mbas mbledhjes së Byrosë Politike, d.m.th Mehmet Shehu më tha mua se më datën 18 mbasdite, të nesërmen, d.m.th duhej të shkonim ne 18 pasdite te sekretari i Komitetit Qendror që i kishte vdekur e ëma për ngushëllim. Këtë ma tha dhe në drekë edhe në darkë, para bisedës gjith­një. Po ashtu porsa erdhi nga Byroja Politike më pyeti çfarë bëtë, a folët me Nelin, d.m.th me djalin tonë Skënder, që ishte në Suedi, meqë e kishim lënë që do flisnim në telefon në orën 8:00, unë i thashë që unë nuk fola, foli Ladi, vura atë të fliste dhe e lamë që nesër në orën 8:00 në darkë të flasim, apo do të flasësh sonte, i thashë unë. Jo, tha Mehmet Shehu, mirë e kini lënë nesër se mbaron dhe mbledhja e Byrosë Politike dhe i themi dhe atij që kur të kthehet, se dhe në Byronë Politike, veç letrës që i kam dërguar unë që të bëhet gati për kthim u tha që të kthehet sa me parë Skënderi dhe aty bisedojmë, së shpejti ai do të vijë tha, do ta kemi këtu midis nesh, do të fillojë punën. Pra nga këto çështje unë nxjerr atë, jo e nxjerr unë, po del qartë që Mehmet Shehu as që kishte ndërmend të vriste veten. Edhe që pikërisht ajo bisedë që mund të ketë qenë si alternativë në formë sugjestionuese, po mund t’ia ketë thënë dhe direkt hapur Kadri Hazbiu ose pa qenë Mehmet Shehu, dua t’i them dhe një herë trupit gjykues këtu, mua nuk ma tha që i tha hapur dhe për atë se ndofta s’ka dashur të më shqetësojë më shumë se mjaft e shqetësuar isha…
ARANIT ÇELA: Ndonjë gjë tjetër lidhur me këtë ke…
FIQIRETE SHEHU: Lidhur me Kadri Hazbiun kam gjëra të tjera po lidhur me këtë s’kam…
ARANIT ÇELA: Me të pandehurit e tjerë ke gjë…
FIQIRETE SHEHU: Kam…
RRAPI MINO: Ka pasur lidhje Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu e të tjerët me grupin e puçistëve dhe të sabotatorëve në ekonomi?
FIQIRETE SHEHU: Po, unë e kisha pikë të veçantë se kjo është te sabotimi…
RRAPI MINO: Folën ata prandaj…
FIQIRETE SHEHU: Dakord ka pasur, edhe nëpërmjet atyre që do thosha për Feçor Shehun mund të dilte kjo. Kadri Hazbiu sikurse dhe Mehmet Shehu kanë qenë në lidhje me puçistët. Mehmet Shehu ishte
njoftuar qysh në vitin ‘70-’71, nga një prej agjenturave, ose sovjetike ose jugosllave, nuk më kujtohet se cila, që në ushtri vepronte një grup armiqësor i kryesuar nga Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako.

vijon…

“Kadriu nxori nga burgu agjentët amerikanë në vitin ‘53″

Ndryshe nga dëshmitarët e tjerë, Fiqirete Shehu e shtjellon profilin e veprimtarisë agjenturore të Kadri Hazbiut, me një material të gjatë që e ka përgatitur më parë dhe në sallën e gjyqit e lexon pa e ngritur kokën fare. Në kujtesën e saj ka regjistruar përpjekjet e ish-ministrit të Brendshëm për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike me BS-në pas vdekjes së Hrushovit, më saktë, ato që ka dëgjuar nga tregimet e bashkëshortit. Madje, siç shprehet gruaja e ish-kryeministrit, Kadri Hazbiu, bashkë me Mehmet Shehun, kanë bërë ç’është e mundur që vendimi politik i Tiranës në vitin ‘60 mos të shkonte te divorci. Njëherazi me angazhimin e ish-kreut të Sigurimit për të shkrirë akujt mes Tiranës e Moskës, Fiqirete Shehu qartëson rolin e veçantë të Nesti Nases, ish-ministër i Jashtëm, i cili në atë periudhë bëri të pamundurën me diplomatët sovjetikë për rivendosjen e marrëdhënieve midis dy vendeve. Fokusi i kësaj historie zë pasazhe të tëra në dëshminë e të vesë së ish-kryeministrit. Në këtë linjë adreson ajo për Kadri Hazbiun akuzën tjetër, që ka të bëjë me përpjekjet e fshehta të tij për afrimin me Jugosllavinë dhe Titon pas prishjes me BS-në. Këtë radhë ka qenë një tjetër misionar, Feçor Shehu që bëhet protagonist i kryqëzimit të mesazheve agjenturore Beograd-Tiranë. E kur mbaron rrëfimin e veprimtarisë agjenturore në planin politik, e veja e kryeministrit që ka vënë në shenjë Kadri Hazbiun, zbulon një episod të panjohur më parë, i cili ka të bëjë me bashkëpunimin e tij me Mehmet Shehun për nxjerrjen nga burgu të agjentëve amerikanë me amnistinë e vitit ‘53. Si gjithnjë rrëfimi i zonjës së ish-kryeministrit, i referohet kujtimeve nga bisedat me bashkëshortin. Madje edhe komentet që bën në proces për faktet që penalizojnë ish-ministrin e Brendshëm, janë pjesë e argumenteve që ka mësuar gjatë debateve me Mehmet Shehun. Për të, siç shprehet gjatë ballafaqimit në sallë, Kadri Hazbiu, në mënyrë tinëzare e të pabesë ka përcjellë tek Enver Hoxha në shtator ‘81 mesazhin e UDB-së për fejesën e djalit të tyre me Silva Turdiun, me qëllim kryqëzimin e tij me biografinë e keqe të saj…

 

AFRIM IMAJ

Panorama ONLINE

Leave a Comment

%d bloggers like this: