Fernando Morientes jep lamtumirën

Sulmuesi spanjoll “var këpucët në gozhdë” në moshën 34-vjeçare

Ish-sulmuesi i Realit të Madridit dhe Valencias, Fernando Morientes, ka konfirmuar tërheqjen nga futbolli pasi është larguar nga Olimpiku i Marsejës. 34-vjeçari luajti në vitin e kaluar me skuadrën që u shpall kampione, por të dyja palët ranë dakord për prishjen e kontratës. Gjatë një konference për shtyp në vendlindje, sulmuesi spanjoll deklaroi se kishte marrë disa oferta për të vazhduar karrierën, por ai vendosi të përqëndrohet te jeta familjare.

Ai tha: “Pas 17-18 vitesh duke luajtur në elitën e futbollit botëror, kam pasur tre muaj për të menduar të ardhmen time dhe kam vendosur të përqëndrohem te familja. Unë kam refuzuar oferta nga çdo pjesë e botës përfshi klube në Meksikë, Katar, Dubai dhe gjithashtu refuzova Sportingun e Lisbonës.” Morientes luajti për tetë vjet me Realin e Madridit dhe kjo ka qenë periudha më e lavdishme e karrierës së tij. Ai shënoi në finalen e Ligës së Kampioneve në vitin 2000.

Duke folur për shanset që ka Reali në luftën për titull me Barcelonën, ai tha: “Edhe pse Barça është një hap më përpara, Reali është një ekip në ndërtim e sipër. Për momentin nuk mund të krahasohen, por kur Mourinjo të ndërtojë Realin atëherë duhet t’i krahasojmë. Aktualisht Barça është më e fortë.” Morientes luajti edhe në Francë me Marsejën dhe Monakon, si dhe në Angli me Liverpulin. Gjithsejt zhvilloi 573 ndeshje si profesionist, duke shënuar 204 gola.



http://www.sportishqiptar.com.al/fernando-morientes-jep-lamtumiren/

Leave a Comment

%d bloggers like this: