Ferguson pranon: Çelsi është favorit

Trajneri i Mançester Junajtid mendon se blutë e Londrës do të jenë ekipi për t’u mundur në Premier Ligë

Sër Aleks Ferguson beson se Çelsi do të jetë këtë sezon skuadra që do të paraqesë kërcënimin më të madh për shpresat e Mançester Junajtid për ta kthyer titullin kampion në “Old Trafford”. Skuadra e drejtuar nga Karlo Ançeloti i dha fund mbretërimit trevjeçar të Junajtid në Premier Ligë duke fituar titullin kampion vjet krahas Kupës së Anglisë. Ferguson pret që edhe “dorëlëshuarit” e Mançester Sitit dhe Totenhemi, që zuri vendin e katërt vjet, të bëjnë një sezon të mirë edhe sivjet, por sipas tij rivali më i madh mbetet klubi londinez i Çelsit.

Junajtid do të ketë rastin ta provojë forcën e Çelsit në Superkupën e Anglisë, që luhet nesër në “Wembley”, një ndeshje që luhet një javë para fillimit të sezonit të ri në Premier Ligë. “Ata fituan kampionatin dhe kupën vjet dhe nuk mund t’i nënvlerësosh”, ka thënë dje Ferguson. “Ky sezon pritet të jetë plot rreziqe, pasi niveli i ligës po rritet nga viti në vit. Vjet u thye edhe monopoli i katër skuadrave të mëdha me hyrjen në katërshe të Totenhemit.

Mund të thuhet se Totenhemi mund të bëjë progres këtë sezon, ndërkohë që edhe Mançester Siti është forcuar edhe më shumë, kështu që duhen futur edhe ata në llogari. Mendoj që edhe Evertoni, me gjithë problemet e dëmtimeve që pati vjet, këtë sezon do të jetë skuadër e fortë.

o të jetë një ligë kompetitive, nuk ka dyshim për këtë. Nga viti në vit bëhet edhe më kompetitive, por unë mendoj që skuadra që fitoi titullin vjet do të jetë rreziku kryesor për ne. Çelsi e ka brumin e duhur.” Ferguson ka pohuar se Uejn Runi, i cili është kthyer në skuadër pas dështimit në Kupën e Botës me Anglinë, do të luajë të paktën 45 minuta në “Wembley” nesër. Por trajneri skocez beson se tifozët nuk do të shohin formën më të mirë të sulmuesve të tij pa filluar mirë sezoni i ri. “Kupa e Botës është e tillë që nxjerr jashtë forme shumë lojtarë”, ka thënë Ferguson.

Nuk mund t’i lësh lojtarët pa pushuar dhe ne e kemi bërë këtë. U kemi dhënë 28 ditë pushim dhe do t’ia shohim efektet pozitive këtij pushimi gjatë sezonit. Lojtarët që luajtën në Kupën e Botës nuk do të jenë në formën e tyre më të mirë para javës së tretë të kampionatit.” Tetë ditë para se Junajtid të nisë kampionatin me ndeshjen kundër Njukasëll Junajtid, Ferguson do të aktivizojë në Superkupë një formacion të arnuar.

Majkëll Kerrik do të humbë fillimin e sezonit pasi ka dëmtuar kaviljen në miqësoren e së mërkurës në Irlandë. Mesfushori anglez i bashkohet kështu shokëve të skuadrës, Rio Ferdinand dhe Gabriel Obertan, në infermieri. Braziliani Anderson, që pati një aksident të frikshëm por pa dëme javën që shkoi, do të mungojë në “Wembley”, ndërsa Ouen Hargrivs është ende në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën mjekim për gjurin e dëmtuar. Përveç këtyre, Fabio Da Silva dhe i vëllai, Rafael, nuk pritet të luajnë pasi janë helmuar nga ushqimi në fillim të kësaj jave. Patris Evra, mbrojtësi francez, nuk mund të jetë titullar nesër sepse është kthyer në stërvitje vetëm para dy ditësh.

Ferguson ka pohuar se Evra nuk do të jetë në fushë as në fillim të sezonit sepse është në rrezik të dëmtimit pasi në sezonet e fundit ka bërë shumë ndeshje. “Ne kemi vendosur t’i japim Patrisit edhe më shumë pushim”, ka thënë Ferguson. “Në pesë sezonet e fundit ai ka luajtur mesatarisht 55 ndeshje në sezon. Këtë verë ai ka luajtur edhe në Kupën e Botës dhe ne mendojmë se ai e meriton edhe një javë ekstra pushim. Ai nuk do të jetë në fushë në fillim të sezonit.”

Ferguson ka zbuluar gjithashtu se sulmuesit e rinj Deni Uellbek dhe Mame Biram Diudo do të huazohen, ndërsa mesfushori premtues Tom Kleverli do të qëndrojë në “Old Trafford” megjithëse ka tërhequr interesimin e Njukasëllit dhe Uiganit. Uellbek është duke u vëzhguar nga Sandërlendi, ndërsa Blekbërni i ka vënë syrin Diufit.

Dëmtohet Kerrik, humbet Superkupën

Mesfushori i Mançester Junajtid, Majkëll Kerrik, do të humbë fillimin e sezonit pasi ka dëmtuar kaviljen në miqësoren e luajtur të mërkurën në Dublin. Lojtari i përfaqësueses angleze luajti në fitoren 7 1 kundër Airtrisiti Ligë XI dhe u dëmtua në pjesën e parë. Fergusoni ka pohuar se ai do të mungojë për dy javë: “Majkëlli ka dëmtuar kaviljen në miqësoren e së mërkurës, por nuk është diçka e rëndë. Ai do të mungojë disa javë dhe kështu do të humbë fillimin e sezonit.” Kerrik nuk do të luajë kundër Çelsit nesër në Superkupë dhe kundër Njukasëllit më 16 gusht në Premier Ligë.

Xho Kol: Liverpuli ka ende shumë për të bërë

Xho Kol ka pohuar se lojtarët e Liverpulit kanë shumë punë për të bërë për të qenë gati për fillimin e sezonit të ri, që hapet me ndeshjen kundër Arsenalit javën që vjen. Liverpuli u kualifikua në raundin tjetër të Ligës Europa me rezultatin e përgjithshëm 4-0 kundër Rabotniçkit.

“Ne kemi bërë dy ndeshje zyrtare dhe presim të na kthehen në skuadër edhe Fernando Torres, Dirk Kajt dhe Pepe Reina me të tjerët”, ka thënë Kol. “Kemi shumë punë për të bërë. Ne duhet të luajmë sa më shumë së bashku dhe të përmirësohemi, por kjo duhet bërë duke punuar sa më shumë në fushën e stërvitjes. Kemi një rrugë të gjatë për të bërë. Nuk mund të japësh ndonjë vlerësim në gjashtë ndeshjet e para të sezonit. Të tjerët duhet të na gjykojnë në muajin maj, kur të mbarojë sezoni.”

Menaxheri: Poulsen është i Roi Hodgsonit

Menaxheri i Kristian Poulsenit ka thënë se pritet që lojtari danez ta kompletojë transferimin e tij te Liverpuli nga Roma javën që vjen. Liverpuli mendohet se e ka vënë në shënjestër mesfushorin e Juventusit, i cili mund të jetë zëvendësues i Maskeranos, që është drejt largimit. Juvja besohet se ka ndër mend ta shesë Poulsenin sepse nuk figuron në planet e trajnerit Luixhi Del Neri. Trajneri i Liverpulit, Roi Hodgson, është një admirues i madh i Poulsenit dhe ka konfirmuar interesimin e tij për të.

Menaxheri i lojtarit, Jorn Bonesen, ka pasur bisedime me klubin e Liverpulit për një transferim të mundshëm dhe ka besim se marrëveshja mund të arrihet javën që vjen. “Nuk do të na duhet më shumë se një javë për të arritur marrëveshjen”, ka thënë Bonesen. “Ndoshta që javën që vjen Poulsen mund të jetë lojtari i Roi Hodgsonit. Ai do të luajë si mesfushor me tipare mbrojtëse te Liverpuli.”

Mesfushori spanjoll i ka mbyllur derën Barcelonës: Mendoj për sezonin e ri me “topçinjtë”
Çesk Fabregas: Jam 100% i Arsenalit

Çesk Fabregas ka këmbëngulur se është “100 për qind i fokusuar” që të luajë për Arsenalin pasi klubi anglez ka refuzuar dy oferta të Barcelonës këtë verë. E ardhmja e kapitenit të Arsenalit ka qenë subjekt spekulimesh gjithë verën, pasi Fabregas e kishte bërë të qartë se dëshironte të largohej nga Londra dhe të kthehej te klubi katalanas.

Megjithatë, e ardhmja e tij e afërt duket se është e lidhur me Arsenalin, siç ka thënë edhe ai dje: “Unë jam futbollist profesionist dhe e kuptoj shumë mirë se është e drejta e Arsenalit që të mos më shesë. Unë i jam borxhli shumë këtij klubi, trajnerit dhe tifozëve dhe do të respektoj vendimin e tyre e do të përqendrohem te sezoni i ri me Arsenalin.

Mund t’i siguroj të gjithë tifozët se negociatat kanë marrë fund dhe se unë do të jem 100% i fokusuar te Arsenali.” Fabregas ka pohuar se për të ka qenë shumë tërheqëse ideja e rikthimit te Barcelona, por se e respektonte vendimin e klubit për të mos shitur kapitenin e vet, që ka kontratë me këtë klub deri në vitin 2014. “Së pari do t’u kërkoj falje tifozëve të Arsenalit që nuk kam folur më herët për të ardhmen time, por nuk e kam ditur se çfarë do të bëhej. Nuk mund ta mohoj se më ka tërhequr mundësia për t’iu bashkuar Barcelonës, klubit ku mësova të luaja futboll, klubit të qytetit tim, atje ku kam familjen dhe miqtë, një klub ku kam ëndërruar përherë që të luaj.

Të paktë janë lojtarët që nuk do të donin të luanin për Barcelonën. Unë kam pasur biseda të drejtpërdrejta ose me telefon me Arsen Vengerin, por përmbajtja e atyre bisedave do të mbetet private. Konkluzioni është se Barcelonës i janë refuzuar dy oferta nga Arsenali. Unë jam lojtar i Arsenalit dhe sapo të vë këmbën në fushë, Arsenali do të jetë klubi i vetëm për të cilin do të mendoj. E pres me dëshirë fillimin e sezonit, që të lë pas shpine spekulimet.” Arsenali kishte deklaruar më parë se kishte refuzuar ofertat e Barcelonës për kapitenin e tyre, duke këmbëngulur se “nuk kishin ndër mend ta shisnin atë”.

Filip Mekses në radarin e “topçinjve”
Filip Mekses i Romës është në radarin e Arsenalit, sipas “La Repubblica”, që shkruan se ai mund të joshet nga oferta e Londrës. Arsenali ka humbur Uilliam Gallasin, Sol Kembëllin dhe Mikael Silvestren, prandaj Arsen Venger synon t’i zëvendësojë ata dhe është në kërkim të një qendërmbrojtësi. Zgjedhja e tij e parë është Mekses. Francezi ka kohë që është përfolur se do të largohet nga Roma, ndërkohë që vlera e tij është te 11 milionë eurot. Ai ka refuzuar ofertat e Juventusit para pak kohe, por ardhja e mundshme e Nikolas Burdisos nga Interi mund ta detyrojë Meksesin të qëndrojë në bankinë, duke e bërë të parefuzueshme ofertën e Arsenalit.



http://www.sportishqiptar.com.al/ferguson-pranon-celsi-eshte-favorit/

Leave a Comment

%d bloggers like this: