Fatmir Toçi: “PS të mos tolerojë individët që dalin kundër forumeve”

Deputeti socialist, Fatmir Toçi, shprehet i gatshëm për çdo bashkëpunim që do të ndihmonte në largimin e qeverisë “Berisha”, ndërsa e sheh LSI-në si forcën që po mban në pushtet qeverinë aktuale.

Në zgjedhjet e 8 majit, PS në Tiranë humbi Bashkinë, por edhe 7 minibashki. Ndikoi në këtë rezultat, përveç pretendimit tuaj për manipulim të votës nga ana e maxhorancës, rikandidimi i Edi Ramës për mandatin e katërt (dihet që brenda lidershipit të PS-së ka pasur kundërshti për këtë), cilësia e koalicionit apo puna e dobët e deputetëve?
Së pari dua t’ju shpreh bindjen dhe sigurinë time se PS nuk ka humbur në Tiranë, ashtu siç u pa live nga të gjithë shqiptarët dhe faktori ndërkombëtar, falë edhe rolit të pazëvendësueshëm të mediave gjatë procesit të numërimit të votave. Madje, bazuar edhe në provat e reja për manipulime, që tashmë PS i ka bërë publike dhe i ka vënë në dispozicion të Prokurorisë, veprimtaria manipulative e maxhorancës ka ndikuar edhe në rezultatin e minibashkive. Rikandidimi i Edi Ramës nuk ishte i papritur po të kemi parasysh se si ndryshoi Tirana gjatë një dekade nga një vend tërësisht i degraduar, mbuluar tërësisht nga llumi e pisllëku si pasojë e kioskëzimit kaotik në një metropol me vizion drejt realizimit të parametrave bashkëkohorë të urbanizimit dhe qytetërimit, si kryeqendra e botës shqiptare dhe një prej qendrave më të rëndësishme të rajonit ku jetojmë sot. Nuk ishte i papritur rikandidimi po të kemi parasysh sondazhet për pritshmërinë e zgjedhjeve të realizuara nga organizma të pavarur, dhe as po të shohësh numrin e votuesve, rreth 27 000 veta më shumë, që votuan për Ramën në krahasim me 4 vjet më parë. Po të zbresim edhe ndikimin e koalicionit me LSI-në në 2007-n, rritja e votave të Ramës në zgjedhjet e fundit ishte mbi 45 000 vota. Kurse Basha, së bashku me aleatin qeverisës, LSI-në, mundi të marrë rreth 27 000 vota më shumë në krahasim me Sokol Olldashin, kandidatin e para 4 viteve. Ju pyesni për ndikimin e cilësisë së koalicionit dhe punën e deputetëve të Tiranës në këto zgjedhje. Është normale që edhe këto do të jenë pjesë e analizës së punës që ka filluar në të gjitha nivelet e PS, që nga organizata socialiste në bazë e deri në Kongresin e Partisë që do të mbahet në vjeshtë, por ajo që u pa realisht në përfundim të këtyre zgjedhjeve është se Rama fitoi me një diferencë prej 10 votash, edhe pse pati manipulime me listat, presion dhe joshje të paparë të pushtetit ndaj votuesve, punonjësve të institucioneve shtetërore, anëtarëve të KQZ-së, Kolegjit Zgjedhor etj.
Në 2009-n, LSI, që ishte në koalicion më vete jashtë PS, u tentua të llogaritej si pjesë e së majtës, edhe pse nuk pati asnjë pjesë kontakti gjatë asaj fushate, duke i barazuar numrin e mandateve mes së majtës dhe së djathtës të barabartë 70 me 70. Sot po artikulohet ideja se duhet lënë një dritare hapur me LSI, ndoshta për një koalicion të ardhshëm zgjedhor, por që është pritur me reaksion si nga brenda PS, ashtu edhe nga LSI, e cila shprehet se vazhdon të jetë pjesë e maxhorancës qeverisëse. Sipas jush, duhet përjashtuar në mënyrë kategorike një koalicion me LSI?
Në 2009-n LSI u vetëdeklarua gjatë gjithë fushatës, deri në përfundim të zgjedhjeve të përgjithshme, si forcë e majtë. Qëndrimi i saj pro së djathtës ndryshoi menjëherë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve ku ajo iu bashkua të djathtës së Berishës për interesa të lidershipit të saj, dhe jo të elektoratit që i besoi votat. Edhe pse ajo u përfaqësua me më pak se 3% të deputetëve në Parlamentin e dalë nga zgjedhjet e qershorit 2009, ajo mban në pushtet sot të djathtën e Berishës, duke u bërë bashkëpërgjegjëse me të për mënyrën se si po e përdor pushtetin në interes të një klani rrënues për vendin, duke u shpërblyer për këtë me rreth 30% të përfaqësimit në qeveri dhe në nivelet e tjera të administratës shtetërore në qendër dhe në rrethe. Po kjo është punë e saj dhe, pa dyshim, edhe përgjegjësitë janë të sajat. Unë sot nuk shoh në radhët e PS ndonjë artikulim apo merak të veçantë, siç thoni ju, për të lënë ndonjë dritare hapur për LSI për koalicion në zgjedhjet e ardhshme. Madje kjo nuk është fare në axhendën tonë të diskutimeve dhe analizave, veçse shoh një përpjekje artificiale për të mediatizuar një çështje që nuk ekziston. Sipas meje, LSI vegjeton në shtratin e ngrohtë të aleancës me të djathtën e Berishës për shkak të përmbushjes së interesave (jo politike sigurisht) të disa prej eksponentëve të saj dhe, siç kam parë këto ditë qëndrimet e disa prej tyre në media, as që i shkon ndër mend, madje as që do të guxonte që të largohej nga koalicioni i interesave. Në vijim të përgjigjes së pyetjes suaj, në parim unë jam për zgjerim sa të jetë e mundur të koalicionit opozitar dhe për të bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për largimin sa më parë të kësaj qeverisjeje që e ka zënë për gryke vendin dhe po i merr frymën. Madje kjo thirrje u drejtohet edhe të gjithë anëtarëve të LSI-së që e ndiejnë veten me të vërtetë të majtë, që kanë një ideal për zhvillimet progresive të vendit dhe përmirësimin e jetesës së njerëzve, që nuk do të donin të ishin pjesë e përgjegjësisë dhe e njollës së pashlyeshme e të qenit aleat, bashkëpunëtor, bashkëfajtor apo përgjegjës për ato që po bën kjo maxhorancë në kurriz të interesave të vendit. Unë do të isha për çdo aleancë që do të ndikonte për rrëzimin e Berishës dhe të forcës së tij politike nga pushteti, pa dyshim sipas vendimmarrjes së strukturave përkatëse drejtuese të Partisë ku bëj pjesë, por nuk jam aspak dakord me aludimet që mund të bëhen për persona që prej vitesh, e veçanërisht në dy vitet e fundit, kanë shkuar më larg se Berisha në qëndrimet politike ndaj PS dhe së majtës shqiptare dhe janë bërë njësh me të dhe bashkëpunëtorë të zellshëm në afera korruptive e antikombëtare.
Kur deputetë të PS, si Kastriot Islami, Arben Malaj, Andis Harasani apo edhe Erion Braçe kërkuan ndërprerjen e bojkotit dhe vajtjen e PS në Kuvend, kjo u quajt herezi dhe ata u cilësuan si armiq të PS. Ka një pendesë ndaj këtij qëndrimi në kor për këto propozime sot që po bën ato që janë artikuluar prej tyre?
Së pari, unë nuk kam dëgjuar të flitet në strukturat e PS për ndonjë herezi apo të cilësohet dikush si armik i PS. Nga grupi i deputetëve të PS janë larguar dy deputetë të tjerë më parë dhe nuk di që të jenë cilësuar si armiq apo heretikë. Këto përcaktime ishin tipike në monopartinë e monizmit, por si trashëgimtar të atij sistemi në politikën e sotme, unë njoh vetëm një njeri dhe ky është Kryeministri i sotëm i Shqipërisë. Nuk është çudi që burimi i përcaktimeve të tilla të vijë prej tij, ashtu siç vijnë prej tij edhe të gjitha përpjekjet për ta spostuar vëmendjen e opinionit publik dhe të medias vetëm për çfarë ndodh sot me opozitën, një situatë e pashembullt kjo për një shoqëri demokratike, kur interesi i publikut të gjerë është të dijë se si e qeveris vendin forca politike që është në pushtet. Dhe kjo dihet përse bëhet: për të larguar vëmendjen e këtij opinioni publik nga veprimtaria korruptive dhe antikombëtare e kësaj qeverie. Për fat të keq, në këtë kurth ka rënë edhe një pjesë jo e vogël e mediave, duke u vënë kështu në shërbim të pushtetit. Së dyti, besoj se jemi në një mendje që nuk mund të vihet shenja e barazimit midis përfaqësuesve të PS që mendojnë ndryshe për çështje të ndryshme që shtrohen nga koha apo situatat politike, që e kanë të zhvilluar frymën e kritikës dhe debatit brenda strukturave dhe me qëllim zhvillimin e demokracisë brenda partisë dhe atyre që veprojnë në kundërshtim me vendimet politike të Grupit Parlamentar, Asamblesë Kombëtare, Kryesisë e strukturave të tjera drejtuese për qëndrime të ndryshme politike që diskutohen. Mos të flasim këtu edhe për një qëndrim permanent që pas zgjedhjeve të vitit 2009 në mediat e ndryshme kundër interesave PS dhe në dëm të saj. Përvoja politike e muajve të fundit e vendeve me demokraci të konsoliduar, si Italia apo Greqia, në gjirin e së djathtës europiane, na ka treguar se për ata që shkojnë ndesh me vendimmarrjen politike të forcës ku bëjnë pjesë, që nuk zbatojnë rregulloren e brendshme të grupit parlamentar apo statutin e partisë, nuk ka më vend në gjirin e forcës politike përkatëse. Po sjell këtu shembullin e dy figurave mjaft të njohura në politikën aktuale europiane, rastin e Dora Bakojanis në Greqi dhe të Xhanfranko Finit në Itali, të cilët u përjashtuan nga partia e Karamanlisit dhe aleanca e Berluskonit sepse vepruan kundër vendimit politik të shumicës. Edhe pse unë nuk jam në parim për përjashtime dhe besoj në nevojën për kontributin dhe përvojën e çdonjërit për të majtën shqiptare, nuk rri dot pa theksuar reagimin që vjen gjerësisht nga baza e partisë për një tolerancë të pashpjegueshme për individë qe gjatë dy viteve te fundit kanë vepruar në vazhdimësi në kundërshtim me vendimet politike kolegjiale të partisë, duke e dëmtuar atë.
Cili, sipas jush, do të jetë qëndrimi i grupit parlamentar ku ju bëni pjesë në shtator, kur pritet të shkoni rregullisht në komisionet dhe seancat parlamentare? Votimi i ligjeve me 3/5 pritet të ketë kushtëzime ndaj maxhorancës?
Nuk ka pasur ndonjë vendim të strukturave dhe nuk është thënë asnjëherë se grupi parlamentar socialist do të braktisë apo bojkotojë Parlamentin, edhe pse ky është kthyer në një institucion qesharak dhe shpesh qëndrimi ynë aty është i pakuptimtë për nga mënyra se si sillet maxhoranca, kryeministri dhe kryetarja e Parlamentit me opozitën. Është arritur deri aty sa deputetëve të opozitës u ndërpritet apo u ndalohet fjala, i vetmi mjet pune i deputetit, nga e ka marrë emrin edhe vetë Parlamenti si institucion i fjalës. Ju jeni të informuar se për Grupin Parlamentar socialist është në fuqi vendimi për një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin për shkak të mungesës së transparencës së zgjedhjeve të qershorit 2009, por tani edhe vjedhjes në tavolinë të zgjedhjeve vendore për Tiranën. Ndërkohë PS është në punë e sipër për hartimin e programeve për periudhën e ardhshme, të cilat do të diskutohen dhe miratohen në Asamblenë Kombëtare dhe Kongresin që do të thirret në vjeshtë. Pra, janë strukturat më të larta të PS që do të vendosin për qëndrimin politik dhe raportet me Parlamentin. Por dua të theksoj se problemi i këtij vendi nuk është mungesa e ligjeve, edhe kur ato janë me votim të thjeshtë apo kërkojnë votim të cilësuar. Problemi i madh është se ligjet në këtë vend nuk zbatohen kurrë dhe vendimmarrja është vetëm në shërbim të klanit qeverisës. A nuk ndodhi kështu edhe në shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për Tiranën?

 

ARISTIR LUMEZI

Panorama ONLINE

Leave a Comment

%d bloggers like this: