Euro 2012, mesohen arbitrat e kuqezinjve

Lajme Sport-Kombëtarja e Shqipërisë ka njohur gjyqtarët që do të drejtojnë dy ndeshjet e para eliminatore të Euro 2012.

Kuqezinjtë e nisin aventurën në Grupin D me ndeshjen në fushën e Rumanisë, më 3 shtator. UEFA ka vendosur që t’ia besojë këtë takim arbitrit austriak Robert Shorgenhofer. 37-vjeçari ka marrë stemën e FIFA-s në vitin 2007, ndërsa ai nuk është një emër i panjohur në ambientin e futbollit shqiptar.

“Bilbili” e ka drejtuar edhe një herë më parë përfaqësuesen tonë, më saktësisht në sfidën e luajtur në “Qemal Stafa” më 10 shtator 2008, ku Shqipëria fitoi 3-0 me Maltën. Fakti interesant i atij takimi ishte se në harkun e dy minutave (nga e 65-a deri në 67-n), ai ndëshkoi tre lojtarë kuqezinj për protesta: Duron, Beqirin dhe Dallkun.

Shorgenhofer ka qenë edhe dy herë në Shqipëri, fillimisht më 11 shtator 2007, për ndeshjen që përfaqësuesja U-21 humbi 0-1 me Italinë dhe më pas më 15 korrik 2009, për ndeshjen e turit të dytë të Champions League, ku Tirana barazoi 1-1 me Stabaek. Ndërkohë, ndeshja e 7 shtatorit, në të cilën Shqipëria do të presë në shtëpi Luksemburgun, i është besuar gjyqtarit sllovak, Riçard Trutz. 39-vjeçari, i cili është i punësuar edhe në një televizion në vendin e tij, është bërë arbitër i kategorisë së tretë të UEFA-s vetëm në fillim të vitit 2010.




http://shqiplajme.com/euro-2012-mesohen-arbitrat-e-kuqezinjve/

Leave a Comment

%d bloggers like this: