Ermir Gjinishi, mes Tiranës dhe Tripolit

g“Nëse çekiçi është mjeti yt i vetëm, atëherë çdo problem e sheh si gozhdë”. Ermir Gjinishi, teologu mysliman, doktor i shkencave historike shpjegon valën e protestave në Afrikën e Veriut, refuzon paralelet me situatën në Shqipëri, por lëshon sinjalin e alarmit. “Kujdes!”

Eshtë besimtar mysliman dhe padyshim një nga njohësit më të mirë të kulturës islame, doktor shkencash në histori dhe pak vite më parë, ishte deri nënkryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Ermir Gjinishi, një dijetar mëndjehapur dhe polemist i shkëlqyer, është intervistuar nga revista MAPO për çfarë po ndodh në Pellgun e Mesdheut, në të cilin, diktatura shumë vjeçare apo regjime hibride, po bien njëri pas tjetrit. Ky është një proces që dihet kur ka nisur dhe pse ka nisur, por që askush nuk mund të thotë me siguri se kur do të përfundojë, si do të përfundojë dhe mbi të gjitha, askush nuk mund të japë përgjigje për çfarë do të ndodhë nesër me gjithë “hartën” politike të Afrikës Veriore e më tej. Njohës i mirë i gjuhës dhe kulturës arabe, i diplomuar në Universitetin e Tripolit, Libi, Gjinishi jep konsideratat e tij për çfarë shqetëson sot gjithë botën. Dhe jo vetëm kaq. Gjinishi refuzon të heqë paralele mes asaj çfarë po ndodh në botën arabe dhe krizës shqiptare, por megjithatë, gjen paralele mes tyre. Kryesisht në politikëbërjen e vendit, të drejtuar historikisht nga liderë “të fortë” dhe mbi të gjitha, në strukturën ende klanore të shoqërisë dhe të politikës së saj. “Një pjesë e politikanëve tanë nuk u shkëputën dot nga mentaliteti diktatorial, i cili kthehet në psikologji e formë sjelljeje për adhuruesit e tij. Këta njerëz në demokraci po funksionojnë si “liderë të fortë” dhe i zgjidhin problemet me dorë të hekurt. Njëlloj si në aforizmën e vjetër që thotë: “Nëse çekiçi është mjeti yt i vetëm, atëherë tendenca është që cdo problem ta shohësh si një gozhdë”, thotë ai.
Në Shqipëri, Gjinishi ka qenë një nga nismëtarët e krijimit të urave të bashkëpunimit me institucionet homologe në SHBA, Kanada, Evropë dhe më pas, edhe në Azi, Vendet Arabe, Afrikën e Jugut. Ishte negociator për palën shqiptare për pranimin e KMSh-së në “Unionin Europian Mysliman”. Gjinishi ka qenë referues në dhjetëra konferenca ndërkombëtare, brenda e jashtë vendit. Ka qenë i ftuar në disa simpoziume të organizuara nga programe në kuadër të NATO-s që kanë pasur të bëjnë me çështje të sigurisë ndërkombëtare, luftës kundër terrorizmit e të tjerë. Në vitin 2006, është zgjedhur bashkë me 140 personalitete të tjerë të artit, kulturës, shkencës, fesë dhe politikës, si pjesëmarrës dhe kontribues në një iniciativë botërore për paqe në Lindjen e Mesme. Një zë i qetë, i ekuilibruar dhe mbi të gjitha i mençur, është në këto ditë të ashpra, një rrëfyes për çfarë lamë keq nga pas dhe çfarë duhet të bëjmë më mirë në të nesërmen.
Keni studiuar në Libi dhe jeni një njohës i shkëlqyer i Islamit si fe dhe kulturë, çfarë e bën të ndryshëm qytetërimin arab nga ai Evropian që njohim?
Qoftë nga këndvështrimi historik, qoftë nga ai gjeografik janë dy botë të ndryshme. Janë dy botë me zhvillime karakteristike të diferencuara. Arabët kanë një trashëgimi qytetërimesh të hershme duke filluar me faraonët e babilonasit në Egjipt e Irak, kenanët, asirianët e fenikasit në Lindjen e Mesme e deri në një trashëgimi romake. Patjetër, qytetërimi islam është ai që i bashkoi të gjithë arabët. Sot kur flasim për qytetërim arab nënkuptojmë atë islam. Evropianët janë ndikuar qartazi nga qytetërimi grek dhe ai romak, por mendoj se kristianizmi ishte ai që i unifikoi popujt evropianë. Në një tjetër këndvështrim, bota arabe është më shumë e lidhur me traditën dhe trashëgiminë ndërsa popujt evropianë më shumë me modernitetin. Krahasimi i qytetërimeve është i vështirë. Shumë studiues përdorin këndvështrime, metodologji, terminologji, referenca dhe mënyra vlerësimi të ndryshme, për këtë arsye, vlerësimet e tyre mbi qytetërimet janë kontradiktore. Megjithatë Plutarku që nga antikiteti thotë: “Mund të gjejmë qytete pa bedena, pa sundimtarë, pa qytetërim, pa letërsi e pa teatër, por qytete pa tempuj adhurimi e pa banorë që luten e falen nuk u panë kurrë”. Që këtu, mendoj se ka një diferencë thelbësore midis qytetërimit islam tek arabët dhe atij evropian. Ai është religjioziteti dhe raportet që kanë njerëzit me besimin. Së pari, qytetërimi islam, mbështetet mbi besimin dhe moralin fetar. Themeli shpirtëror i qytetërimit tek arabët është besimi, kurse themeli shoqëror është sistemi moral i lidhur me atë besim. Këta janë tregues që dukshëm bien në sy në botën arabe. Me gjithë problemet që kanë stisur sistemet qeverisëse arabe ato nuk kanë mundur ta prishin këtë raport pavarësisht se kanë dëmtuar keqazi mekanizmat dhe mjetet që e bëjnë të funksionojë atë. Së dyti, qytetërimi perëndimor, i ndikuar nga teoritë e filozofitë ateisto-laike kryesisht të shekullit te 18-të, ka tendencë ta sfumojë rolin e religjionit. Në modernitetin e tij ai kërkon të zëvendësojë njeriun fetar të kohëve paramoderne me shekullaristin. Qytetërimi perëndimor nuk e mohon kategorikisht Zotin, por e “kufizon”atë. Edhe pse vendet që i përkasin qytetërimit perëndimor janë kristiane, spostimi i botës shpirtërore (kishës) ka bërë që qytetërimi perëndimor për syrin dhe mendjen e shumë njerëzve të shihet si shkencë e teknologji. Po t´i përmbahemi vlerësimit të disa studiuesve, sipas të cilëve kultura i paraprinë qytetërimit dhe jo anasjelltas, na krijohet një tablo simetrike, duke pasur parasysh se kultura përfshin dhe botën shpirtërore e fetare. Kemi të bëjmë me një botë arabe myslimane dhe me një Evropë të krishterë, kështu që dallimet këtu janë thjesht fetare. Por ky këndvështrim nuk është i saktë. Për të mos i çuar më tej, dallimet mes tyre janë në fe, sisteme qeverisëse, histori, kulturë, trashëgimi, ekonomi, struktura sociale, etj. Duken shumë larg njëri-tjetrit kështu, por në këndvështrimin fetar kjo është normale. Ata bashkohen në diçka më të madhe. Të gjithë janë njerëz, krijesa të Zotit, pavarësisht se si e kanë ndërtuar jetën dhe çfarë besimi i përkasin. Njeriu me potencialin e tij intelektual e shpirtëror krijon një produkt të shumëllojtë mozaikësh jo uniformë, por megjithatë, nevojat e tij mbeten të njëjta. Për këtë arsye teologët e krishterë e myslimanë, dallimet midis dy botëve i shohin si mundësi këmbimi dhe përfitimi në të mirë të njeriut, pavarësisht ngjyrës, gjuhës, kombësisë apo besimit që ai ka. Ata e vënë theksin në nevojën e dialogut e bashkëjetesës, ndërsa jofetarët e shohin ndryshe ketë diferencë, deri në rrezik konflikti.

Fillimisht protestat shpërthyen në Tunizi, e më pas, në një reaksion zinxhir, shpërthyen në të gjithë Afrikën e Veriut? Pritej një gjë e tillë, parashikohej?
Natyrisht që pritej, madje është disi e vonuar. Popujt arabë që pas periudhës otomane jetojnë të shtypur nga sisteme diktatoriale dhe nga liderët e tyre me mendësi primitive. Thuajse gjatë gjithë këtij shekulli ata janë shpërfillur nga lidershipi i tyre politik në të gjitha zgjidhjet që ka bërë. Çfarë lidhje kishte bota arabo-myslimane me komunizmin ateist që liderët e tyre i zgjodhën për aleatë? Pasojë e këtyre sistemeve ata e ndiejnë veten të ndarë, të tallur e të prapambetur në zhvillim, nga pjesa tjetër e botës.

Cilat mendoni se ishin shkaqet më të rëndësishme që sollën këtë situatë?
Të gjithë popujt arabë pa dallim jetojnë nën diktatura. S’ka pluralizëm, fjalë të lirë, ka një ekonomi të dobët, korrupsion galopant, e të tjerë. Liria është ajo që u mungon të gjithëve, por në këtë zinxhir revoltash, çdo shtet ka edhe shkaqe të veçanta. Në Tunizi, për shembull, dukshëm bie në sy varfëria e popullit. Njeriu që i vuri flakën vetes i zgjoi të gjithë këta popuj nga kapitja e varfërisë dhe perëndimin nga heshtja ndaj diktaturës. Në Egjipt populli i dha fund regjimit të Mubarakut i cili i mbante gjithë kohës të shtypur , në varfëri ndërsa fjalimet e tij përqendroheshin në “leksione” nacionaliste e antisemitiste. De fakto Mubaraku ishte njeriu që mbylli kufirin me palestinezët në Gaza, dhe i dënoi ata me varfëri e sëmundje. Në Libi, Gadafi i tejkaloi dy të parët. Ai me qëndrimet e tij e izoloi popullin libian nga bota për afro 8 vite për shkak të embargos që ju vendos nga perëndimi si pasojë e veprimtarisë së tij terroriste jashtë Libisë në ndihmë të grupeve dhe formacioneve ushtarake të cilësuara si terroriste që nga Evropa, Lindja e Mesme, Amerika Latine, Afrikë e deri në Azi. Ajo që e ngriti popullin libian në demonstrata ishte krimi Gadafist i vrasjes së afro 1300 opozitarëve të tij të burgosur, brenda pak orësh. Tani i braktisur nga populli i tij, Gadafi me mercenarë të paguar, kryesisht afrikanë, po bën një gjenocid të paparë ndonjëherë ndaj popullit të tij. Varfëri, diktaturë, krim, injorancë e dhunë ishin ato që i bashkonin këta liderë arabë tashmë të marrë fund.

Në këtë fazë të ngjarjeve, mendoni se është arritur piku apo këto ngjarje do të kenë përshkallëzime të tjera duke përfshirë edhe vende të tjera, fqinjë apo më larg tyre?
Ngjarjet janë në zhvillim e sipër, sapo kanë filluar. Në Libi gjendja vazhdon të jetë e rëndë. E kam bindje se Gadafi nuk do të largohet lehtë nga pushteti. Do të ketë gjakderdhje të madhe. Që tani numri i të vrarëve ia ka kaluar Tunizisë dhe Egjiptit të marra së bashku. Mendoj se së shpejti do të përfshihet Algjeria dhe ndonjë vend i Gjirit. Sa për Iranin nuk shoh ndonjë përshkallëzim tani shpejt. Pas shtypjes së protestave të fundit, populli iranian ka nevojë për kohë të organizohet.

Si e gjykoni qëndrimin që ka mbajtur Perëndimi dhe Shtetet e Bashkuara si dhe aktorë të tjerë që survejojnë ngjarjet?
Ka qenë një qëndrim i kujdesshëm. Ata e dinë se popujt arabë i bëjnë disi fajtorë sepse ranë në grackën e liderëve të tyre të cilët i injektonin “perëndimit të krishterë” frikën dhe rrezikun nga “ekstremizmi islamik”. E vërteta është krejt ndryshe. Islami dhe Krishterimi si dy besime Abrahamite e kanë të përcaktuar në librat e shenjtë rrugën e tolerancës e të bashkëjetesës ndërmjet tyre. Janë pikërisht këta popuj arabë myslimanë që kërkojnë ndërhyrjen e perëndimit të krishterë pasi e dinë mirë se çfarë mund të bëjnë me ta diktatorët e tyre, pushteti i të cilëve prej disa shekujve i ka përdhosur librat e shenjtë. Ndërhyrja e perëndimit duhet me patjetër, por të jetë e kujdesshme. Popujt arabë kanë nevojë për një asistencë të plotë në përpjekjen e tyre për demokraci. Sa për qëndrimin e shteteve të tjera arabe, heshtja e tyre flet shumë. Janë strukur në pallatet e mëkateve të tyre me shpresën se nuk do t´u vijë radha. Më vjen në mëndje një shprehje e Anna Frank, hebrejes së famshme të vrarë në kampet gjermane të përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore: “E vërteta është shumë e vështirë për t’u dëgjuar kur është fshehur për një kohë të gjatë”.

Për një “koincidencë” fatkeqe në kohë, si Afrika e Veriut, edhe Shqipëria është përfshirë në krizë të rëndë politike. Në Tiranë, demonstrimi i opozitës është shoqëruar me katër të vrarë dhe dhjetëra të plagosur me armë zjarri nga demonstruesit dhe dhjetëra policë që u plagosën me mjete të forta. Çfarë shihni të ngjashme mes këtyre situatave, çfarë shihni të ndryshme?
Është një ngjarje shumë e rëndë ajo që ndodhi tek ne. Po e filloj nga fundi. Shqipëria nuk është Tunizi, Egjipt apo Libi. Ne jemi demokraci dhe jo diktaturë. Por demokracia jonë pati një defekt të madh që në fillim. Një pjesë e politikanëve tanë nuk u shkëputën dot nga mentaliteti diktatorial, i cili kthehet në psikologji e formë sjellje për adhuruesin e tij. Këta njerëz në demokraci po funksionojnë si “liderë të fortë” dhe i zgjidhin problemet me dorë të hekurt. Njëlloj si në aforizmën që thotë: “Nëse çekiçi është mjeti yt i vetëm, atëherë tendenca është që çdo problem ta shohësh si një gozhdë”. Por ndihem keq kur shoh pranë këtyre politikanëve, të rinj që vetëm imitojnë liderët e tyre. “Mua nuk më duhet miku që pajtohet me gjithçka dhe çdo gjë e miraton me kokë, sepse këtë edhe hija ime mund ta bëjë shumë më mirë”, thotë Plutarku. Ndoshta sytë tanë duhet të lahen nga lotët ndonjëherë, kështu mund ta shohim jetën përsëri me një pamje akoma më të qartë. Ka disa ngjashmëri midis të dy situatave. Ajo që ngjasonte në thelbin e këtyre dy krahasimeve ishte pakënaqësia e popullit dhe ajo që i bashkonte ishte përgjigja që morën demonstruesit. Fjalimet politike ishin si në Libi. Krimineli trajtohet si hero dhe viktima si kriminel, drogmen, etj. Por ajo që më bën më shumë përshtypje ishte zëvendësimi i institucioneve kushtetuese për hetimin e situatës me komisione politike si në Libi. Politikanët tanë gjithnjë mundohen ti fshehin prapësitë e tyre duke fshehur kështu të vërtetën, por në një vend ku e vërteta nuk është e lirë, aty as liria nuk është e vërtetë. Ngjarjet e rënda që ndodhën në Shqipëri na bëjnë ta lexojmë mirë Sami Frashërin, kur thotë se: “Çdo ditë e jetës tënde është një faqe e biografisë tënde, kujdesu ta shkruash mirë, sepse një faqe e keqe, e ndyn gjithë librin”.

Afrika e Veriut, konkretisht Libia është e ndarë mes fisesh, në raportet ndërkombëtare Shqipëria përshkruhet ende fatkeqësisht si një vend ku zotëron kultura e klanit. A ka ndonjë paralele mes tyre?
Në Libi shoqëria është e ndarë në më shumë se 100 fise të mëdha, nga të cilët, vetëm pesë apo gjashtë janë më të mëdhenjtë dhe më të rëndësishmit. Gadafi në katër dekadat e qeverisjes së tij, kryesisht ka përdorur metodën e përçarjes mes tyre dhe të krijimit të konflikteve artificiale. Edhe tani, Gadafi ka përmendur se situata mund të përshkallëzohet jo në luftë civile, por në luftë mes fisesh. Diferenca është e ndjeshme; dy qytete në afërsi të Tripolit, që janë baza të vetë fisit të Gadafit, ende nuk janë përfshirë nga trazirat. Në Shqipëri, ndonëse situata duket e ndryshme dhe nuk kemi shumë dëshirë ta pranojmë, shoqëria jonë ende funksionon sipas strukturës klanore. Që për fat të keq, dominon dhe politikën.

Leave a Comment

%d bloggers like this: