Epir, epirotë dhe gjuhë epirotishte, albanishte/shqipe nga lashtësia e deri në ditë tona!

Dëshiroj të shpreh një sintezë të disa shkrimeve të mia të hershme. Për këtë kam marrë një shtysë nga “Thirrjet” e fundit, tendencioze e shoviniste të disa qarqeve greke, nën maskën e “Vorio Epirit”/”Epiri Verior”, për manipulime të regjistrimit (në kuadrin e anëtarësimit të Shqipërisë në Komunitetin Europian), në favorin e minoritetit të nacionalitetit grek, mbarë e mbrapsht, duke synuar gllabërimin e regjistrimin si grekë, të sa më shumë shqiptarëve emigrantë, madje deri edhe të etnive vllaho-aromune të territorit shqiptar.
Kronologjia dhe etimologjia e makroemërtimit Epir

Epiri i lashtë (nga fundi Mijv. II p.e.r.–fillimi Mijv. I p.e.r.), mendohet se, ka qenë një toponim makroemërtim territori gjeografik. Me sa referojnë disa autorë antikë, një pjesë e ish-popullsive më të vjetra vendase të emërtuara si pellazge u integruan e u asimiluan me etnosin helen, kurse një pjesë tjetër me etnosin iliro-epirot.

Emërtimin më të hershëm të Epirit, ndonëse disi indirekt, duket se e hap Homeri, me epirotët e Epirit që kishin marrë pjesë në “Luftën e Trojës”: “Edhe ata t’Epirit dhe bregdetit tjetër,/ të gjithë prijës kishin Odise/Uliks dinakun,/ mendtar si Zeusi. Me të në Trojë velëzuan/ dymbëdhjetë anije, fajkat lyer me të kuqe.” (Iliada, shqip., bot. 1979, K. II, v. 776-780)

Përkth. italian, shënon: “…e dell opposto/ Continente, di tutti è duce Ulisse/ Vero senno di Giove; e lo seguiéno/ Dodici navi di vermiglio pinte. (Omero, “Iliade”, 1934, V. Monti, II, v. 849-852)

Tek Odiseja, K. VII, v 10-14, lexohet: “Në dhomë të saj u ngjit Nausika e plaka/ nga Epiri, Eurimeduza e ndezi zjarrin/ këtë kish shërbyese dhome; me anije/ e kishin marrë dikur që nga Epiri/ dhe Alkinout dhuratë i kish rënë,/ që ish sundimtar përmbi Feakie…”.

Ishulli e qyteti që quhej Feakia, ishte Korfuzi dhe te kjo popullatë Odiseu/Uliksi, konsiderohej si i huaj, pra i një origjine jo të njëjtë.

Vetë legjenda e lashtë mitologjike e ishullit Feakia ose Skeria, siç e tregonte Homeri, bazohej mbi një bazileus barbar Euromedont, ku vendndodhja e popullsive të tija në brendësinë gadishullore quhej Hiperia. Bija e Euromedontit, e cila quhej Perribe, mbetet shtatzënë me Hyun e Detit Poseidoni dhe kështu lind nipi Nausitoni. Ky pasardhës dhe trashëgues i Hiperisë, tashti edhe i fisnikëruar “me farë/spermë e gjak hyjnish” e kishte shpërngulur popullin e tij, në ishullin Skeria/Feakia. (Odiseja, K. VI, v. 1-19) Legjenda mitologjike bënte fjalë edhe për një profeci, ku Poseidoni do ta ngurtësonte një anije feakase, e cila kthehej nga një udhëtim i largët, si një mal i lartë përballë vendit të tyre Akrokaraune. (Odiseja, K. VII, v. 670-677)

Nga lokalizimet e shpjegimet e disa mitologëve dhe logografëve antikë e të mëvonshëm, theksohet se, bëhej fjalë për vargmalet Akrokeraune, ku hynte edhe Karaburuni (deformim trq.) në lidhje me kuptimin etimologjik Akro = i lartë dhe Karava = anije me vela. Fjala Karava, sipas prof. E. Çabej lidhej si një stacion lundrimi, ankorimi, furnizimi, riparimi anijesh edhe te laguna e Karavastasë. (“St. për Hist. e Gjuhës Shqipe”, 1973, f 113, shën 125, gr. K???????????/Karavastasis = stacion anijesh). Ne kemi shënuar edhe antroponimin Karavanti, vëllai i basileusit Genthis, realisht me funksionin si komandanti i flotës ilire në Shkodër. Gjithashtu, ne mendojmë se, emri më i lashtë autokton si Malet Keraune, lidhen me etimologjinë e kopeve me kerra, dhen e dhi dhe kope lopësh. (krhs. pak më poshtë)

Mendohet se, siparin e dokumentuar në literaturën e shkruar për Epirin e hap Skylaksi shek IV p.e.r., i cili ishte mbështetur në një autor më të hershëm të shek VI-V p.e.r. Ai shkruante: “Pas liburnëve vjen popullsia e ilirëve; dhe banojnë ilirët gjatë anëdetjes gjer në Kaoni; kjo Kaonia ndodhet kundrejt Korkyrës, ishullit të Alkinout. Është aty një qytet helen i quajtur Heraklea, bashkë me limanin e vet. Banojnë aty edhe popuj barbarë që quhen e një emër lotofagë; këta janë: hierastamnët, bulinët, hyllët (hyllët janë fqinj me bulinët), këta të fundit thonë se aty kish banuar Hylli, i biri i Herakliut. Këta janë barbarë… bulinët janë ilirë…

Fqinjë me orikët dhe amantasit janë atintantët, sipër Orikisë dhe Kaonisë gjer në Dodonë. Në krahinën e Kastidias thuhet se ndodhet një fushë që quhet Eritheia. Këtu thuhet se kishte ardhur Geryoni dhe kish kullotur qetë. Në këto vise janë malet Keraune (në Epir) dhe aty afër është një ishull që quhet Sason… Orikët banojnë në krahinën e Amantisë… pas ilirëve vijnë kaonët. Kaonia ka limane të mira; Kaonët banojnë nëpër katunde/komas… pas Kaonisë, vjen fisi i thesprotëve; edhe këta janë të shpërndarë nëpër katunde… pas Kasopisë vjen fisi i molosëve, edhe këta banojnë nëpër katunde… pas Molosisë vjen Ambrakia, qytet helen… (Scylacis, “Periplus”, Illyroi 22; Illyroi 26; Orikoi 27; Haones 28; Thesprotoi 30; Molotoi 32; Ambrakia 33)

Siç e kemi trajtuar edhe gjetiu, sipas autorit Arriani, (shek I), i cili citonte shprehimisht Hekateun e shek V p.e.r., lidhur me Geryonin, si një bazileus i lashtë baritor i Epirit, shkruhej:

“Logografi Hekateu thotë se Herakliu prej Argosit, i dërguar nga Eurystheu për të grabitur dhe për t’i dërguar lopët e Geryonit në Mykenë, nuk zbriti as tek iberët, as mbi një ishull të quajtur Erythi, të vendosur në Oqean; ai thotë se Geryoni ishte një mbret i kontinentit që jetonte midis Ambrakisë dhe Amfilohisë, dhe se ishte pikërisht ky vend ku Herakliu i grabiti gjedhët… Unë di edhe që kjo krahinë është e pasur në kullota dhe ushqen lopë shumë të bukura. Lavdia e lopëve të Epirit rrjedh ndoshta nga një kohë më e vjetër se Erystheu dhe nuk është aspak e paarsyeshme të besohet se, mbreti i Epirit quhej Geryon.” (Arriani, “Alexandri Anabasis”, Lib. II, 16, 5 e 6)

Po në këtë temë Eliani i shek II, shkruante: “Kau që nderonin egjiptianët ishte më i madhi i qeve edhe nga ata të Kaonisë, të cilët thesprotët dhe epirotët i quajnë larinos, të rrjedhur nga raca e gjedhit të Geryonit”. (De Animalium Natura”, Lib. XII. 11)

Sa më sipër, bazuar edhe te Lukiani shek II, mundemi të konstatojmë se, ish-bazileusi mitologjik epirot kaonas i lidhur edhe me shtresë legjendën më të lashtë për themelimin e Butrintit (nga Kau/Kaoni i flijuar) na paskësh pasur lidhje me tre vëllezër trinjakë të ngjitur në një, pra si TreGerionë, “shëmbëlltyra e tri qenieve siç e paraqisnin piktorët” etj. (“Vepra të Zgjedhura”, bot. 1979, f 413; shih edhe Virgjili, Eneida, Lib. III etj)

Pra shohim se, ishin helenët ata që mbi bazën e legjendave pellazge thurën disa tregime të rregulluara mitologjike, ku Tregerionët/Gerionin e Epirit e kishin degdisur “në fundin e botës në perëndim, tek Iberia, tek ishulli Erythea në Oqeanin Atlantik”.

Në lidhje me etimologjinë e lashtë të gjedhëve, demave dhe lopëve të racës kaonike/epirote të Geryonit, cilësuar si Larinos, vërej se prof. Çabej ka pas propozuar një krahasim me Laros/????? greqishte e vjetër “pulëbardhë”, krahasuar edhe me alb./shqipe laraskë, duke shënuar edhe kuajt e gjedhët me njolla të bardha. Mendoj se, ky shembull hyn plotësisht aty. (“St. rreth Hist. gjuhës shqipe”, 1973, f 82; cit. nga studimi, “Rreth disa çështjeve të historisë së gjuhës shqipe”, bot. 1963)

Te Homeri bëhej fjalë për fiset epirote pellazgjike, për Epirin Pellazgjik, për Dodonën e Epirit pellazgjik, pra për një lidhje të lashtë me një shtrat më të hershëm autokton, këtë interpretim e hasim të trajtuar qartë, së paku nga Straboni, shek I p.e.r. (“Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”, nxjerrë nga Geographica, Lib. V, 4, 2)

Shprehimisht e konkretisht për Epir, Straboni shkruante: “Me fjalën Epir, Homeri nënkupton vendet përkarshi ishujve, duke dashur të përfshijë vendet pas Leukadës edhe Akarnaninë tjetër, për të cilën thotë kështu: “Dymbëdhjetë kope në Epir, kaq shumë dhen kullosin”. Ndoshta në kohë të lashta toka epirote shtrihej deri këtu dhe quhej me emrin e zakonshëm të Epirit”. (po aty, Lib. X, 1, 10)

Straboni, citonte edhe Theopompin e shek V p.e.r., i cili nënvizonte se Epiri dhe epirotët përbëheshin nga katërmbëdhjetë fise. (po aty, cit. f 158)

Në lidhje me etimologjinë e fjalës Epir-Epeiros, nga linguistika shqiptare e shek XX, ka qenë shënuar se, kjo fjalë ishte e dialekteve të greqishtes së vjetër, me të cilën banorët ishullorë helenë quanin tokën/steren gadishullore përballë, prandaj kjo fjalë Epir-Epeiros, nga ishujt u përhap pastaj në tokat përballë. (Hist. e Shqipërisë”, bot. 1959, I, f 52; bot. 1967, I, f 52)

Këtë mendim e ka mbrojtur edhe arkeologu Dh. Budina. (“Disa rezultate të gjurmimeve në vendbanimet e lashta të Kaonisë”, Konf. II. ST. Alb., bot. 1969, f 321-345)

Po këtë mendim ka edhe arkeologu prof. dr. N. Ceka, i cili makrotoponimin Epir e derivon nga Apeiros = stere/tokë dhe e lidh më konkretisht se, ashtu e quanin korkyrasit/korfuzasit vendin përballë ishullit të tyre. (“Ilirët”, bot. 2001, f 72)

Bazuar nga emërtimi Hiperia, si ish-emërtimi më i lashtë në brendësinë gadishullore i banorëve ardhës të Korfuzit, sipas citimit nga Homeri, ne qysh nga viti 1968, kishim propozuar një mundësi zanafillimi të emrit Epir, nga kjo baza Hiperia. (Krhas. edhe Dielli Hiperion, në lartësinë më të sipërme, të lartë. Odiseja, K. I, v. 13; Këtë mendim si hipotezë sado nga një pozicion autodidakti, edhe me pak fantazi ndoshta, sidoqoftë më 1969, si hipotezë ma kishte miratuar prof. V. Toçi)

Sipas hipotezës sonë, nuk ishin ishullorët që emërtuan tokën e bregut përballë, por ishin vetë gadishullorët që e kishin emërtuar krahinën dhe popullsinë, kryesisht si një krahinë malore. Kuptimin etimologjik ne mundemi ta lidhim me fjalën dhe konceptin albanisht/shqip, “tokë e epert”, e sipërme, në lartësi. Ekzistencën e një sasie fjalësh të greqishtes së vjetër, të asimiluara e ruajtura në leksikun e gjuhës albanishte/shqipe unë edhe sot e mendoj si një substrat i lashtë, i përbashkët gadishullor dhe jo ashtu thjesht, vetëm si huazime të njëanshme.

Plutarku, sigurisht i bazuar në burime më të hershme dhe në burime mitologjike folklorike, shkruante: “Thonë se i pari që u bë mbret i thesprotëve dhe i molosëve, pas përmbytjes, qe Faetoni, i cili ishte njeri prej atyre që erdhën në Epir bashkë me Pellazgun dhe disa thonë se aty në mes të molosëve banuan Deukalioni dhe Pirrua, pasi ndërtuan tempullin e Dodonës. Me kalimin e kohës pastaj Pirro Neoptolemi, bir i Akilit, me njerëzit që kishte sjellë me vete pushtoi vendin dhe la pas tij një dinasti mbretërish që u quajtën Pirridë sepse ai, kur qe fëmijë qe mbiquajtur Pirro dhe Pirro quajti njërin nga djemtë e tij të ligjshëm, që e kishte me Lanasën, të bijën e Klodeut, biri i Hyllit. Dhe prandaj edhe Akili në Epir nderohej si hyjni dhe në gjuhën e atij vendi u quajt Aspet.

Pas mbretërve të parë, ndër ata të mesit, të cilët ishin gati barbarë…” (“Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë”, f 218-219, nxjerrë nga “Vitae Parallelae”)

Siç e shohim, sipas mitologjisë, ekzistenca e emërtimit Epir, shkonte deri te tributë e para njerëzore, mbas Përmbytjes së Madhe, ku krahas Deukalionit dhe gruas së tij, Pirra, dallonte edhe një Pirro mitologjik pellazgjik. Ky Pirro, bashkë me Deukalionin, na kishin ndërtuar edhe tempullin e Dodonës Pellazgjike. Nga kjo zanafillë vazhdonte një lidhje gjenealogjike vijuese me disa Pirro dhe të një “Dinastie Pirride/Pirrike”, ku hynte edhe “Akili Aspeteos, cili nderohej si Hyjni në gjuhën e atij vendi, bashkë me birin e tij Pirro Neoptolemi”, për të arritur deri tek i famshmi Pirro i Epirit. Dhe këtu kemi edhe lidhjen me ndërtimin e Butrintit.

Duhet të vërejmë se, sado në një modë mitologjike, në një farë mënyre ne duhet të ndihemi të justifikuar, madje edhe mjaft krenarë se, kemi një mitologji të lashtë gadishullore me një vazhdimësi fantaziste, qysh nga Përmbytja e Madhe, me “arkën” e Deukalionit dhe Pirras “ama e njerëzimit”, e krahasueshme me Përmbytjen Mesopotame/Asiro-Babilonase të Gilgameshit dhe me atë Biblike e Kuranike me Noen/Nuhin e të shoqen e tij. Edhe është mjaft interesante të kujtojmë se, si në tregimin biblik, edhe dalja nga arka e Deukalionit dhe Pirrës, ndodh te një vend me ullishta dhe shoqërohet me ndërtimin e një altari për flijime.

Sipas një varianti mitologjik Pellazgu/???????? ishte vëlla i Iasos e Gerionit të Epirit. (shih, P. Grimal, “Enciclopedia dei Miti”, bot. 1990, zëri Pelasgo, f 489, 2; shih edhe zërin Deukalione, f 162-163; zëri Pirra, Pirrico si një valle luftëtarësh; dhe Pirro si eponim qyteti dhe krahine, f. 513)

Vijon në numrin e ardhshëm…

No Comments

  1. Arjani says:

    Pra del qarte se Epiri eshte toke Shqipetare dhe ne duhet ta marim perseri ate nga pushtuesit greke.Nuk eshte se nuk e dinim po eshte mire kur shkruhet per kete qe te degjojne himariotet etj se cfar jane ne te vertete.

Leave a Comment

%d bloggers like this: