Elbasani, një ëndërr e realizuar për Mateo Toçin: Nuk e humbas këtë shans!

Fantazisti i ri verdheblu është gati për sfidën e madhe dhe shpreson të jetë protagonist me fanellën verdheblu

 

Nga Elton Karaj

 

Lojtari i ardhur nga ekipet zinxhir të Elbasanit, Mateos Toçi, është shprehur i gatshëm për të luftuar për një vend titullari sezonin e ardhshëm. Ai beson se do ta bindë stafin teknik me formën e tij sportive dhe se do të jetë protagonist i verdhebluve në garën për rikthimin në superligë. Toçi është kontigjent edhe i kombëtarës U-19, që drejtoohet nga trajneri Skënder Gega.

I kontaktuar nga “Sporti shqiptar”, futbollisti elbasanas pohon mes të tjerash se tani të rinjtë e talentuar e kanë rrugën të hapur, ndryshe nga më parë, kur paragjykoheshin, pavarësisht vlerave.

Pa paragjykime-  “Mendoj se ka ardhur koha që edhe ne futbollistët e rinj të shpërthejmë dhe ta themi fjalën tonë. E kemi rrugën të hapur dhe do të luftojmë për të zënë një vend titullari, nëse e meritojmë. Gjërat nuk janë si më parë, kur një futbollist i ri nuk aktivizohej thjesht për shkak të moshës, pavarësisht se mund të ishte shumë i talentuar. Kam punuar shumë, me qëllim që të arrij tek ekipi i parë. Tani që e kam arritur, nuk mund të lë shansin të më ikë nga duart. E kam të qartë se kam edhe shumë punë për të bërë, ndaj do të luftoj maksimalisht për të qenë titullar në ekip,” – ka thënë Toçi, i cili është i lumtur që përfaqëson ngjyrat e ekipit të qytetit të tij.

Ëndërr e realizuar – “Ndihem shumë mirë dhe i lumtur që aftësitë e mia do t’i vë në shërbim të Elbasanit, ekipit të qytetit tim. Për këtë falënderoj presidencën dhe drejtuesit e tjerë të ekipit, që më kanë dhënë mundësinë të luaj me ekipin e parë. Ata më kanë ndihmuar të realizoj një ëndërr të famijërisë dhe e përsëris se jam shumë entuziast për faktin që do të luaj për ngjyrat e Elbasanit. Dikur bëja tifo për këtë ekip, ndërsa tani e kam mundësinë të jem vetë në fushë dhe të fitoj me fanellën verdheblu,” – ka shtuar më tej Mateos Toçi.

Pas një jave elbasanasit do t’i duhet ta “braktisë” ekipin e tij për t’iu bashkuar kombëtares U-19, pasi trajneri Skënder Gega e sheh si një futbollist të nevojshëm për ekipin që drejton fantazistin e ri.

Bledar Lena stërvitet me verdheblutë

Në stërvitjen e djeshme të ekipit të Elbasanit është parë edhe ish-futbollisti i Gramozit sezonin e fundit, Bledar Lena. Nuk dihet ende nëse futbollisti elbasanas ka arritur një marrëveshje me presidentin Arben Laze, apo është thjesht për t’u stërvitur me ekipin e qytetit të tij.

Në fakt, emri i tij është lakuar edhe te Luftëtari, por zyrtarisht nuk ka ndonjë konfirmim për të. Mesfushori Lena do të ishte një përforcim me vlera për Elbasanin, duke parë edhe problemet që ka ky ekip për momentin. Verdheblutë kanë problem në të gjitha repartet, sepse nga ekipi i sezonit të kaluar ka pasur shumë largime dhe deri tani asnjë afrim, edhe pse është premtuar se do të bëhet një merkato cilësore.

Madje, edhe për mesfushorin Klevis Roshi, që u konsiderua nga stafi një përforcim për sezonin e ri, është vënë në dyshim të madh qëndrimi.

 

 

 

Sporti Shqiptar Online

Leave a Comment

%d bloggers like this: