Duro voton "armiqtë": Shkumbini del kampion

Trajneri i Besës,Shpëtim Duro, ka befasuar në një intervistë për “Panorama Sport”, teksa i pyetur për një parashikim në lidhje me skuadrat që mund të synojnë titullin në sezonin e ri, ka “votuar” për Shkumbinin. Ai nuk kërkon që këtë përgjigje t’ia marrin si ironi, por sipas tij opinioni është pompuar sikur Shkumbini, Skënderbeu dhe Flamurtari do të diktojnë këtë sezon. “Mendoj se Besa ime, Tirana dhe Dinamo, do të kapin çfarë të lënë këto skuadra”, – ka thënë ndër të tjera kreu i pankinës verdhezi.
Zoti Duro, si po shkojnë përgatitjet në Maqedoni?
Të them të drejtën jam i kënaqur nga skuadra. Kemi krijuar një farë stabiliteti, edhe për faktin se stërvitemi prej dy muajsh. Grupi po konsolidohet dhe ndeshja e fundit miqësore ndaj Laçit tregoi se jemi në rrugën e duhur. Megjithatë, kemi kohë për të përmirësuar disa gjëra. Nesër (sot) largohemi nga Maqedonia dhe do të kthehemi të vazhdojmë punën në Kavajë.
Nisur nga miqësoret e fundit, po vihet re se po shënojnë më shumë mesfushorët?
Faktikisht me këtë mënyrë loje që bëjmë, krijohen hapësira të shumta për mesfushorët. Lojtarë si Dhëmbi dhe Poçi alternohen me njëri-tjetrin dhe dalin në pozicione shënimi. Kjo nuk do të thotë se sulmuesit tanë nuk shënojnë, por thjesht në miqësoret e fundit kështu ka rastisur. Megjithatë, kjo pak rëndësi ka, sepse mua si trajner më intereson më shumë ajo që prodhon skuadra në fushë.
Çfarë mund të na thoni për sulmuesin Sead Haxhibuliç? A është përshtatur me skuadrën?
Seadi ka ardhur pa përgatitje tek Besa, kështu që aktualisht po vazhdon stërvitjen në mënyrë individuale. E kam aktivizuar pak në mqiësoren me Laçin, por mendoj se ai do ta kapë shpejt formën. Llogaritë e mia janë me atë në sulm.
Ka nevojë për Besa ndonjë përforcim tjetër?
Mendoj se jo. Ekipin e shikoj të kompletuar në çdo repart.
Atëherë, me aq sa njihni përbërjet e ekipeve të tjera, mendoni se Besa do të jetë pretendente për titullin kampion?
Unë kam thënë më parë që ky ekip është përgatitur për të rivalizuar skuadrat e kampionatit shqiptar, jo Olimpiakosin. Natyrisht, ne kemi të njëjtat synime, por këtë sezon ndoshta është radha e klubeve të tjera që të flasin për titullin.
Përse mendoni kështu?
Shikoj që Shkumbini, Skënderbeu dhe Flamurtari janë fuqizuar mjaft. Mendoj se në fund të sezonit ato do të jenë në vendet 1, 2 dhe 3, ndërsa nga 4 e poshtë Besa, Dinamo dhe Tirana.
E keni seriozisht këtë?
Po, sigurisht. Pastaj, edhe opinioni është ekzagjeruar  se këto klube kanë marrë lojtarët më të mirë. Ky është parashikimi im, por megjithatë, të shohim sepse edhe Besa do ta tregojë veten.

Panorama sport

Leave a Comment

%d bloggers like this: