Didië Drogba: Ky nuk është maksimumi!

Sulmuesi shënoi tri herë në fitoren 6-0 të Çelsit, por mendon se “blutë” kanë ende për të përmirësuar

Didië Drogba është i mendimit se Çelsi duhet të luajë në nivele më të larta që të mbrojë titullin kampion, fituar vjet në Premier Ligë, edhe pse të shtunën skuadra londineze e nisi sezonin me fitoren tenistike 6 0 kundër Uest Bromit në “Stamford Bridge”. Skuadra e Karlo Ançelotit bëri që të harrohej humbja 3-1 kundër Mançester Junajtid në Superkupë të dielën që shkoi, duke mundur skuadrën e sapongjitur në premier Ligë. Drogba ishte autor i tre golave, kurse Florent Maluda shënoi dy gola. Lampard ishte autori i golit tjetër në këtë ndeshje.

Duke qenë se rivalët tradicionalë, Mançester Junajtid, Arsenal e Liverpul, do të luanin më pas dhe kur Mançester Siti barazoi me Totenhemin 0-0 të shtunën, Blutë e Ançelotit i treguan qartë synimet e tyre që javën e parë, duke rifilluar aty ku e lanë sezonin që shkoi, kur Çelsi fitoi në fushën e vet dy ndeshjet e fundit me rezultat 7 0 dhe 8 0. Drogba, megjithatë, nuk ka iluzione se atyre do t’u duhet shumë punë që të mbeten skuadra pretendente.

“Eshtë e rëndësishme për ne të luajmë si vjet, por edhe të përmirësohemi, sepse gjërat do të vështirësohen”, ka thënë Drogba. “Ne jemi kampionë këtë sezon dhe do të jetë shumë e vështirë. Skuadrat e tjera po forcohen duke blerë lojtarë të rinj. Megjithatë, skuadra jonë është e uritur për sukses. Mund të mos kemi blerë shumë lojtarë, por kemi lojtarët e vjetshëm dhe plus kemi marrë Benajunin dhe Ramiresin.

Eshtë shumë herët të dërgojmë ndonjë mesazh, por i vetmi mesazh që kemi çuar është ai drejtuar vetes, sepse treguam se megjithëse nuk jemi në formën më të mirë fizike, prapë mund të luajmë futboll të bukur.” Ashtu si lojtarët e tjerë të Çelsit që kanë luajtur në Kupën e Botës, përfshirë treshen e Anglisë, Lampard, Terri dhe Eshli Kol, Drogba nuk ka pasur kohën e përshtatshme për t’u përgatitur për sezonin e ri të Premier Ligës, pasi sulmuesi i Bregut të Fildishtë ka bërë një operacion për t’u shëruar nga një problem i hernias, që e ka pasur prej kohësh.

“Siç e kam thënë edhe më parë, ne nuk jemi ende gati dhe pjesa më interesante është se luajtëm mirë”, ka thënë Drogba, fitues i Këpucës së Artë vjet, me 29 gola. “Ne kemi kualitetin dhe identitetin të luajmë mirë futboll. Kjo skuadër është e aftë të përshtatet me vështirësitë. Kur jemi në formë të mirë do të luajmë edhe më mirë e do të fitojmë më me lehtësi.” Ançeloti e ka përshkruar rezultatin e së shtunës si “asgjë të veçantë” dhe beson se kur secili prej lojtarëve të jetë në formë të mirë, Çelsi mund të përmirësohet edhe më shumë.

“Na u desh t’i linim lojtarët tanë që luajtën në Botëror edhe disa ditë pushim më shumë”, ka thënë trajneri italian. “Ishte e nevojshme për ta që të rekuperoheshin më mirë dhe nuk mund t’i aktivizonim që në ndeshjen e parë parasezonale. Kundër Uest Bromit ata treguan formë të mirë, ndoshta jo më të mirën, por do të kenë kohë të kapin formën e tyre më të mirë.”



http://www.sportishqiptar.com.al/didie-drogba-ky-nuk-eshte-maksimumi/

Leave a Comment

%d bloggers like this: