Demonstratat në Egjipt, evakuohen 100 shqiptarë

Qeveria shqiptare po merr masa për të evakuuar shtetasit e saj që ndodhen në Egjiptin të përfshirë në valën e protestave të opozitës. Në kulmin e zhvillimit të protestave në Kajro, qeveria ka urdhëruar nisjen e një avioni special për tërheqjen e 100 shtetasve shqiptarë, ndër të cilët dhe 20 punonjës policie. Në lidhje me këtë situatë jo normale, ku kanë nisur protestat, ministria e Punëve të Jashtme shqiptare ka nxjerrë një njoftim në faqen zyrtare të saj ku i kërkon shtetasve të saj të shmangin udhëtimet drejt Egjiptit. Në këtë njoftim zyrtar ministria e Punëve të Jashtme njofton qytetarët e saj se prej disa ditësh Egjipti po përjeton një situatë të pastabilizuar politike dhe shoqërore. “Ngjarjet e ditëve të fundit dhe protestat masive kanë krijuar probleme në komunikim dhe shërbimet ndaj qytetarëve. Qeveria egjiptiane ka vendosur kufizime të lëvizjes nga ora 18:00 deri në orën 07:00 në Kajro, Aleksandri dhe Suez deri në një njoftim të dytë. Duke marrë shkas nga kjo situatë ministria e Punëve të Jashtme këshillon qytetarët shqiptarë, të cilët ndodhen në Egjipt, apo që dëshirojnë të udhëtojnë për atje, të eliminojnë çdo udhëtim të panevojshëm për momentin, të shmangin zonat e protestave si dhe të bëjnë kujdes në vendet publike”, – thuhet në njoftimin për shtyp. Ndërkohë që vetë Shqipëria është përfshirë nga protestat e opozitës dhe situata politike është e tensionuar. Nisur nga kjo ambasada e SHBA-së në Tiranë i ka bërë apel shtetasve të saj që të shmangin vendet ku zhvillohen protestat. Më 28 janar kjo ambasadë mbyllën zyrtarisht punën e saj. “Ambasada njofton se do të mbyllet më 28 janar dhe këshillon personelin e saj të kufizojnë lëvizjet gjatë kohës së zhvillimit të demonstratës. Ne ju rikujtojmë qytetarëve amerikanë se edhe demonstratat që mendohet të jenë paqësore mund të shndërrohen në demonstratat të dhunshme dhe të paparashikueshme” thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane.
Evakuimet
Ambasadori shqiptar në Kajro, Nuri Domi bëri të ditur se 100 shqiptarë pritet të kthehen në Shqipëri pasi e konsiderojnë situatën në Egjipt të rrezikshme për jetën. “Shtetasit shqiptarë që qëndronin në Egjipt për arsye të ndryshme kërkuan të kthehen në Shqipëri dhe pritet që kthimi të bëhet brenda pak orësh”, – tha Domi. Më tej diplomati shqiptar shton se pritet që edhe në ditët në vijim të ketë kthime të tjera të shqiptarëve që qëndrojnë në Egjipt për studime, punë, pushime apo arsye të tjera. Ambasadori shqiptar në Egjipt thekson se qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion dhe një avion për kthimin e shtetasve të saj. Ministria e Brendshme shqiptare me një njoftim për shtyp duke konfirmuar informacionin e ambasadorit shqiptar në Kajro, Nuri Domi. Ministria e Brendshme thekson se evakuimi i shqiptarëve nga Egjipti po bëhet menjëherë për të shmangur rreziqet për shtetasit tanë atje.

Mbi 70 kosovarë mbeten të bllokuar në Kajro

Nderkohe qe mbi 70 kosovarë kërkojnë ndihmë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës për t`u evakuuar nga Egjipti, për shkak të protestave të dhunshme që kanë përfshirë vendin.
Lajmi bëhet i ditur nga agjensia e lajmeve “Ina” e cila citon burime nga komuniteti kosovar në Kajro. Sipas përfaqësuesit të komuniteti kosovare në Kajro Beqir Ismaili janë rreth 50 studentë dhe 20 shtetas të tjerë që kanë ngelur të izoluar dhe kërkojnë ndihmë për evakuim nga Ministria e Jashtme e Kosovës.
“Është shumë vështirë, sepse studentët sidomos nuk kanë para dhe mezi ia dalin për të tejkaluar këtë krizë që është shumë e vështirë. Kërkojmë urgjentisht që MPJ e Kosovës të mundësojë një avion për të na ndihmuar. Por, tani për tani nuk kemi përgjigje nga Prishtina zyrtare”, theksoi Ismaili.
Sipas tij, ambasada serbe në Kajro i ka ofruar ndihmë 15 studentëve, të cilët kanë udhëtuar drejt Beogradit.
“Sot presim që një ndihmë të na ofrojë ambasada e Shqipërisë dhe ambasada e Bosnjës, që kanë premtuar disa vende, por nuk jemi të sigurt. Do të presim deri të shtunën mos po qetësohet situata, por është shumë keq sidomos për studentët që nuk kanë kushte dhe para dhe mezi mbijetojnë në këtë kaos dhe krizë të rëndë të papërshkruar në Kajro dhe qytetet tjera”, theksoi Beqir Ismaili.

Leave a Comment

%d bloggers like this: