Championsi cakton rrugën drejt grupeve

Shorti përcakton ndeshjet me eliminim direkt, që vlejnë një vend në fazën me grupe të Ligës së Kampionëve

Dje është hedhur shorti që ka përcaktuar dhjetë ndeshjet e “play off”-it, i vlefshëm për të marrë pjesë në fazën me grupe të Ligës së Kampionëve. Pesë çifte mes skuadrash që kanë fituar kampionatin në vendet respektive dhe pesë çifte me ekipe jokampionë do të përcaktojnë dhjetë “fatlumët” që do të vazhdojnë më tej në veprimtarinë më prestigjioze.

Shorti i grupeve do të hidhet me 26 gusht. Sampdoria duhet të eliminojë Verder Bremenin për të debutuar në fazën me grupe, ashtu si Totenhemi që do të ketë përballë suprizën Jang Bojs. Dinamo e Kievit, superfuqi e futbollit ukrainas, do të “përplasë brirët” me Ajaksin, katër herë kampion i Europës.

Interesant është edhe derbi iberik mes spanjollëve të Seviljes dhe Sporting Bragës.
Kampionët – Për disa shtete pa traditë në Ligën e Kampioneve, shfaqet mundësia e përfaqësimit me ekipet e tyre kampionë. Debreceni dhe APOELI e gjetën veten e tyre në fazën me grupe gjatë edicionit të kaluar dhe tani futbollistë të tjerë modestë, si ata të ekipit sllovak të Zilinas kërkojnë mundësinë e tyre. Mes atyre që ëndërrojnë është edhe Sherifi i Tiraspolit.

Kampionët e Moldavisë eliminuan dy Dinamot (Tiranë dhe Zagreb), ndërsa në “play off” do të vihen përballë Bazelit, kampion i Zvicrës. Mes sfidave në grupin e ekipeve kampione spikat edhe derbi mes Spartës së Pragës dhe Zilinës, respektivisht kampionë në Çeki dhe Sllovaki. Një tjetër derbi do të luhet në veri të Europës mes Rozeborgut dhe Kopenhagenit, ndërsa Salcburgu është vënë përballë Hapoel Tel-Avivit. Anderlehti do të ndeshet me “titanët” serbë të Partizan Beogradit.
Jo kampionët – Padyshim që ndeshjet mes ekipeve jo-kampione ku ndodhen emra më të bujshëm janë edhe më interesantë.

Sevilja dhe Verder Bremeni dy pesha të rënda në edicionet e fundit të Kupave të Europës pritet të kenë një punë të vështirë, ndryshe nga Totenhemi që do të ndeshet me një ekip debutues. Spërsat nuk kanë arritur asnjëherë në fazën me grupe të Championsit, por vendi i katërt në kampionatin anglez i jep mundësinë që duke kaluar Jang Bojsat e Zvicrës, t’ia dalin mbanë të luajnë mes 32 më të mirave. Sampdoria, finaliste në vitin 1992, nuk ka luajtur në asnjë edicion të Championsit, që kur kjo veprimtari ndryshoi emër dhe format nga Kupa e Kampioneve në Champions Leguae. Sampi do të ketë një finale të vërtetë ndaj Verder Bremenit.

Dueli Kasano-Ozil do të jetë reklama më e mirë për atë që do të jetë Championsi i këtij sezoni. Ndërkohë, supriza e kampionatit të kaluar portugez, Braga, do të ketë përballë Seviljen, fituese e tri trofeve europianë në pesë vitet e fundit. Dinamo e Kievit do të luajë ndaj Ajaksit, ndërsa Okseri, që arriti podiumin e kampionatit francez në sezonin e kaluar, do të ketë përballë Zenitin e Shën Petërsburgut, skuadra e drejtuar nga Luçiano Spaleti, e cila kryeson bindshëm kampionatin rus.



http://www.sportishqiptar.com.al/championsi-cakton-rrugen-drejt-grupeve/

Leave a Comment

%d bloggers like this: