Çelen aplikimet për studimet në Itali

Tiranë – Të gjithë maturantët që dëshirojnë të ndjekin studimet në universitetet italiane, mund të tërheqin pranë sportelit të ambasadës një dosje të veçantë për pararegjistrimin.
Kjo dosje, përmban formularët e nevojshëm dhe udhëzimet përkatëse të plotësimit, si dhe kalendarin për paraqitjen e kërkesave. Sipas ambasadës italiane, kërkesa duhet të paraqiten nga data 7 deri më 21 qershor.

Për kryerjen e kësaj procedure nevojitet dorëzimi i dokumentacionit përkatës, i cili duhet të përmbajë kërkesën e regjistrimit të plotësuar, së bashku me dy fotokopje të thjeshta. Në këtë kërkesë duhet të shënohet vetëm një degë universitare që kandidatët duan të ndjekin. Dega e zgjedhur nuk mund të ndryshohet më në fazat e mëpasshme të aplikimit.

Po ashtu, dosja duhet të përmbajë edhe formularin e autentikimit të fotografisë, duke e plotësuar me të dhënat individuale. Dosja duhet të përmbajë edhe titullin përfundimtar të shkollës së mesme në origjinal (Dëftesë Pjekurie). Për t’u regjistruar pranë universiteteve italiane, duke filluar nga ky vit, është e detyrueshme certifikata e njohjes së gjuhës italiane “CELI 3”, lëshuar nga Universiteti i Peruxhas në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës.

Po ashtu, për të ndjekur studimet e larta në këto universitete është kusht i domosdoshëm marrja e notave kaluese në të dyja provimet fakultative, që janë të nevojshme për regjistrimin në universitetet shqiptare. Këto informacione janë të vlefshme vetëm për juridiksionin e kancelarisë konsullore të ambasadës italiane në Tiranë, saktësisht për ata studentë, të cilët pasaportën e kanë tërhequr pranë komisariateve të rretheve: Tiranë, Durrës, Kavajë, Peqin, Elbasan, Gramsh, Librazhd, Bulqizë, Mat, Krujë, Kurbin, Pogradec, Korçë, Devoll dhe Kolonjë. Pjesa tjetër e të interesuarve duhet t’i drejtohen përkatësisht konsullatave italiane në Vlorë e Shkodër, sipas juridiksionit përkatës.

Gazeta start  2010-05-27 14:48

Leave a Comment

%d bloggers like this: