Canaj: Shkumbini në shina, në janar përforcime

Trajneri i Shkumbinit, Agim Canaj, deklaron se ka mundur të gjejë ritmin e duhur te skuadra. Titulli duket larg, skuadra do të meremetohet në pushimin e kampionatit

Zëvendësoi Mirel Josën pas javës së dytë të kampionatit dhe duket se ka bërë më të mirën nga ekipi që gjeti. 12 pikë në 7 ndeshje nuk janë pak, madje ritmi është i njëjtë me Skënderbeun e Flamurtarin, skuadra të cilat bardhekaltërit i kanë mposhtur në Peqin. Por Agim Canaj kërkon të qëndrojë me këmbë në tokë. “Unë nuk e kam shkopin magjik. Skuadra ishte disi e çorientuar, sepse një skuadër province sikundër është Shkumbini, nuk mund të përballojë menjëherë ndryshimin nga një ekip i nivelit të mesëm në një ekip që pretendon titullin kampion. Këtë psikologji e kanë vuajtur edhe Flamurtari apo Besa në të shkuarën, ndaj duhet të bëjmë kujdes. Do t’i marrim ndeshjet me radhë dhe do të shpresojmë më të mirën,” ka deklaruar trajneri i Shkumbinit, Agim Canaj.

Efekti “Gërboviç”

Viktima e fundit e peqinasve ka qenë rivali i urryer, Elbasani. Verdheblutë nuk mundën të përballonin furinë e miqve në ndeshjen e luajtur në “Ruzhdi Bizhuta”. Takimi ka qenë i luftuar, por peqinasit kanë arritur të fitojnë vetëm në fund të ndeshjes, kur boshnjaku Gërboviç bëri “fotokopjen” e ndeshjes me Vllazninë, duke i dhënë ekipit të tij tri pikë të merituara. “Gërboviç është një lojtar interesant – shton Canaj -. Në këto dy ndeshje është treguar shumë konciz, duke i dhënë skuadrës maksimumin. Natyrisht që ai është nën vëmendjen time dhe në të ardhmen mund t’i besoj një fanellë titullari.”

Shkumbini dje, Shkumbini sot

Pesë sezone me parë, Agim Canaj ka qenë në krye të Shkumbinit. Por diferenca e Shkumbinit të atëhershëm është si nata me ditën me Shkumbinin e sotëm. “Ndryshimet janë thelbësore, duke nisur nga infrastruktura. Edhe mjedisi sportdashës në Peqin ka ndryshuar. Nuk është më ai agresiviteti i dikurshëm. Por, besoj se ka ende punë për të bërë. Stadiumi i Peqinit ka një fushë shumë të mirë, por në këtë nuk duhet bërë stërvitje. Unë nuk i lejoj lojtarët e mi të bëjnë stërvitje aty, sepse nuk është pjesë e edukatës sime të punës, por nëse do të kishim edhe një fushë të mirë stërvitjeje, edhe rezultatet për Shkumbinin do të ishin më të mira”.

Canaj kërkon përforcime

Ndonëse kapitulli “titull” duket larg, ai i Kupës së Shqipërisë dhe i zonën europiane është ende i hapur. Por, që të arrihen këto objektiva, Canajt i duhen lojtarë në merkaton e janarit. “Patjetër që na nevojiten përforcime. Skuadra ka gjetur ritmin e duhur, vërtet, por kemi nevojë për lojtarë cilësorë dhe rezultatet do të jenë edhe më bindëse,” ka përfunduar deklaratën e tij trajneri i Shkumbinit, Agim Canaj.

Superliga

Java 10

Vllaznia – Elbasani

Shkumbini – Tirana

Teuta – Bylis

Besa – Kastrioti

Dinamo – Laçi

Flamurtari – Skënderbeu

Renditja

Skuadra N P

1) Dinamo 9 22

2) Skënderbeu 9 19

3) Flamurtari 9 19

4) Shkumbini 9 13

5) Tirana 9 12

6) Teuta 9 12

7) Vllaznia 6 11

8) Laçi 9 10

9) Bylis 9 7

10) Besa 9 7

11) Kastrioti 9 7

12) Elbasani 9 6 (-3)

*Shënim: Elbasanit i janë hequr 3 pikë nga renditja

Leave a Comment

%d bloggers like this: