Calciopoli edhe në Shqipëri

Organizata më e madhe e Futbollit, FIFA ka kërkuar nga Federata Shqiptare e Futbollit (F.SH.F) që të hetohen akuzat që ditë më parë dolën në shtypin shqiptar për kurdisjet e ndeshjeve në kampionatin shqiptar. Ndërsa premtimi i FSHF-së për FIFA-n është se do të ketë reagim pas akuzave të rënda për kurdisjeve të ndeshjeve në kampionatin shqiptar të sezonit të kaluar.

Dëshmia tronditëse e publikuar pak ditë më parë, e ish-futbollistit të Apolonisë Hekuran Korreshi, ka shkaktuar një tronditje të vërtetë në futbollin shqiptar. Ish-lojtari i skuadrës fierake, nëpërmjet një deklarate të firmosur përpara noterit, ka bërë të ditura detaje të tmerrshme të mënyrës sesi janë trukuar shumë ndeshje të Apolonisë në sezonin e shkuar. Deklarata është përpiluar përpara noteres Adelina Panajoti dhe mban datën 7 dhjetor 2010, ndërkohë që Korreshi shkruan se ndeshjet Apolonia-Besa (0-2), Flamurtari-Apolonia (2-0), Apolonia-Shkumbini (1-1), Skënderbeu-Apolonia (1-1) dhe Flamurtari-Apolonia (1-1), kanë qenë të gjitha të trukuara. Një fakt tronditës, i treguar nga një futbollist që mund të quhet i penduari i parë i futbollit shqiptar. Përpara këtyre akuzave nuk mund të qëndronte duarkryq as Federata e Futbollit, që dje ka bërë të ditur se do të nisë hetim nga ana e saj. Por, FSHF kërkon për këtë edhe ndihmën e Prokurorisë. “Ky hetim nisi një vit më parë, – bëri të ditur Federata nëpërmjet shefit të Sektorit të Garave Ilir Shulku. – Apolonia çoi në Prokurori futbollistin Marenglen Shoshi, por deri më sot neve nuk na ka ardhur ndonjë fakt nga organi i akuzës. Ne do të nisim sërish hetimin tonë, do të dërgojmë edhe këtë herë inspektorët e Komisionit të Disiplinës në Fier, por duhet një ndihmë nga Prokuroria që të mund të faktojmë akuzat. Nëse ato vërtetohen, çështja do të gjykohet nga organet tona juridike dhe do të merren masa”, shtoi Shulku. Akuzat e bëra nga Korreshi tregojnë detaje të një skandali të vërtetë, që në rast vërtetimi, do të mjaftonin për nisjen një Calciopoli edhe në Shqipëri. “Kam dëgjuar nga lojtari Sulejman Hoxha, se Albert Kaçi kishte vënë bast një shumë prej 2 000 000 (2 milionë të reja) lekësh për humbjen e Apolonisë, në favor të Besës. Bastin e kishte vënë nëpërmjet një miku të tij, në qytetin e Shkodrës”, shkruan Korreshi. Sipas tij, në këtë trukim janë përfshirë edhe Shoshi, Sulejman Hoxha apo Agim Meto. “Për ndeshjen me Flamurtarin, Varfi na kërkoi ta nxirrnim rezultatin 1/1 (njësh-njësh me pjesë). Varfi na tha se do ta bënte këtë nëpërmjet një shokut të tij në Gjermani. Një orë para ndeshjes, Shoshi na tha të vinim baste me telefon”, ka akuzuar më tej ish-lojtari i Apolonisë. Për ndeshjen me Shkumbinin, ai thotë: “Marenglen Shoshi më kërkonte që unë të negocioja me drejtuesit e Shkumbinit, në dëm të Apolonisë. Fola me Çaushajn e Shkumbinit dhe ata ranë dakord në telefon për trukimin kundrejt 1 milionë lekëve”.

Leave a Comment

%d bloggers like this: