Bizhdili: Unë nuk premtoj, unë jap para

Presidenti kavajas, Nexhat Bizhdili, akordon shpërblimin prej 50 mijë lekësh për superkupën

Si asnjëherë tjetër më parë, presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, para sfidës së sotme me Dinamon, e vlefshme për Superkupën, nuk ka pranuar të flasë me optimizmin e tij të zakonshëm. Megjithatë, pas këmbënguljes sonë, ai ka pranuar ta bëjë publike shumën e shpërblimit në rast fitimi të këtij trofeu. Dhe kjo shumë është 50 mijë lekë për çdo futbollist

.Po pse presidenti i Besës hesht, vërtet nuk i intereson Superkupa? Cilin ekip rival vlerëson më shumë ai këtë sezon? Në prag të kampionatit të ri, a do të jetë ky kontigjent apo do të ketë ende përforcime? Ja si përgjigjet presidenti Bizhdili:

Zoti Bizhdili, a mund ta quajmë zyrtarisht të mbyllur merkaton e Besës?
– Kanë mbetur vetëm pak ditë nga mbyllja e merkatos dhe ende komiteti ekzekutiv nuk është përgjigjur për kërkesën tonë në lidhje me numrin e të huajve që mund të aktivizohen në një ekip. E them këtë, sepse kam kontaktuar me dy futbollistë të huaj dhe ata presin verdiktin e FSHF-së. Aktualisht, kemi 8 futbollistë të huaj dhe për paradoks, ndërsa shqiptarët matanë kufijve i thërrasin në kombëtare, ata që luajnë në superligë i trajtojmë si të huaj. Me pak fjalë, merkaton e Besës ende nuk e quaj të mbyllur zyrtarisht.

A është ky grup futbollistësh i aftë ta realizojë objektivin që i keni vënë?
– Sigurisht që po. E kam thënë edhe më parë se kemi marrë futbollistë me përvojë. Kemi edhe të rinj në moshë, por që kanë jo pak vite përvojë, siç janë Aliju, Semir Haxhibuliç, Osmani, Cikalleshi, Shtini e të tjerë. Objektivi ynë mbetet i njëjtë me atë të sezonit të shkuar, luftë për titullin dhe kupën. Pjesëmarrja në Kupat e Europës mbeten objektivi minimal.


Pas miqësoreve, vjen takimi i parë zyrtar, superkupa. Homologu juaj, Besnik Sulaj, ka premtuar 100.000 lekë për çdo futbollist në rast fitoreje, po ju?

– Pa dashur të lëndoj askënd nga homologët, pyesni futbollistët që u larguan këtë vit dhe këdo që ka luajtur me Besën se sa Bizhdili i mban premtimet. Unë nuk kam qejf të premtoj shifra, unë i jap paratë ende pa u tharë djersa e futbollistëve. Kam vendosur të jap 50 mijë lekë për çdo futbollist në rast fitoreje. Nuk ka arsye të jap më shumë, pasi një javë më pas, kur të luajmë me Skënderbeun, më duhet të jap shpërblim tjetër.

Pra, po thoni se prisni vetëm fitoren me Skënderbeun?
– Vitet e fundit, që kur jam president i Besës, korçarët i kemi mundur në Kavajë dhe disa herë edhe në Korçë. Vërtet që sivjet Skënderbeu është forcuar ndjeshëm, sidomos në prapavijë me lojtarët që mori nga ne, por përsëri fanella e Besës peshon më shumë. Duke shtuar faktin se ndeshja luhet në Kavajë, në fushën e re, nisja me fitore e kampionatit mbetet dëshirë e të gjithëve.

Së fundi, çfarë prisni nga kampionati i ri dhe cilët mendoni se janë rivalët tuaj?
– Para së gjithash, falënderoj FSHF-në, që ka investuar sivjet në shumë fusha, në Peqin, Korçë, Kavajë etj. Si asnjëherë më parë, do të luhet në fusha pa baltë dhe ujë dhe kjo besoj se do të ndikojë në nivelin e lojërave. Tifozët do të kënaqen më shumë. Ndërsa për rivalitetin mendoj se për herë të parë kryeqyteti nuk do të ketë dominancën. Përkundrazi, do të dominojnë rrethet, Peqini, Korça, Vlora, Shkodra e Kavaja, pa ulur të tjerët.

Pra, Shkumbini, Flamurtari, Skënderbeu, Dinamo, Tirana, Vllaznia dhe Besa ime, për mua janë të barabarta dhe secila do të synojë titullin. Do të jetë kampionati më i bukur dhe më i fortë që keni parë në këto 10 vitet e fundit. Shpresoj që kjo të rrisë ndjeshëm numrin e tifozëve në stadiumet tona.



http://www.sportishqiptar.com.al/bizhdili-une-nuk-premtoj-une-jap-para/

Leave a Comment

%d bloggers like this: