Bie niveli i krimit nga shqiptarët në botë, integrohen në jetë të rregullt

Flet Ylli Toska, drejtor i filialit të “Terrorizmi – Sfida e Inteligjencës”, në Britaninë e Madhe

TIRANË – Bie niveli i krimit, shqiptarët të integruar dhe familjarë të rregullt, ka ikur koha kur shqiptarët ishin si “delja e zezë”, e Evropës dhe e shteteve të tjera të botës. Kështu është shprehur Ylli Toska drejtor i filialit të “Terrorizmi – Sfida e Inteligjencës”. Sipas tij, “kjo dukuri pozitive për bashkatdhetarët tanë kudo që jetojnë, jashtë kufijve të Atdheut nuk vjen se duam ne të prononcohemi, por janë vet komunitetet e atjeshme dhe përfaqësuesit shtetëror që pohojnë në takimet që bëjmë gjatë këmbimit të vizitave brenda dhe jashtë vendit”. “Ajo që dua të them, -pohon për gazetën një prej drejtuesve të Qendrës Shqiptare të Studimit mbi Terrorizmin dhe Krimin e Organizuar z. Ylli Toska,- është se në takimet që kam bërë muajt e fundit në seminaret e organizuara me OJF të ndryshme në Britaninë e Madhe apo dhe në shtetet e tjera të botës, ka ndryshuar komplet opinioni, si dhe qëndrimi ndaj bashkatdhetarëve tanë. Kjo sipas meje shton z. Toska qëndron në faktin se kudo në komunitetet e huaja ku jetojnë shqiptarët janë integruar në jetën e përditshme, gjë e cila ka bërë që kurba e krimit qoftë e atij të organizuar, vetjak apo banal të bjerë ndjeshëm. Kam pasur disa takime muajin e fundit në Angli, Itali, Gjermani dhe së fundi në Zvicër ku u prita në takim edhe nga Felix Ceçato, një nga personalitetet më në zë të policisë zvicerane, të luftës antikrim të këtij vendi. Normalisht kjo ftesë nuk erdhi për turizëm, por, si kolegë e miq dhe pritësit zviceranë ishin të mirinformuar për qendrën tonë studimore dhe për më shumë ishin në dijeni të plotë rreth reputacionit të saj, aktivitetit dhe shtrirjes së saj veç Shqipërisë dhe në disa shtete të tjera si Itali, Angli, Francë, Kosovë, Maqedoni e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Zvicër u ndjeva i vlerësuar që në takimin e parë organizuar në aeroportin e Cyrihut, ku kishte dalë për të na pritur me korrektësi protokollare z. Felix Ceçato, një nga drejtuesit kryesorë të policisë së Bernës, me të cilin gjatë bisedës, ndamë mendimet për bashkëpunimin në luftën për parandalimin e krimit e në veçanti, përfshirjen e shtetasve shqiptarë, rezident në Zvicër. Ajo që ra në sy gjatë takimit ishte dhe pohimi i z. Felix Ceçato se kurba e krimit në këtë shtet ka rënë dhe se shqiptarët tashmë janë integruar dhe janë bërë familjarë të rregullt. Shtetari i rëndësishëm i policisë zvicerane foli me superlativa për vëllezërit tanë, jo vetëm të Shqipërisë, por dhe të Kosovës e Maqedonisë. Janë njerëz punëtorë, shikojnë punën e familjet e tyre, janë shkrirë me komunitetin ku jetojnë, zbatojnë rregullat e bashkëjetesës dhe ligjet e vendit dhe kemi shumë pak të inkriminuar nga radhët e tyre më deklaroi me solemnitet drejtuesi i policisë. Në këtë qëndrim katër ditor me një axhendë të ngjeshur takimesh komunikova në telefon me Kastriot Noli, punonjës i ambasadës shqiptare në Zvicër ku gjeta vlerësimin dhe mirëkuptimin e këtij të fundit për rolin dhe misionin e qendrës që përfaqësoj dhe gatishmërinë e bashkëpunimit në dobi të vendit tonë e mbi të gjitha bashkëpatriotëve tanë. Në të njëjtën linjë ishte dhe biseda me përfaqësuesin shqiptar të Kosovës. I thjesht e mirëkuptues në këtë vizitë, ishte dhe takimi me ambasadorin e Maqedonisë në Zvicër, zotin Ramadan Nazifi, i cili veç një diplomati karriere e i suksesshëm, ishte njëri me kapacitet kulturor, njerëzor, e mbi të gjitha ishte shqiptar”. Për të gjitha problemet që kanë dalë gjatë takimeve të bërë nga kreu i “ Terrorizmi – Sfida e Inteligjencës” dhe për mbarëvajtjen e punës disa vjeçare nga krijimi i saj, ne i morëm një intervistë zotit Ylli Toska njëkohësisht dhe z. drejtor i Agjencisë së Kërkimit dhe Identifikimit.

Cili është bashkëpunimi juaj me organet e policisë në vendet e tjera ku ju keni ngritur edhe filialet në luftë kundër krimit titulluar “Terrorizmi – Sfida e Inteligjencës” ?

Ajo që dua të shtoj që në fillim të kësaj interviste është se: “Atje ku ekziston mirëkuptimi njerëzor, zbatimi i ligjeve dhe kultura demokratike, midis njerëzve, intelektualëve dhe profesionalistëve gjendet menjëherë gjuha e përbashkët, pasi gjithçka bëhet për të mirën e njerëzimit, për të mirën e demokracisë, për të mirën e të ardhmen e fëmijëve tanë”. Unë jam edhe zv/drejtor i Agjencisë së Kërkimit dhe Identifikimit e Fëmijëve të Humbur, Njerëzve të Humbur dhe Femrave të Trafikuara, kjo është një degë brenda qendrës, e cila u vjen në ndihmë familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre nëpër botë. Në këtë tranzicion të tejzgjatur shumë probleme jo vetëm janë agravuar, por dhe janë shtuar, kryesisht mes viteve ‘90-2000 ku shoqëria jonë në këtë fillim tranzicion pati dhe shtimin e fenomeneve që nuk ishin hasur për gjysmë shekulli në shoqërinë tonë. Këtu nuk dua të bëj një bilanc të atyre ngjarjeve që jemi vetë të gjithë dëshmitarë dhe që krimet arritën kulmin në 1997, por dua të them se nga krijimi i mijëra problemeve të familjeve tona, lindi dhe nevoja e krijimit të një qendre si kjo e jona që u vjen në ndihmë qindra familjeve për t’i ndihmuar në gjetjen e fëmijëve, vajzave, të moshuarve, të humburve, kthimin e femrave të trafikuara. Nisur nga ky qëllim i krijimit të kësaj qendre me drejtor të saj të përgjithshëm, Maksim Ferra, u bë e mundur dhe krijimi i disa filialeve për të arritur të plotësojë objektivin e saj të vetëm “Terrorizmi – Sfida e Inteligjencës”, pasi vetëm kështu jo vetëm do t’ju vijmë në ndihmë njerëzve, por dhe do të luftojmë krimin kudo që ai të shfaqet apo ta zbulojmë. Tani t’i kthehemi përgjigjes tuaj, sapo kemi ngritur filialet në shtetet që unë përmenda në prononcimet pak më lartë u prezantuam me policinë e komuniteteve përkatëse dhe prej atij momenti fillonte dhe bashkëpunimi në luftë kundër krimit. Mundet të them me bindje se kanë kaluar më shumë se 7 vjet dhe qendra jonë ka zgjidhur qindra probleme, ka kthyer me dhjetëra vajza të trafikuara, ka gjetur disa njerëz të humbur, ka denoncuar dhjetëra krime dhe nxjerrë nga strofulla e fshehjes disa persona të kërkuar për krime të ndryshme deri dhe vrasje. Të gjitha këto t’i quajmë më shumë punë, ka ardhur falë këtij bashkëpunimi me organet blu të vendeve ku kemi ngritur filialet dhe drejtuesve tanë profesionistë.

Cilat janë takimet tuaja frutdhënëse me bashkatdhetarët kudo që ka komunitete të integruara pas 1990-ës dhe a ia ka arritur qëllimit puna e qendrës?

Kjo pyetje të bënë që të citoj se cili ka qenë qëllimi i ngritjes së kësaj qendre dhe objektivat që do të arrinte me punën e saj. Sipas drejtorit ekzekutiv, Maksim Ferra, qëllimi kryesor i ngritjes së kësaj qendre si “Organizatë Jofitimprurës”, është që shoqëria civile, shteti shqiptar, si dhe të gjithë anëtarët e komunitetit shqip-folës kudo që mund të ndodhen, kanë emigruar dhe janë rezident, të kenë një organizëm ligjor më shumë në parandalimin e terrorizmit dhe krimit të organizuar në shoqërinë e tyre. Më pas kreu i ekzekutivit shtoi se: “Misioni i saj kryesor është që nëpërmjet veprimtarisë së specialistëve, punës studimore dhe praktike të tyre, në bashkëpunim me institucionet ekzekutive të ngarkuara me ligj dhe organizatat civile brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të interesuara për luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar, të japë ndihmesën e kualifikuar në parandalimin e kësaj veprimtarie keqbërëse. Pra, nisur nga ngritja e qendrës dhe në vijim të punës tonë ne kemi avancuar duke ngritur filiale në të gjitha vendet ku ka komunitete shqipfolëse dhe po në ato shtete kemi arritur të ngremë punën tonë kundër krimit të organizuar. Por ajo që dua të shtoj dhe është për t’u përmendur është fakti se nga filialet tona brenda vendit që tashmë i kemi të ngritura në të gjitha qytetet kryesore të vendit, mbledhim informacione të ndryshme duke filluar nga emrat e personave të humbur, femrave të trafikuara, fëmijëve, si dhe autorëve të vrasjeve, personave në kërkim për vepra penale të ndryshme që i fshihen drejtësisë duke u larguar vendi jonë në emigrim dhe duke fshehur identitetin e tyre. Tani të vijmë tek përgjigja e pyetjes tuaj, po në të gjitha filialet ku janë ngritur dhe unë fola pak më lartë se ku i kemi ngritur dhe jemi në takime të tjera dhe bashkëpunime për të ngritur edhe filiale të tjera atje ku ka shqipfolës, ne kemi bërë me dhjetëra takime dhe kemi

ngritur punën tonë specifike dhe deri tani kemi pasur me dhjetëra veprimtari të suksesshme në zgjidhjen e shumë problemeve. Me punën tonë u kemi ardhur disa herë radhazi organeve blu të shtetit tonë, plus punës bindëse që kemi bërë gjatë takimeve duke propaganduar ligjet e shtetit tonë, por dhe të shtetit ku janë shqiptarët të integruar. Po kështu në shumë nga filialet tona kemi arritur të bëjmë dhe disa parandalim krimi apo kryerje të veprave qofshin këto dhe banale. Nisur nga këto takime kemi arritur që të gjejmë dhe t’ju vijmë në ndihmë disa familjeve për fëmijët apo vajzat e tyre, si dhe për disa persona që familja i ka quajtur të zhdukur e plot probleme të tjera të kësaj natyre.

Më konkretisht çfarë keni bërë në këtë drejtim?

Etika dhe vetë natyra e punës nuk më lejon të shprehem më shumë dhe më konkretisht, por e them me bindje se veç punës të vetë komunitetit, familjeve në përgjithësi, si dhe zbatimit të ligjeve të shteteve ku ka shqipfolës edhe puna jonë ka qenë vendimtare që pas kaq viteve të vijnë reagime të mira për bashkatdhetarët tanë. Unë mund të them se ne tashmë kemi gati 10 vjet që punojmë në filialet që kemi ngritur të parat dhe nuk ishte kollaj që të hyje në bashkëpunim me organet blu të shteteve në fjalë, ato vite jo vetëm që nuk të afronin në bashkëbisedime, ndërsa për probleme të tilla as që bëhej fjalë fare. Vështirësitë që kemi hasur në ato vite kanë qenë sjelljet e veprimet e keqe dhe veprat penale të kryera nga bashkatdhetarët tanë.

Po cila ka qenë puna juaj në këtë rast?

Po, atë do të tregoj madje në këtë rast në detaj për shumë probleme ku kemi punuar në filialet tona me grupe dhe me individ të familjeve që na kanë kërkuar këtë ndihmë në shtete ku jetonin pas emigrimit nga Shqipëria. Në fillim puna jonë ka qenë propaganduese e ligjeve dhe masat shtrënguese të tij të shtetit ku jetonin, kjo nuk ka qenë një rast, një ditë apo muaj kjo ka qenë puna jonë e përditshme, gjë e cila ka bërë që shumë persona kryesisht adoleshentë që kishin marrë rrugën apo që kishin sjellje të keqe të riktheheshin në jetën aktive dhe pranë familjes. Unë nuk them se ndërgjegjësuam në zbatimin e ligjeve mijëra familje ku ka shqipfolës, por mundet të them se jemi dhe ne një nga ndikuesit e ngritjes të opinionit duke parandaluar qoftë dhe një krim ordiner, qoftë dhe një sjellje të pahijshme, apo duke shpjeguar në takime të ndryshme ligjet e atij shteti ku dhe kryenim takimet. Dhe çka është më e rëndësishmja nuk kemi toleruar asnjë nga personat që e dinim që kishte kryer një vepër penale apo që ishte person në kërkim. Pra, mundet të them se puna jonë ka qenë jo vetëm bindëse, shpjeguese, por dhe zbatues të ligjit të shtetit tonë. Madje në këtë të fundit kemi pasur sukses, nuk po e tregoj me emër jo vetëm për etikë profesionale, por dhe se “i prishim punë punës” e thënë në gjuhën tonë ligjore. Por kur kanë parë një “x” komunitet që një apo dy persona në kërkim fshiheshin atje dhe u zbuluan duke u dërguar për të kryer dënimin apo për t’u gjykuar nën arrest ka ndikuar në atë komunitet në parandalimin e dhjetëra veprave të tjera. Kemi pasur raste që vetë ato komunitete kanë pohuar se “x” person nuk na i merrte mendja se do të riktheheshin në Shqipëri për t’u gjykuar apo kryer dënimin.

E çfarë tregon kjo?

Për të gjitha sa fola më lartë po të tregoj se kurba e krimit ka rënë në botë nga shqiptarët e emigruar pas viteve ’90-të dhe disa nga arsyet janë se tranzicionit në Shqipëri po i vjen fundi dhe ligjet do të gjejnë dhe po gjejnë një zbatim më të gjerë me masa shtrënguese më të forta dhe të pa tolerueshëm, çka do të thotë se para ligjit do të përgjigjet gjithkush që ka kryer vepra penale. Me daljen në dritë të pasaportës biometrike nuk do të ketë më shqiptarë të paidentifikuar ndaj gjithkush t’i vërë gishtin kokës dhe të mendohet mirë para se të kryejë një vepër penale. Kjo ka bërë që veprat penale të ulen dhe shqiptarët e emigrimit për ata njerëz të parregullt të mundohen të integrohen duke eliminuar problemet me organet blu të vendeve ku jetojnë. Dhe t’i përgjigjem pyetjes tuaj kjo do të thotë se veprat penale të kryera nga shqiptarët kudo ku ka komunitet shqipfolës kanë ardhur në rënie dhe se shqiptarët janë integruar në komunitetin e tyre, duke u bërë dhe familjar të rregullt, ashtu si edhe kemi traditën tonë shekullore.

Bisedoi: Sulo Gozhina

Leave a Comment

%d bloggers like this: