Besimi në vetvete, si na ndihmon të ecim para

Çdo gjë në jetë fitohet me mund, përpjekje dhe ndonjëherë dështime

Gjithmonë i kemi dëgjuar prindërit të na thonë: “Je më i miri, më i bukuri, më i zgjuari, më simpatiku”. Brezat e rinj e vlerësojnë shumë veten dhe këtë e vërtetojnë studimet e bëra. Një pedagog psikologjie në Universitetin e San Diegos, ka bërë një analizë të përgjithshme, duke vëzhguar të gjitha testet e universitetit ndër vite të pandryshuara e të plotësuara nga 1,3 milionë studentë amerikanë të lindur prej vitit 1946 e deri në 2000. “Kam vënë re dy breza krejtësisht të ndryshëm. Njëri brez bashkon të lindurit mes viteve 1946 dhe 1969: të rinj të rritur në një botë plot rregulla, ku shoqëria ishte më e rëndësishme se sa individi. Ndërsa brezi tjetër përfshin të lindurit mes viteve 1970-2000. Nga testet vihet re ‘brezi unë’, ku përqendrohet qendra e botës”, tregon ai. Por, ku ndryshojnë nga njëri-tjetri këto dy breza? Një djalosh i lindur në vitin 1995, shembulli tipik i “brezit unë”, ka mesatarisht një vetëvlerësim që është 1,86 për qind më i lartë në krahasim me një të ri të lindur në vitin 1968. Ndërsa vetëvlerësimi i femrave nuk është rritur shumë: avantazhi është 71 për qind. Paralelisht është rritur vetëvlerësimi dhe narcisizmi (admirimi i sëmurë i vetvetes), një shqetësim i personalitetit i regjistruar në “Biblën” e psikiatërve. Sipas disa psikiatërve, është e njëjta shoqëri narcisizte. “Kur pastërtia vlerësohet më shumë se mençuria, kur prestigji admirohet më shumë se personaliteti, e kur suksesi është më i rëndësishëm se respekti ndaj vetes, do të thotë se vetë kultura mbivlerëson imazhin dhe duhet të jetë narcisizte”, pohon një psikiatër njujorkez, studiues i narcisizmit. “Në fakt, narcisizmi është mbizotërues”, shton psikiatri. Në teste nuk është e thjeshtë ta ndash nga vetëvlerësimi, por ai ka ndjekur përgjigjet e një pyetjeje tendencioze: “Në vitet ‘50, vetëm 12 për qind e adoleshentëve pohonin “jam një person i rëndësishëm”, ndërkohë që në vitet ‘80 e pohonin vetëm 1,80 për qind e studentëve. Provën e kësaj rritjeje e vëmë re në shkollë: sot studentët “pretendojnë” nota më të larta, pa bërë ndonjë sforco të madhe për t’i fituar”.

Edhe për rezultatet e këtij studimi, studiuesit kanë filluar të pyesin veten se sa e shëndetshme do të ishte një dietë vetëvlerësuese e sforcuar. Në fillim të viteve ‘90, një psikolog në një universitet të Floridës, luftëtar i bindur i dobisë së vetëvlerësimit, kishte kërkuar bazat shkencore të teorisë, që e konsideronte këtë atribut si ilaçin për të gjitha të këqijat sociale. Për muaj të tërë, në bibliotekë kishte studiuar 15 mijë artikujt që flisnin mbi këtë argument. Pas një pune të lodhshme kishte mbetur i zhgënjyer: 15 mijë artikujt që lavdëronin avantazhet e vetëvlerësimit ishin studime të pamjaftueshme. Në fund të këtij studimi kishte ruajtur 200 tema, të cilat po t’i shihje me kujdes, tregonin shumë pak. “Ishte një nga zhgënjimet më të mëdha të jetës sime”, pohon ai.

Duke arritur në këtë pikë, psikologët vendosën se teoria duhej verifikuar që në bazë, duke filluar që nga pyetjet kryesore. Kujt i atribuohet vetëvlerësimi? Deri në atë moment ishte theksuar se kush është i bukur, ka një rritje të vetëvlerësimit. Ai e vërtetoi këtë me anë të një testi. Me të kishte përcaktuar vetëvlerësimin e një grupi të rinjsh, më pas i kishte fotografuar dhe kishte vlerësuar estetikën nga një grup gjykuesish. Rezultati: kush kishte një vetëvlerësim të lartë, shfaqej i veshur mirë dhe e konsideronte veten të bukur, edhe pse nuk ishte. Por jo gjithmonë bukuroshët kishin një vlerësim të madh për veten.

Por nga se lind vetëvlerësimi? Një studim te binjakët me të njëjtën trashëgimi gjenetike dhe trashëgimi gjenetike të ndryshme, dukej sikur shfaqte një farë ndikimi gjenetik. Në vitin 2001, një studim i një ish-dekani psikologjie tregonte se vetëvlerësimi lidhej edhe me sjelljen e pranimit dhe të interesave të prindërve në lidhje me fëmijët gjatë fëmijërisë. Përgjegjësit më të mëdhenj të vetëvlerësimit ishin rrahjet dhe abuzimet seksuale. Vazhdimisht, në harkun e gjatë kohor të jetës, vetëvlerësimi ndikohet nga sukseset dhe dështimet personale.

Por sa e vërtetë është se ai që ka një vetëvlerësim të madh, është i suksesshëm në shkollë e në punë? Edhe kjo pyetje zbulon një legjendë metropolitane. Studimi i bërë në 1970-ën, duke ndjekur një grup fëmijësh për vite me radhë, nga “British Cohort Study” publikuar në vitin 2001, tregonte se fëmijët që në moshën 10 vjeç kishin një vetëvlerësim të madh. Në vitet pasardhëse nuk shfaqnin rezultate më të mira kundrejt fëmijëve me vetëvlerësim jo të lartë.

Edhe studimi i publikuar në 1986-ën nga një ish-psikologe në Universitetin “Iowa” (SHBA) arrinte në të njëjtat përfundime. I kishte analizuar dy herë, mes dy vitesh distancë, të 23 studentët: vetëvlerësimi i matur herën e parë vetëm sa ishte “dobësuar” lidhur me rezultatet e dy viteve më vonë. Edhe sot ato që kanë më shumë sukses në shkollë janë vajzat e bardha dhe djemtë me origjinë aziatike. “Për të mos përkeqësuar vetëvlerësimin e studentëve, shkollat kanë zvogëluar prirjet: mësuesit besojnë se zhvillimi emocional është më i rëndësishëm se zhvillimi intelektual. Rezultati është se janë gjithmonë e më pak të përgatitur për të përballuar rrugë më të avancuara”.
Sot shumë studime kanë treguar se vetëvlerësimi nuk qëndron mes faktorëve që ndikojnë në formimin shkollor. “Djemtë mund të punojnë gjatë për t’u ndier mirë me vetveten, një ndërhyrje kjo që i inkurajon për t’u ndier mirë gjithsesi, pa marrë parasysh se sa studiojnë. Ky fakt mund t’i privojë nga qëllimi për të mësuar, gjë e cila shpjegon përkeqësimin e rezultateve”.

Çdo detyrë e vështirë kërkon një sërë hapash, që mund ta çojnë drejt dështimit. Nëse hiqet dorë menjëherë prej tij, mëson varësinë dhe jo besimin në aftësitë e tua të vërteta. Dështimet në jetë janë të nevojshme, sepse na bëjnë të rrisim besimin në vetvete dhe aftësitë tona të vërteta.

/Shqip/

Leave a Comment

%d bloggers like this: