Besa-Shkumbini, mos vini bast

Shkumbini-Besa nis ashtu si nuk pritej. Gjyqtari Jemini fal Besën me një 11-metërsh që Bakiu e meritoi plotësisht. Por Bakiu një minutë më vonë nuk i fal kavajasit dhe pas një aksioni të shpejtë, e fut topin mes Tragës e Shehit për ta ndalur në rrjetë. Nuk janë vetëm 5 minutat e para. Një gol i Xhafajt me kokë, pas një dalje të gabuar të portierit Bejte është shumë për të thënë se Besa dje e ka merituar fitoren. Kurrësesi. Një barazim duhet t’i kënaqte kavajasit në fund të ndeshjes, sepse më shumë sesa topat e hedhur në zonë në mënyrë spontane dhe të paorganizuar, skuadra kishte humbur pikërisht armën më të fortë, disiplinën taktike.

Në një stadium të mbushur më shumë se zakonishte të etur për një ndeshje të vërtetë, kavajasit që kanë marrë prej koësh pushimet në kampionat, i ngjajnë kryekëput një njeriu që ka ardhur pas 15 ditëve plazh. i lodhur dhe pa dëshirë për të punuar. Pavarësisht potencialit që mund të ketë. Askush nuk merrte përsipër dhe madje aq e lexueshme u bë skema – lojtar-Shkëmbi-lojtar sa dhe vetë Shkëmbi nuk po e preferonte më “duke humbur” 70% të pasimeve në drejtim të të tjerëve. Të tjerët statikë deri në habi, nuk i ngjanin skuadërs që gjendej në vendin e dytë. Mancaku, Sinani dhe Xhafaj lëviznin aq sa dhe ju që e patë nëpërmjet Tv, ndërkohë që talenti i madh kavajas Cikalleshi, duhet të bindë përfundimisht tashmë nëse është apo jo për formacion përpara se dikush t’i thotë… talent. Dhëmbi është i vetmi që mundohet të neutralizojë mesfushorët e shpejtë peqinas, ndërkohë që Arapi ka gjithnjë probleme me kohën në ndërhyrjen e tij. Merr një të verdhë që e detyron Duron që ta nxjerrë për ta ruajtur. Të thuash pastaj që Tragaj ishte fajtori, do të ishte thjesht një rëndesë më shumë për atë që luan aq rrallë nga minuta e parë. Besa e djeshme nuk ka funksionuar, dhe kjo skuadër kur nuk është, ngjan shumë e shëmtuar për t’u parë. Ditë jo, por pikërisht atëherë kur nuk i falej. Duhet të ishte dita, po, medomos. Një apel për drejtuesit. Thirrjet për të toleruar nga ndeshja në ndeshje mund të mos i kenë bërë mirë skuadrës.

Në anë tjetër të fushës luante një skuadër, e cila këtë sezon duhet respektuar. Pavarësisht problemeve të zakonshme që sjell në fushën e saj, për hir të së vërtetës gjithnjë e në ulje, Shkumbini sidomos i këtij viti kalendarik prodhon futboll. Sidomos në vijën e parë. Bakiu, Çaushaj, Mustafa dhe Gjyla mund të vlejnë të katërt së bashku sa një pagë mujore e Daniel Xhafës por në fushë bënin më shumë se sa milionerët homologë. Dhe nuk qëndronin thjesht mbrapa për të krijuar një mur. Guxonin, pavarësisht se në ndonjë rast si i Gjylës në fund nuk kishin shumë besim se do të dilnin me një fitore nga Kavaja. Goli kavajas gjithashtu nuk ishte rrjedhojë e një presioni të jashtëzakonshëm, por një dyzim mes meritës së Xhafës apo gabimit të Bejtjes në dalje. Nga ana tjetër Shehi detyrohet të kryejë një pritje të shkëlqyer ndaj Sekserit, që pasi shënoi një euro gol disa javë më parë kundër Tiranës preferoi ta provonte si për të bindur këdo që ajo që ndodhi nuk ishte rastësi.

Ajo që ngel është frika për të vënë një bast që kjo Besë shkon në finale. Dhe nëse nuk shkon sezoni mund edhe të kompromentohet.Vendi i dytë është një kënaqësi e paprovuar prej shumë e shumë vitesh, por Kupa sidomos pasi kanë kaluar Tiranën ishte thjesht një detyrim. Së paku finalja. Në Peqin vendasit (është pak por e sigurtë) do të përdorin të gjitha mjetet për t’ja dalë së paku me një 0-0. Ndërsa Besa… duhet të rigjejë formën dhe të harrojë pushimet. Ato të verës të shijojnë më shumë se sa të marsit!

Sport ekspres

Leave a Comment

%d bloggers like this: