Berisha i ofron kreun e SHISH-it Metës, në këmbim të votave

Kryeministri Berisha nuk do të rrijë duarkryq për të miratuar ndryshimet në ligjin të SHISH-it. Burime pranë kreut të mazhorancës parlamentare bëjnë të ditur se posti i kreut të shërbimit të fshehtë do t’i lihet Ilir Metës për ta propozuar me kusht që të japë votat në seancën parlamentare në muajin shtator. Edhe pse shefi i SHISH-it është një person apolitik dhe jo i propozuar nga partitë, sërish Berisha për të “larë” njëherë e përgjithmonë hesapet me Bahri Shaqirin, do të bëjë një “koncesion” jo të vogël ndaj LSI-së. Ende nuk dihet përgjigja e Metës për këtë ofertë, por ajo që dihet është fakti se Berisha dhe PD-ja do të përdorin çdo gur për të kaluar në Kuvend projektligjin e SHISH-it. Po ashtu burimet theksojnë se kreu i PD-së do të kërkojë të marrë dhe votën e deputetëve që janë kundër Ramës në Partinë Socialiste. Gjithashtu, kryeministri do të kërkojë që të sigurojë edhe votat e dy deputetëve të PDU-së, të cilët ende janë të pavendosur lidhur me votën për këtë projektligj. Projektligji i SHISH-it është kundërshtuar fort, jo vetëm nga opozita, por dhe nga faktori ndërkombëtar. Ambasadori amerikan ishte i pari, i cili në mënyrë publike nuk aprovoi ndryshimet në ligjin e SHISH-it, duke kërkuar mosmiratimin e tyre.
Negociatat sekrete
Një vit më parë, Sali Berishës iu desh të negocionte me Ilir Metën për koalicionin e ri mes dy partive të tyre, për të formuar qeverinë e re PD-LSI. Këtë verë, kryeministri është detyruar të negociojë sërish me kreun e LSI-së për një çështje që ka marrë përmasa shumë të rëndësishme tashmë. Bëhet fjalë për ligjin e SHISH-it. Shefi i mazhorancës, sipas burimeve pranë tij, i ka ofruar Metës të bëjë propozimin e tij për kreun e SHISH-it, në këmbim të katër votave të LSI-së, për të miratuar ndryshimet e paraqitura nga PD-ja për projektligjin. Ilir Meta fillimisht ka kundërshtuar hapur ndryshimet në projektligj, pa u marrë më parë miratimi i NATO-s. Në deklaratën e fundit që pati Meta, deklaroi se është dakord me kryeministrin për kufizimin e mandatit të kreut të SHISH-it, por kjo duhet bërë në konsultim me aleatët ndërkombëtarë. Kryeministri Berisha do të kërkojë që në shtator të miratojë këtë projektligj, i cili ka qenë mollë sherri mes mazhorancës dhe shumë faktorëve të ndryshëm. Ambasadori i SHBA-së, NATO, Presidenti Topi, opozita dhe Ilir Meta, kanë qenë disa nga ata që kanë kundërshtuar projektligjin.
Bllokada ndaj projektligjit
Përpos të gjithë tratativave që kryeministri ka bërë për të miratuar ndryshimet në ligjin e SHISH-it, ky projektligj ka qenë ndër më të kundërshtuarit nga shumë faktorë. I pari dhe në mënyrë të prerë kundër, doli ambasadori i Shteteve të Bashkuara, John Withers, i cili kërkoi nga Kuvendi që të mos miratonte asnjë ndryshim pa u konsultuar më parë me strukturat e NATO-s, pasi sipas tij, ligji binte ndesh me parimet e demokracisë dhe shkelte edhe ligje të NATO-s. “Ky është cenim i drejtpërdrejtë i pavarësisë së këtij institucioni dhe ekspozimit hapur të tij ndaj ndërhyrjeve politike. Është jetike për Shqipërinë që SHISH-i të jetë i pavarur dhe i lirë nga ndikimet politike. Ne jemi të shqetësuar që ky projektligj i minon këto parime. Ky draft i jep kompetenca shqetësuese SHISH-it për veprimtarinë brenda vendit. Mendoj se e kemi treguar ku qëndrojnë shqetësimet tona kryesore. Çfarëdo shërbimi informativ, duhet të mbetet profesional”, u shpreh Withers pak muaj më parë, lidhur me projektligjin e paraqitur nga Partia.

Oferta
Burime pranë kreut të mazhorancës parlamentare bëjnë të ditur se posti i kreut të shërbimit të fshehtë do t’i lihet Ilir Metës për ta propozuar me kusht që të japë votat në seancën parlamentare në muajin shtator. Edhe pse shefi i SHISH-it është një person apolitik dhe jo i propozuar nga partitë, sërish Berisha për të larë njëherë e përgjithmonë hesapet me Bahri Shaqirin, do të bëjë një “koncesion” jo të vogël ndaj LSI-së.

Projektligji
Përpos të gjithë tratativave që kryeministri ka bërë për të miratuar ndryshimet në ligjin e SHISH-it, ky projektligj ka qenë ndër më të kundërshtuarit nga shumë faktorë. I pari dhe në mënyrë të prerë kundër, doli ambasadori i Shteteve të Bashkuara, John Withers, i cili kërkoi nga Kuvendi që të mos miratonte asnjë ndryshim pa u konsultuar më parë me strukturat e NATO-s. Gjithashtu, kundër PD-së kanë dalë dhe NATO, Presidenti Topi, dhe opozita.

John Withers
“Ky është cenim i drejtpërdrejtë i pavarësisë së këtij institucioni dhe ekspozimit hapur të tij ndaj ndërhyrjeve politike. Është jetike për Shqipërinë që SHISH-i të jetë i pavarur dhe i lirë nga ndikimet politike. Ne jemi të shqetësuar që ky projektligj i minon këto parime. Ky draft i jep kompetenca shqetësuese SHISH-it për veprimtarinë brenda vendit. Mendoj se e kemi treguar ku qëndrojnë shqetësimet tona kryesore. Çfarëdo shërbimi informativ, duhet të mbetet profesional. Nuk duhet të politizohet. Duhet të ruajë pavarësinë si institucion. E kemi parë projektligjin e rishikuar. Vazhdojmë ta quajmë të papranueshëm në pikëpamjet që sapo përmenda.Nuk dua të hyj në shumë hollësi specifike këtu. Mendoj se e kemi bërë të qartë pozicionin tonë dhe mendoj se ju e kuptoni se cili është ky pozicion”.

Sali Berisha
Shefi i mazhorancës deklaroi qartë se kreu i Shërbimit Informativ duhet të jetë me mandat, pasi në këtë mënyrë funksionon në të gjitha vendet demokratike. Ai deklaroi se asnjë zyrtar i lartë në Shqipëri nuk do të ketë mandat të pakufizuar. “Në këtë vend nuk do të ketë zyrtarë të lartë të emëruar pa mandate. Ky është një qëndrim përfundimtar i imi. Vendet e NATO-s në tërësinë e tyre kanë të gjithë zyrtarët pa përjashtim me mandate të ndryshme, që janë një normë dhe një standard i vendeve demokratike”, deklaroi kryeministri Berisha duke folur për herë të parë për çështjen e Shërbimit Informativ Shtetëror.

Ilir Meta
Pas kundërshtimeve të fillimit, zëvendëskryeministri Ilir Meta ka shfaqur një qëndrim të përafërt me kryeministrin Berisha, duke deklaruar pak ditë më parë se është në favor të kufizimit të mandatit të kryetarit të Shërbimit Informativ Kombëtar. Por ai ka përsëritur edhe qëndrimin se çdo ndryshim në ligj duhet të bëhet në konsultim me strukturat dhe aleatet e NATO-s. “Është tepër parimore që çdo zyrtar i lartë të ketë mandat të përcaktuar dhe kjo është pothuajse për të gjithë përfaqësuesit e të gjithë institucioneve të tjera. Edhe për institucionin në fjalë kjo është më se normale, që të vendoset një afat ligjor. Por njëkohësisht është shumë e rëndësishme që ky afat të jetë në kuadër të një rregullimi dhe përcaktimi ligjor që garanton qëndrueshmërinë dhe pavarësinë e këtij institucioni. Kjo ka qenë dhe është arsyeja pse unë e kam theksuar rëndësinë që çdo ndryshim është e rëndësishme që të bëhet në mënyrë të mirëkonsultuar me NATO-n”, ka deklaruar Meta.


Leave a Comment

%d bloggers like this: