Berat, Berisha e Niebel inaugurojnë sistemin e ri të furnizimit me ujë të pijshëm

Kryeministri, Sali Berisha bashkë me ministrin Gjerman për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillim, Dirk Neibel kanë inauguruar sot përfundimin e punimeve për fazën e parë “Furnizimi me Ujë të Pijshëm” për qytetet e Beratit dhe Kuçovës. Projekti është financuar nga qeveria gjermane nëpërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim me 11.2 milion euro.

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha falenderoi qeverinë gjermane për investimet, ndërsa shtoi se ky proces, ka për qellim zgjidhjen përfundimtarë  të furnizimit me ujë dhe trajtimit të ujërave në vend.

“Ky projekt  për  këtë  rajon është  i një  rëndësie themelore. Ky vend është  një vend  i  përjetshëm.  Historia  thotë  se është  2500 vjeçar,  por nëse  kthehemi pas në kohë, do të gjejmë gjurmë  3000 vjet më të hershme”- tha kryeministri.

Faza e parë e projektit, bashkëfinancohet nga Qeveria Gjermane nëpërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim (KfË Entëicklungsbank) me 6.6 milion euro dhe parashikon rehabilitimin dhe zgjerimin e sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm, instalimin e matësave të ujit në qytetin e Beratit, si edhe ndërtimin e linjës kryesore të furnizimit me ujë Berat-Kuçovë me një gjatësi prej 12 km. Projekti ka si qëllim t’i sigurojë popullatës, prej 120.000 banorësh, në zonat ku ky projekt shtrihet një furnizim të qëndrueshëm me ujë të pijshëm, i cili përmbush të gjitha kriteret e një uji të pastër higjenikisht.

Në ceremoni morën pjesë edhe ministri i Inovacionit dhe i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit Genc Pollo, Zv. Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Z. Ylli Manjani, Ambasadorja e Republikës Federale Gjermane në Shqipëri, Znj. Carola Müller-Holtkemper,  si edhe të tjerë funksionarë të lartë.

Panorama ONLINE

Leave a Comment

%d bloggers like this: