Bashkimi ekonomik, si hap i parë drejt bashkimit politik

1. Fuqizimi i marrëdhënieve ekonomike në mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë janë në vazhdimësi në majën e gjuhës të zyrtarëve shtetërorë në të dyja anët e kufirit që i ndan shqiptarët. Dhe në realitet ky fuqizim është më se i nevojshëm për krijimin e kushteve për zhvillim më të hovshëm ekonomik të të dy shteteve. Për më tepër, ky bashkëpunim do të duhej të përmbyllej me krijimin e një ekonomie të vetme kombëtare, për të krijuar kushte që të gjitha energjitë kombëtare në fushën e ekonomisë të viheshin në funksion të një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik, e që në fazën fillestare së paku do të ishte konkurrent me rajonin. Fatkeqësisht, kjo nuk po ndodh, dhe situata e bashkëpunimit ekonomik është edhe një indikator më tepër se sa të papërgjegjshme janë udhëheqjet politike aktuale në Tiranë dhe Prishtinë kur vjen çështja tek interesi kombëtar në përgjithësi dhe i qytetarit në veçanti.

2. Republika e Kosovës, për shkak të rrethanave të njohura politike, gjendet në një bllokadë tregtare nga Republika e Serbisë dhe ajo e Bosnjë-Hercegovinës. Asnjë mall i prodhuesve nga Kosova nuk mund të eksportohet në këto vende, e as përmes këtyre vendeve në vendet e treta, posaçërisht atyre të Bashkimit Europian. Në anën tjetër, tregu i Kosovës vërshohet pa asnjë pengesë doganore, nga mallrat e këtyre vendeve, e posaçërisht nga ato serbe. Një situatë e tillë e ka dëmtuar akoma më shumë ekonominë edhe ashtu të dobët të Kosovës, e posaçërisht prodhuesit vendorë. Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë hapa seriozë për të zbatuar masa reciprociteti me këto shtete, prandaj edhe fillimi i zbatimit të këtyre masave, për shkak të problemit me kontrollin e kufirit në veri të Kosovës, nuk duket se mund t’i japë rezultatet e duhura. Në këtë periudhë, pritej normalisht një intensifikim i marrëdhënieve ekonomike në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Përtej retorikës patriotike, pak është bërë në këtë drejtim. Për më tepër, ashtu siç pohojnë të dyja palët, deri vonë prodhimet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë, sidomos ato bujqësore, kanë hasur në pengesa serioze doganore dhe administrative (duke iu vendosur çmime reference në kufi produkteve të ndryshme bujqësore, si patateve, domateve etj.) për të depërtuar në tregun e njëra-tjetrës dhe për të qenë konkurruese në tregjet përkatëse. Një takim i këtyre ditëve në mes të zyrtarëve më të lartë të të dyja shteteve si duket ka shtruar rrugën për zgjidhjen e këtij problemi. Në anën tjetër, qeveria e Republikës së Kosovës në mënyrë të njëanshme dëshiron ta fillojë procesin e ndërtimit të hidrocentralit të Zhurit, ndonëse qëndrimi i shtetit shqiptar është i qartë se ky projekt dëmton procesin e ndërtimit të hidrocentraleve që janë në ndërtim e sipër në Republikën e Shqipërisë (për shkak të ndërprerjes së rrjedhjes së ujërave), si dhe përkundër vlerësimeve profesionale se ai projekt nuk është rentabël as për vetë Republikën e Kosovës. Këto zhvillime përcillen edhe me një atmosferë dekurajuese për bizneset nga Kosova për të investuar në Republikën e Shqipërisë dhe anasjelltas.

3. Një situatë e tillë e marrëdhënieve ekonomike në mes të dy shteteve shqiptare është në kundërshtim me interesat ekonomike dhe politike jo vetëm të dy shteteve, por të kombit shqiptar në përgjithësi. Kjo situatë nuk ka dyshim se favorizohet vetëm nga grupe interesi, që kryesisht mbrojnë interesat e tregtarëve-importues, që kanë kapur ekonominë në Tiranë e Prishtinë, e rrjedhimisht i mbajnë nën shantazh edhe udhëheqjet politike. Prodhuesit vendorë në të dyja shtetet dëmtohen rëndë nga kjo situatë, duke ua vështirësuar operimin në një treg më të madh, e që rrjedhimisht do t’i bënte më konkurrues edhe jashtë atij tregu në të ardhmen. Si pasojë dëmtohet edhe qytetari i vendit, i cili jo vetëm që duhet të paguajë më shtrenjtë mallrat që do të duhej të ishin më lirë në treg, por duhet ta paguajë edhe faturën e ngecjes ekonomike të vendit. Sepse më shumë prodhime vendore do të thotë më pak varfëri e më shumë vende pune; do të thotë shtet më i fortë e më dinjitoz, sepse do të ketë më shumë taksa për të, e njëkohësisht do të thotë më shumë kapital financiar që do të qarkullonte në tregun e brendshëm e do ta fuqizonte ekonominë kombëtare. Për të ndodhur kjo, duhet një qasje krejt e re nga institucionet shtetërore në Tiranë e Prishtinë, një qasje që do të kërkonte guxim politik, vizion ekonomik dhe patjetër vullnet, që për hir të interesit kombëtar të ndodhë shkëputja nga grupet e interesit që janë kundër krijimit të një ekonomie të përbashkët Shqipëri-Kosovë. Andaj, institucionet në Tiranë dhe Prishtinë duhet që seriozisht t’i qasen krijimit të një tregu unik kombëtar, i cili jo vetëm që do t’i fuqizonte prodhuesit vendorë, por do të krijonte kushte për zvogëlimin e varfërisë, rritjen e punësimit dhe krijimit të një ekonomie kombëtare të bazuar jo vetëm në konsum, por mbi të gjitha në prodhim, e që do ta bënte konkurrente me ekonomitë e rajonit. Tregu i përbashkët, që do të duhej të rezultonte me ekonominë e përbashkët kombëtare, nuk do të thoshte vetëm bashkim aritmetik i numrave (konsumatorëve) dhe resurseve, por krijimi i një sinergjie të re kombëtare në fushën ekonomike, që do të hapte rrugë për zhvillim më të hovshëm ekonomik.

4. Krijimi i këtij tregu unik kombëtar, që do të duhej të përcillej me politika të përbashkëta ekonomike dhe fiskale, mund të fillojë duke i hequr të gjitha barrierat administrative dhe doganore për të gjitha mallrat dhe nismat biznesore të dy shteteve shqiptare. Në këtë drejtim iniciativat rajonale si CEFTA, por edhe procesi i integrimeve europiane, mund të jenë vetëm ndihmesë. Por mbi të gjitha krijimi i këtij tregu unik shqiptar duhet të jetë një hap i rëndësishëm drejt bashkimit edhe politik në mes të Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, sepse ekzistenca e dy shteteve për një kohë të gjatë mund të krijojë interesa shtetërore që mund të jenë peng i grupeve të caktuara të interesit, që jo domosdo janë në përputhje me interesin kombëtar të shqiptarëve. Valon Murati

Leave a Comment

%d bloggers like this: