Bashkia e Peqinit, punonjësit 3 muaj pa marrë rrogat

Kryebashkiaku i qytetit të Peqinit Ilir Rrushi gjatë një konference për shtyp ka bërë të ditur se punonjësit e kësaj njësie të pushtetit vendor në Qarkun e Elbasanit nuk marrin rroga prej tre muajsh.

Sipas kryebashkiakut, aktualisht Bashkisë së Peqinit i mungojnë 7.5 milionë lekë. Kjo shumë sipas tij i ka kaluar kompanisë CEZ Shpërndarje për pagesën e faturave të borxhit të energjisë elektrike të ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve. Shuma prej 7.5 milionë lekësh sipas kryetarit të bashkisë ishte grant i pakushtëzuar nga buxheti i shtetit për këtë bashki. Por duke qenë se ajo i ka kaluar tani CEZ-shpërndarjes, 50 punonjësit e Bashkisë së Peqinit do të punojnë tre muaj pa pagesë dhe se nuk ka më fonde për pagat.

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve në Peqin administrohet nga pushteti vendor kështu që ajo ka obligimin kryesor për të shlyer detyrimet e prapambetura financiare ndaj CEZ Shpërndarje me paratë e këtij granti që do të përdorej për pagat.

Shkak i bllokimit të pagesave të punonjësve të Bashkisë së Peqinit është bërë ngrirja e llogarive të saj për shkak të borxheve që ka ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve të këtij qyteti ndaj kompanisë CEZ Shpërndarje.

Qarku i Elbasanit po përballet me shumë vështirësi për mospagimin e pagave në disa njësi vendore siç janë, bashkitë e Librazhdit,Gramshit, Përrenjasit dhe Cërrikut.

Leave a Comment

%d bloggers like this: