Baloteli është i Sitit: Vij për të luajtur

Zyrtarizohet kalimi i sulmuesit te Mançesteri i Mançinit për 28 milionë euro. Lojtari do të përfitojë 3.5

Mario Baloteli është zyrtarisht një futbollist i Mançester Sitit. Njoftimi është bërë dje nga klubi anglez pasdite vonë, pasi ish-interisti tashmë i kaloi me sukses vizitat mjekësore.

Ai nënshkroi një kontratë 5-vjeçare. “Shkoj aty ku shpresoj të gjej hapësirë për të luajtur, sepse për mua është shumë e rëndësishme, – janë fjalët e para të “SuperMarios”. – Kam nevojë të luaj, të gaboj, të mësoj dhe të luaj sërish dhe për një mjedis më të qetë rreth meje”.

KEQARDHJA – “Lashë pas shpine një vit shumë të vështirë, – vazhdon ai. – I kam pranuar gabimet e mia, por shpesh besoj se kam qenë në qendër të presioneve dhe kritikave, që në disa raste më kanë dëshpëruar shumë. Tani shpresoj vetëm të paraqitem mirë në skuadrën time të re dhe në Premier.

Dua të jap gjithçka”. Më pas, një mendim edhe për ish-skuadrën e tij: “Më vjen keq që po lë Interin dhe Italinë, do të kisha parapëlqyer të vazhdoja rritjen time profesionale në vendin tim.

Falënderoj familjen time, që me shumë durim dhe ngrohtësi më ka qëndruar pranë në momentet e bukura dhe ato të vështira. Falënderoj presidentin Morati, skuadrën me të cilën kam ndarë shumë fitore, tifozët që më kanë mbështetur, miqtë dhe shokët e mi”.

Baloteli, që do të jetë si spektator në hapjen e Premier Ligës me Mançester Sitin, të përkushtuar sot kundër Totenhemit, do të fitojë 3.5 milionë euro në sezon. Klubi i sheikëve arabë do t’i paguajë zikaltërve 28 milionë euro, plus bonuset për lojtarin.

MANÇINI – “Baloteli është një investim i sigurt”. Roberto Mançini u përgjigjet kështu skeptikëve anglezë, të cilët i cilësojnë të tepërta paratë e shpenzuara nga Mançester Siti për një lojtar akoma për t’u zbuluar: “Ardhja e tij do ta përmirësojë skuadrën, – tha Mançini. – Jam i lumtur.

Kemi ndjekur shumë lojtarë të rinj dhe Mario ishte mes tyre. Sjellja e Marios? Është një djalosh i mirë dhe mund të përmirësohet në disa gjëra të karakterit të tij. Kur je i ri, është e drejtë të jesh i tillë. Por gjëja më e rëndësishme për mua është se ai është një futbollist i madh”.

EDHE IBRAHIMOVIÇ – Mançester Siti dhe sheikët që ka në krye nuk reshtin së befasuari: pasi mbyllën operacionin për të sjellë në Angli Mario Balotelin, “Citizens” janë hedhur në sulm edhe të një ish-ylli të zikaltërve, Zlatan Ibrahimoviç.

Drejtuesit e Barcelonës janë kontaktuar tashmë, flitet për një shkëmbim huazimesh me Robinjon. Një tratativë befasuese, që ka marrë miratimin e Mançinit, trajnerit të tij tek Interi, dhe që po mbështetet tek bashkëpunimi me Mino Raiolën, super menaxherin e dyshes Balo-Ibra.

Sheikët e Mançesterit, që sipas të përditshmes “Sun” janë gati të blejnë kartonin e lojtarit dhe t’i ofrojnë “Gjeniut” të Malmoes një kontratë 4-vjeçare, për 25 milionë euro në sezon. Ndoshta një ekzagjerim, por kjo tregon se diçka po lëviz në aksin Katalonjë-Mançester.

Një tjetër klub gjerman kërkon brazilianin, i cili parapëlqen vetëm Volfsburgun
Diego në “ankand”, në lojë edhe Shalke

Një gjë tashmë duket e sigurt: Diego do të kthehet në Bundesligë. Ngelet për të kuptuar se ku, pasi Shalke dhe Volksburgu kanë hapur ankandin për brazilianin. Nga Gelsenkirshen ofrojnë 18 milionë, 2 më shumë se Volksburgu.

Braziliani, nga ana e tij, duket se ka refuzuar Shalken për të evituar “gjeneralin” Magat, me të cilin, brazilianët e kanë të vështirë të punojnë. Të enjten, Roni Gersh, zëvendësi i Magat, u prezantua në Torino me ofertën prej 18 milionë euro, shifër që përmbush kërkesat e Juves. Sipas të mirëinformuarve, Djair Ribas do të takohet në Gelsenkirshen me trajnerin Magat.

Do të jetë momenti vendimtar për të kuptuar të ardhmen e fantazistit brazilian, që deri më tani preferon hipotezën Volksburgu, megjithëse do t’i duhet të luajë në Europa Ligë. Sapo të vijnë të ardhurat nga Diego, Juventusi do të hidhet në sulm për një anësor.

Emrat janë të zakonshmit, Elia dhe Krasiç. Ose që të dy. Përsa i takon holandezit, duhet rritur oferta. Nga Gjermania, drejtori sportiv i Hamburgut, Bastian Rainhardt, e gjykoi si të pamjafueshme ofertën e bardhezinjve: “Nga Torino na kanë nisur një ofertë prej 12 milionë eurosh, por nuk është shumë serioze. Nëse shesim Elian, kemi nevojë për një kapital të tillë, që të blejmë 2 ose 3 futbollistë.” Dhe kjo do të thotë: Hamburgu kërkon të paktën 18-20 milionë për lojtarin.

Prezantohet “Profeti”
Hernanes: Me Lacion relizova ëndrrën time

Fjalët e para si futbollist i Lacios për Hernanesin, mesfushorin e blerë për 13.5 milionë euro nga klubi bardhekaltër: “Klubi realizon ëndrrën time, erdha këtu me dëshirën për të fituar, – tha braziliani, ose siç e thërrasin ndryshe “Profeti”.

– Lacio është një klub me traditë dhe tani mund të kthehemi të konkurrojmë si të mëdhenj”. Braziliani, në krah të presidentit Lotito dhe të trajnerit Reja, vazhdon: “Duhet të arrijmë mes katër të parave dhe mendoj se unë mund të bëj ndryshimin”. Hernanes nuk ka frikë nga Seria A dhe i njeh vlerat e tij: “Jam i gatshëm për trajnerin. Pak rëndësi ka për mua me sa mesfushorë do të luajmë. Mund të përshtatem me këdo. Do të zgjidhja fanellën numër 8″.

Mesfushori brazilian
Baptista “kundër” Romës: Dua të qëndroj

Hulio Baptista e heq veten nga merkato. Sulmuesi brazilian “blindohet” te Roma dhe pas “jo”-së ndaj Gallatasarajit, duket i orientuar të refuzojë edhe oferta të tjera: “Unë te Roma jam shumë mirë, kam edhe dy vjet të tjera kontratë dhe jam i qetë. Nëse doni të dini diçka rreth meje, për të ardhmen time pyesni drejtuesit, sepse sa më takon mua problemi nuk ekziston: qëndroj te Roma, – theksoi braziliani që nuk hyn në planet e Ranierit.

-Kam nevojë të luaj me një farë vazhdimësie. E di që në këtë Romë do të jetë edhe më e vështirë, por nëse për mua nuk ka alternativa interesante, do të qëndroj këtu: mes të tjerash jam shumë mirë në Romë, qyteti është fantastik dhe klubi është i nivelit të parë”.

Flet Korvino
Fiorentina: Nuk i shesim yjet tona

Kemi pasur oferta për Montolivon, Xhilardinon e Vargasin, por ky grup nuk preket”. Pantaleo Korvino sqaron edhe një herë e përgjithnjë që Fiorentina nuk ka ndër mend të shesë yjet e saj. “Do të vazhdojmë përpara ciklin tonë me këtë grup, – shpjegon drejtori sportiv vjollcë. – Insua? Kishim marrëveshje me Liverpulin, por jo me lojtarin. Nuk ishte rasti për të shpenzuar shifra të mëdha për një të ri 21-vjeçar me shpresa të mëdha”.

Korvino pranon që pa dëmtimin e Jovetiçit, Mutu me siguri do të shitej: “Me Setvanin në dispozicion kishim vendosur ta nxirrnim Mutunë në merkato, por tani situata ka ndryshuar: mbajtja e Adrianit do të thotë një tjetër sakrificë e madhe. Bolati? E blemë vjet, por të shohim ofertat”.



http://www.sportishqiptar.com.al/baloteli-eshte-i-sitit-vij-per-te-luajtur/

Leave a Comment

%d bloggers like this: