Arbri, Qetsori, Jetmiri dhe Ermela të “BB”: Plani për të fituar të tjera miliona

Janë takuar për herë të parë pak ditë më parë në hotelin e Qetsorit në Orikum, për të qenë bashkë tani e tutje. Edhe pse janë fitues të të njëjtit “reality show” si “Big Brother”, ata s’kishin pasur rast ta njihnin njëri-tjetrin nga afër. Arbri, Qetsori, Jetmiri janë miqësuar tashmë me Ermela Mezuraj, fituesen e fundit në lojën e “Big Brother”, ndërkohë që gjatë kohës që ajo ishte në lojë ata nuk ngurruan të shprehnin hapur preferencën e tyre se këtë edicion duhet ta fitonte një femër dhe, si lojtarja më e mirë për shijet e tyre, ishte ajo. Tashmë që 24-vjeçarja Ermela u shpall milionerja e vitit, një projekt interesant u shkon në mendje për ta realizuar të katërt. Nuk ka rëndësi se e kujt ka qenë ideja për t’i bashkuar së bashku në një projekt katër finalistët e “Big Brother”, por interesantja është që ata ndodhen në studiot e regjistrimit për realizimin e një kënge të fuqishme. Ata tregojnë për këtë grupim që do të promovohet me një klip muzikor, një llogari bankare për bamirësi dhe të gjitha projektet televizive e mediatike me impakt social që kanë planifikuar të organizojnë këtë vit.

ARBËR ÇEPANI I BB1: I VETËM PATA SUKSES, TË KATËRT DO INTRIGOJMË MË SHUMË

Si fituesi i parë i BB, natyrisht që provoi emocione të paprovuara nga “ky reality show”, ndërkohë që vinte nga një realitet tjetër jetësor, siç ishte Italia. Pas kësaj fitoreje, ai vendosi të jetojë në Shqipëri dhe paratë e fituara i shpenzoi për të realizuar projektin e veçantë për bamirësi, siç kishte premtuar brenda lojës së “Big Brother 1”. Me staturën e djalit intelektual, Arbri u komentua jo pak për flirtet e tij pas daljes nga loja e BB, ndërkohë që tashmë është duke jetuar një lidhje serioze. Por, në lidhje me këtë projekt, ai është më optimisti pasi e ka provuar si eksperiencë personale. “Jam i bindur se do funksionojmë të katërt bashkë, edhe pse ky projekt do na shërbejë për të njohur njëri-tjetrin. Nuk na kishte rënë rasti të njiheshim më parë. “Ideja lindi duke parë popullaritetin e një programi si “Big Brother” dhe unë personalisht, duke marrë shkas nga një eksperienca imja personale, mendoj se duke u bashkuar, do kemi shumë sukses pasi bashkojmë në një preferencat e veçanta të publikut për secilin prej nesh. Jemi katër karaktere të ndryshme dhe së bashku kompensojmë njëri-tjetrin duke sjellë një qasje më të gjerë”, sqaron ai. “Jam i bindur që fansat tanë do të bashkohen në këtë rast dhe ne do të jemi bashkë për të mbrojtur një mesazh social, për të realizuar projekte televizive dhe komerciale padyshim. Shkurt, do të përdorim komercialitetin tonë si figura fituese të BB-ve për të sjellë një imazh të përbashkët”, përfundon Arbri.

QETSOR FERUNAJ I BB2: JAM MË I MADHI I GRUPIT NË MOSHË, MË PËLQEN KY ROL

Përveçse më i madhi në moshë i grupit, Qetsori është i vetmi me statusin e të martuarit. Ende nuk e ka menduar se si do ta menaxhojë kohën mes familjes, drejtimit të punës në hotelin e tij në Orikum dhe udhëtimeve të shumta, që grupi i finalistëve do të bëjnë brenda e jashtë Shqipërisë. “Ishte një ide interesante që më pëlqeu dhe që edhe unë vetë jam kureshtar se si do të shkojë më tej”, ka pohuar Qetsori për “Panorama Plus”. Fituesi i BB2, që u shqua për lojën e tij interesante në këtë “reality show”, beson në origjinalitetin e funksionimit të grupit. Edhe pse më shumë se për prirjet artistike në lojë, foli për pasionin për të bërë biznes, ai pohon se pjesëmarrja e tij si këngëtar në një grup do të jetë një pasion që do ta zbulojë tani e tutje tek vetja. “Do të drejtohemi nga një menaxher dhe patjetër që qëllimi ynë është të krijojmë impakt social me personalitetet tona të spikatura”. Qetsori është i vetmi nga grupi, baba i dy fëmijëve dhe që jeton në Vlorë, ndaj le të shohim se si do e organizojë jetën në përfshirjen e këtij projekti që ka dhe pak aventurë.

JETMIR SALAJ I BB3: NJË KLIP REVOLUCIONAR PËR TË TËRHEQUR VËMENDJEN

I diplomuar në Itali për Shkenca Politike, edhe pse u shfaq në BB3 si një lojtar inteligjent e arrogant dhe që për asnjë moment nuk i la të qetë banorët e tjerë konkurrentë, ai arriti të dalë fitues pasi ka një filozofi të veçantë për jetën, që të gjithëve u pëlqen ta dëgjojnë nga dikush. “Me Arbrin dhe Qetsorin kam pasur vetëm një shtrëngim dore, ndërsa Ermelën nuk e njihja më parë. Në këtë projekt shpresojmë të sjellim diçka speciale që shoqëria shqiptare të mund të sensilibizohet”. Do të promovohemi me një videoklip revolucionar si fillim, me konotacione të forta ku jepen mesazhe të vërteta sociale. E, puna jonë në grup nuk do të jetë thjesht një klip, por kooperim idesh, mbledhje fondesh etj, për të lançuar një kauzë sociale, duke lobuar në lokale e ambiente të ndryshme publike”.

ERMELA MEZUARAJ: UNË, FEMRA E VETME E GRUPIT, JA SI DO TË SHFAQEM

Ajo do të jetë e vetmja femër dhe në një farë mënyre do të ndihet më e privilegjuara, pasi do ta luajë mirë këtë rol fillimisht në klip. Fituesja e 100 milionë lekëve të “BB4”, ndryshe nga tre fituesit djem, i shfaqi hapur prirjet e saj për artin dhe televizionin në lojë. Madje, para se të hynte në këtë lojë, kishte rënë në sy prania e saj në rolin e koketës në disa klipe të reperave shqiptarë. Nuk dihet nëse do të shfaqet me të njëjtin look, me tiparet e biondes dhe në klipin e katër protagonistëve fitues, por natyrisht që do të këtë një pjesë të rëndësishme të interpretimit të këngës. Pas përfundimit të “Big Brother”, Ermela ka qenë një nga të ftuarat speciale të mbrëmjeve të veçanta që organizojnë lokalet fundjavave, jo vetëm në Tiranë, por në qytete të ndryshme bregdetare. Me lançimin e këngës së parë të grupit, ata do të vazhdojnë së bashku të jenë të pranishëm në lokalet më të frekuentuara.

KLOTILDA HARKA

Panorama ONLINE

Leave a Comment

%d bloggers like this: